IntervistaKosova

Hoxhaj: Sanksione Rusisë, luftë ISIS-it

hoxhaj-sanksione-rusis-euml-luft-euml-isis-it_hdRusia shumë shpejt do të marrë një lajm të hidhur nga Kosova. Ekzekutivi kosovar është gati që të vendosë sanksione ndaj federatës Ruse, sanksione që tashmë i janë vendosur nga shtetet perëndimore për shkak të sjelljeve në raport me Ukrainën.

Vendimi nuk pritet të ketë efekt të madh ekonomik, pasi që prezenca e investimeve ruse në Kosovë është minimale, por sipas ministrit të jashtëm, Enver Hoxhaj, Kosovës i duhet ta bëjë këtë veprim për shkak të marrëveshjes së stabilizim-asocimit.

Në një intervistë për gazetën Tribuna, Hoxhaj ka thënë se pret që një ditë Moska të fillojë ta shohë ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe të mos e shohë Prishtinën prej Beogradi.

Ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova do të pozicionohet edhe në kuadër të aleancës perëndimore që i ka shpallur luftë ISIS-it.

Ai pretendon se ngërçi institucional nuk i ka ngadalësuar njohjet e pavarësisë, derisa përsërit se ngërçi mund të zgjidhet vetëm në rast së PDK realizon të drejtën e fituar në zgjedhje që ta bëjë qeverinë.

Tribuna: Pse po i vendosni sanksione Rusisë?

Hoxhaj: Ka një sërë arsyesh pse jemi në situatën e përgatitjes për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, por unë po përmend vetëm tri arsye kryesore. Së pari ka të bëjë me orientimin tonë euroatlantik si qasje strategjike në politikën e jashtme të Kosovës që flet edhe për subjektivitetin dhe ekzistencën tonë në politikën ndërkombëtare. Kur BE-ja dhe SHBA-të kanë vendosur sanksione të tilla kundër Federatës Ruse dhe janë më të vendosura se kurrë, natyrisht se edhe Kosova do ta bëjë një gjë të tillë.

Pra ka një rrjedhë logjike dhe të bashkërenduar të botës demokratike që ka dënuar sjelljen ruse të cilës pa dyshim i është bashkangjitur edhe Kosova. Arsyeja e dytë ka të bëjë drejtpërdrejt me vendosjen e inicialeve në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së ku në mënyrë të qartë kërkohet tani e tutje që të ketë bashkëdyzim të politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së. Pra, vendi ynë tashmë edhe obligohet që të marrë dhe hyjë në obligime ndërkombëtare dhe duhet të fillojmë ta zbatojmë këtë marrëveshje sa i përket politikës së jashtme.

Prandaj sanksionet kundër Rusisë janë një shembull konkret i sjelljes tonë politike me atë evropiane dhe kjo nuk është çështja e vetme për të cilën ne veprojmë apo deklarohemi. Arsyeja e tretë ndërlidhet me sjelljen tonë në politikën e jashtme që nga fillimi i krizës në Ukrainë. Ju keni lexuar deklarimet e mia në media vendëse dhe ndërkombëtare për Krimenë ku kemi dënuar pushtimin dhe aneksimin si dhe përfshirjen ushtarake të Rusisë.

Situata në Ukrainë është e paprecedentë pas Luftës së Dytë Botërore ku bëhet përpjekje të ndryshohen kufijtë në Evropë përmes dhunës. Imagjinojeni një moment të mosreagimit të Kosovës? Prandaj si shtet i ri kemi përgjegjësi dhe obligime si duhet të sillemi. Nuk guxojmë të promovojmë një politikë të izolimit apo neutralitetit që nuk përkon aspak me reagimin dhe veprimin e botës demokratike në çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë apo për tema të tjera.

Tribuna: Çfarë nënkupton kjo në praktikë? Sa biznese do të sanksionohen?

Hoxhaj: Në dy muajt e fundit, ne si ministri kemi komunikuar dhe bashkëpunuar me të gjitha institucionet kyçe në Kosovë për të pasur një pamje të plotë të situatës dhe cilat biznese apo individë mund të ballafaqohen me sanksione të tilla. Sepse ju e dini që SHBA-ja dhe BE-ja operon me një listë të gjatë të kompanive dhe individëve që duhet të sanksionohen si përgjigje ndaj veprimeve ruse në Ukrainë.

MPJ ka bashkërenduar hapat me të gjitha institucionet relevante në Kosovë në njërën anë dhe me BE-në e SHBA-në për të identifikuar kompanitë konkrete dhe individët që operojnë në Kosovë. Ne kemi hartuar tashmë një dokument në detaje dhe i mbetet qeverisë që ta marrë vendimin siç parashihet me ligjet në fuqi. Por më duhet ta them se në krahasim me vendet e tjera të rajonit prania e bizneseve ruse është fare e vogël në Kosovë.

Tribuna: A rrezikohet që të fortifikohet edhe më shumë pozicioni i Rusisë kundër Kosovës?

Hoxhaj: Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Rusisë janë të natyrës komplekse meqë Rusia mjerisht e lexon situatën në Kosovë nga perspektiva serbe dhe marrëdhëniet e saj me Perëndimin. Mirëpo, nëse Serbia një kohë të gjatë ka pretenduar se nuk ekziston dhe nuk e njeh shtetin e Kosovës, arritja e marrëveshjes së Prillit të vitit 2013 flet për një ndryshim paradigme të politikës serbe karshi Kosovës. Me këtë marrëveshje unë mendoj se ajo pranon ekzistencën politike të shtetësisë së Kosovës.

Nëse ne jemi në një fazë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë si dy shtete sovrane dhe të pavarura dhe si një element bazik për fqinjësi të mirë, atëherë kjo do të duhej të përcillej edhe me ndryshimin e qasjes së politikës ruse karshi Kosovës. Gjatë kësaj kohe, ne kemi pasur kontakte të drejtpërdrejta me zyrën ndërlidhëse ruse në Prishtinë në nivel dypalësh dhe po ashtu herë pas here komunikime në forume ndërkombëtare.

Dialogu me Serbinë i udhëhequr nga kryeministri Thaçi ka shënuar rezultate konkrete jo vetëm në planin e brendshëm duke arritur një sërë marrëveshjesh por edhe në atë të jashtëm. Shumë vende hezituese ndaj Kosovës po krijojnë pamje të re dhe shumë favorizuese për Kosovën si në aspektin e njohjeve edhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Tribuna: Çfarë paraqet në praktikë pozicionimi i Kosovës pro luftës kundër ISIS?

Hoxhaj: Ne do të jemi të pakompromis në luftën globale ndaj terrorizmit ndërkombëtar e cila kohëve të fundit është identifikuar me organizatën ISIS. Vendimet e marra nga qeveria e Kosovës duke miratuar ligjin për të parandaluar pjesëmarrjen e qytetarëve tanë në luftëra të huaja si dhe arrestimet e bëra nga policia e Kosovës flasin për sjelljen tonë shtetërore dhe mbi të gjitha kanë të bëjnë me sigurinë tonë të brendshme.

Siguria kombëtare nuk është vetëm përshkrim i punës i institucioneve të sigurisë në Kosovë por është edhe pjesë përbërëse kyçe e politikës së jashtme të çdo vendi gjë që vlen edhe për Kosovën. Mendoj se për ne si shtet, siguria kombëtare ka të bëjë me mbrojtjen e vlerave të brendshme demokratike nga kërcënimet e jashtme dhe në kohën në të cilën jetojmë këto vlera mund të kërcënohen nga shtete të tjera por edhe nga fenomene si terrorizmi global.

Është detyrë edhe e politikës së jashtme që të t`i definoj kërcënimet për shtetin e Kosovës dhe për sigurinë e qytetarëve të cilat vijnë nga jashtë dhe në këtë drejtim kemi pasur bashkëpunim të mirë me institucionet relevante të sigurisë. Disa herë kam ngritur dhe adresuar tema të këtilla dhe shqetësime brenda institucioneve shtetërore dhe në publik meqë është edhe detyrë e çdo ministri të jashtëm që e kupton punën mirëfilli.

Mund të them se për zhvillimet e fundit ka pasur edhe një reagim të unifikuar shoqëror të të gjithë spektrit politik, fetar e medial për të dënuar aktet terroriste dhe që flet për identitetin tonë perëndimor që të luftohet një e keqe që i kërcënohet botës. Reagimi i Kosovës është përkrahur dhe përshëndetur nga partnerët tanë dhe besoj që shembullin e Kosovës duhet ta ndjekin vendet e tjera përreth dhe në mënyrë që të ketë një reagim rajonal për këtë fenomen. Lufta kundër terrorizmit ka ngritur nevojën që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare të sigurisë sikurse Interpoli dhe Europoli.

Sa i përket angazhimit praktik të Kosovës, ne edhe si ministri por edhe institucionet relevante të sigurisë jemi në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit.

Tribuna: A po ndikon ngërçi politik ne ngadalësimin e njohjeve?

Hoxhaj: Ju e dini që vitin 2014, në Konferencën e Ambasadorëve e kemi shpallur si vit të multilateralizmit duke i dhënë përparësi pjesëmarrjes dhe pranimit në organizata ndërkombëtare.

Dhe mund të them se kemi shënuar rezultate konkrete në këtë drejtim. Vetëm në tre muajt e fundit, pas përfundimit të zgjedhjeve, jemi pranuar në tri organizata që flet për aktivitetin tonë të pandalshëm diplomatik. Pas disa muajsh lobimi dhe koordinimi me miqtë ndërkombëtarë dhe rajonal, Kosova u pranua në Komisionin e Venedikut të Këshillit të Evropës, duke na hapur rrugën për të aplikuar në Këshillin e Evropës këtë vit. Tashmë i kemi studiuar modalitetet dhe procedurat si të lëvizim tutje në këtë drejtim. Po ashtu jemi pranuar në organizata rajonale si SEECP dhe MARRI.

Sa i përket njohjeve, ngërçi politik nuk ka ndikuar fare sepse në periudhën kohore të verës dhe pas zgjedhjeve, ne kemi siguruar dy njohje për Kosovën. Bëhet fjalë për njohjen nga Togo në muajin korrik dhe Ishujt Solomon në gusht. Kam pritur në vizita në Kosovë disa homologë nga vende të ndryshme dhe kam marrë pjesë në disa konferenca dhe forume rajonale dhe ndërkombëtare. Një aspekt tjetër të aktivitetit tonë diplomatik e kemi fokusuar edhe në çështjen e MSA-së.

Për muaj të tërë kemi negociuar MSA-në e veçmas pjesën e politikës së jashtme duke përmbyllur me sukses negociatat dhe vendosur inicialet. Kam bindjen se nënshkrimi do të ndodh në këtë vit gjatë Presidencës Italiane të BE-së. Në këtë drejtim ka vonesa për shkak edhe të zgjedhjeve evropiane dhe ndryshimet në hierarkinë e institucioneve kryesore të BE-së.

Si ministri po punojmë shumë javët e fundit për të pasur një agjendë të ngjeshur të takimeve në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fund të shtatorit dhe mund të them se kemi konfirmuar mbi 20 takime në nivelit dypalësh me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe shumë takime të tjera me shtete që e kanë njohur. Pra presim edhe 2 deri në 3 njohje të reja në javët në vazhdim.

Tribuna: Si do të kalohet kriza politike?

Hoxhaj: Situata në të cilën gjendet vendi mund të tejkalohet në mënyrë të mirëfilltë vetëm me respektimin e plotë të votës së qytetarëve që do të thotë se PDK me aleatët si koalicioni fitues dhe shumica parlamentare duhet të jetë përcaktuese në formimin e institucioneve të reja dhe me respektimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Çdokush që kërkon zgjidhje tjera jashtë mandatit të përcaktuar nga qytetarët dhe jashtë kuadrit kushtetues – ligjor, herët apo vonë do ta kuptoj që është në rrugë të gabuar dhe kundër vullnetit të sovranit të përcaktuar më 8 qershor. Kjo javë është vendimtare për fillimin e zbatimit të Misionit të Ri më shumë vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik për vendin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button