Home / Qeveritare / Arsimi profesional, Veliaj: 40 për qind më shumë nxënës të regjistruar këtë vit

Arsimi profesional, Veliaj: 40 për qind më shumë nxënës të regjistruar këtë vit

Zv.kryeministri-Niko-Peleshi2-525x350Këtë vit kemi 40 për qind më shumë nxënës të regjistruar se vitin e kaluar në shkollat profesionale në vend”, deklaroi sot Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë vizitës së tij në shkollën e mesme profesionale Teknike-Ekonomike, i shoqëruar edhe nga Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi.

Duke iu uruar nxënësve një vit të mbarë dhe suksese në shkollë, zëvëndëskryeministri u shpreh se reformat e kësaj vere kanë qenë reforma të mëdha edhe për arsimin profesional.

“Ne jemi të vendosur për të investuar me të gjitha fuqitë tona për ndërtimin e një modeli tjetër arsimor, që t’i përshtatet kërkesave të kohës dhe të përgatisë të rinj të aftë për t’u përballur me tregun e punës”, theksoi Niko Peleshi.

Ndërsa ministri Veliaj tha se ky është një vit fantastik për shkollat profesionale në Shqipëri, jo vetëm sepse ka pasur një numër të lartë regjistrimesh, porse edhe publiku e ka kuptuar rëndësinë e arsimit profesional. “Këtë vit kemi pasur 40 për qind më shumë regjistrime, në shkallë vendi, sesa një vit më parë: një rekord që prej vitit 1994”, tha Veliaj, duke e cilësuar këtë si një hap të parë të suksesshëm.Erion Veliaj

Ai përmendi raportin e fundit të INSTAT-it për punësimin, duke vënë në dukje se 63 për qind e atyre që përfundojnë një shkollë profesionale kanë arritur të gjejnë punë; një shifër thuajse e barabartë me ata që përfundojnë arsimin e lartë. “Kjo do të thotë mundësitë e punësimit për ata që mbarojnë një shkollë profesionale me ata që mbarojnë shkollën e lartë, janë thuajse të njëjta. Ndërkohë, për ata që mbarojnë gjimnazin e përgjithshëm mundësitë zbresin në 40 për qind. Pra, ai që ka mbaruar një shkollë profesionale është më i punësueshëm se ai me gjimnaz të përgjithshëm”, tha ministri Veliaj.

Nga ana tjetër, ai vuri në dukje se në sistemin e arsimit profesional po ndryshojnë disa gjëra, duke nisur nga krijimi i bordeve të shkollës, të cilat në përbërje të tyre do të kenë jo vetëm mësuesit dhe prindërit, por edhe përfaqësues të biznesit. “Në ato shkolla ku është i pranishëm biznesi dhe ku nxënësit i bëjnë praktikat pranë biznesit, gjasat për punësim rriten në mënyrë eksponenciale”, tha z. Veliaj, duke falenderuar Presidentin e “Biznes Albania”, z. Luan Bregasi, për ndihmën që do të japë për praktikat e nxënësve të shkollës Teknike-Ekonomike.

Sipas modelit dual gjerman, i cili po zbatohet në shkollat tona profesionale, nxënësit do ta kalojnë 1/3 e mësimit të tyre duke bërë praktikën në bizneset e fushës ku studiojnë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: