Bota

Samiti G20, protesta të dhunshme në Hamburg

Situata është mjaft e tensionuar në Hamburg përpara samitit të shumëpritur të G20.

Përplasjet e dhunshme mes demonstruesve dhe policisë kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit. Forcat e rendit janë detyruar të përdorin topat e ujit, sprajin djegës dhe shkopinjtë e gomës për t’i ndaluar turmës agresive marshimin drejt ambienteve ku nis sot zyrtarisht takimi i nivelit të lartë.

Më të egrit kanë qenë rreth 1000 persona të maskuar në radhët e para të demonstratës, të cilët i kanë qëlluar efektivët me koktejle molotov, gurë e sende të tjera të forta. 72 policë kanë mbetur të plagosur. Të lënduar ka dhe në radhët e protestuesve.

Për të garantuar sigurinë e samitit të krerëve të vendeve më të rëndësishme të botës janë angazhuar, sipas të dhënave zyrtare, rreth 20 000 forca të sigurisë, 28 helikopterë, 185 qen të specializuar, 40 makina me topa uji e 3000 makina policore. Pavarësisht masave të marra nga autoritetet, organizatorët e protestave duken të vendosur t’i vazhdojnë aksionet e tyre deri në përfundim të takimit, mbrëmjen e së shtunës.

Samiti mbahet në kohërat më të vështira të dekadave të fundit për shkak të luftrave të shumta, krizave dhe mosmarrëveshjeve mes vendeve më të mëdha në botë. Vetë mikpritësja e tij, Angela Merkel është përpjekur t’i ulë pritshmëritë nga ky event, duke paralajmëruar që prej tij të mos shpresohet ndonjë mrekulli apo marrëveshje epokale.

Mbrëmjen e së enjtes ajo u takua me Presidentin amerikan Donald Trump, në përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa ndonjë sukses të madh. Ndër temat më të trajtuara në samit do të jenë gjendja në Afrikë, tensionet në raportet me Korenë e Veriut dhe mundësia e një lufte të re atje, lufta në Siri, lufta në Ukrainë, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, refugjatët si dhe dalja e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button