Keshilla

Më thuaj çfarë babai ke, të të them se çfarë mashkulli duhet të kërkosh

timthumbKa femra që partnerin e duan të ngjashëm me babanë e tyre, ndërsa disa të tjera janë në kërkim të të kundërtit. Por duhet ditur se babai luan një rol themelor në zgjedhjet sentimentale që secili prej nesh bën, duke ndikuar me dashuri si një model referimi për burrat. Është figura e parë mashkullore me të cilin përballemi dhe shpesh kjo gjë mund të paraqesë llojin e mashkullit që mund të zgjidhet si partner.

Çdo gjë varet nga marrëdhënia që ndërtohet, siç shpjegohet në një artikull të kohëve të fundit në “The Telegraph”. Në qoftë se keni pasur një baba që ju ka trajtuar me dashamirësi e respekt dhe ka forcuar autostimën tuaj, atëherë ju nuk do të keni nevojë të kërkoni me çdo kusht aprovimin mashkullor, duke shkuar nga një partner i gabuar në tjetrin.

Në të vërtetë, zakonisht, pretendohet për një mashkull që përkujdeset si babai dhe që i bën femrat të ndihen mjaft speciale dhe unike. Por fatkeqësisht mund të ndodhë edhe e kundërta, ashtu siç shpjegon doktoresha Linda Nielsen, psikologe në Universitetin Wake Forest në Karolinën e Veriut: “Nëse shkoni në një dyqan ushqimesh kur jeni shumë të uritur, ka shumë mundësi që prej tij të dilni me ndonjë ushqim që i bën keq shëndetit. Sepse, për t’u ndier mirë, mjafton që nga raftet të merrni çfarë t’ju zërë syri, pa i kushtuar rëndësi cilësisë së ushqimit. Pra, kur femrat nuk rriten të stimuluara dhe të adhuruara nga babai i tyre, atëherë ato bëhen ‘të uritura’ për dashuri. Dhe në përgjithësi, për këtë fakt, bëjnë zgjedhje të gabuara. Ndërkohë, kush ka pasur një baba të ftohtë dhe të largët, ka ditur të lidhet vetëm me të tillë meshkuj. Për këtë arsye, shumë femra përfundojnë me meshkuj të ftohtë dhe antipatikë, sepse janë të mësuara me këtë lloj modeli mashkullor”.

Për të ditur diçka më shumë, ja një intervistë e profesor Fabrizio Quattrini-n, psikoterapeutin dhe presidentin e Institutit Italian të Seksologjisë Shkencore.

Me të kemi shtjelluar pesë lloje atërore, të bazuara në histori të vërteta, për të zbuluar se cili është partneri i duhur që duhet të aspironi.

Në çfarë mënyre ndikon figura atërore në historitë e dashurisë?

Marrëdhëniet sentimentale janë shprehje të një kombinimi kompleks të përvojave të zhvillimit dhe të karakteristikave të personalitetit. Qartësisht, aspekti social i të mësuarit nga përvojat e fëmijërisë u lejon vajzave, që sapo të rriten, të projektojnë emocionet dhe ndjenjat në lidhje me partnerin e tyre. Kjo mund të materializohet në forma të ndryshme të marrëdhënieve të dashurisë: zgjedhja e pavetëdijshme e një partneri të ngjashëm me babanë, e një partneri totalisht të ndryshëm nga babai dhe zgjedhja në mënyrë të pavetëdijshme e partnerit që ka karakteristika të ngjashme me nënën. Pra, veçoritë atërore janë më evidente në vetvete.

Pra, edhe nëna ka një funksion parësor në këtë dinamikë?

Nëna ka një rol shumë të rëndësishëm, mund të përcaktohet si një lloj filtri. Një filtër që, nga një anë, rrit figurën atërore, por, nga ana tjetër, heq idenë e mashkullit ideal. Edhe ajo ka rolin e saj në këtë çështje.

Për të gjetur partnerin më të përshtatshëm, sa e nevojshme është të kapërcehet “kompleksi Elektra”?

Pavarësisht nga tregimi mitologjik, kompleksi Elektra paraqet një përgjigje krejt femërore të kompleksit Edip frojdian tipik mashkullor. Në një version romantik dhe modern femëror, kompleksi Elektra, për femrat, paraqet arritjen e një objektivi: gjetjen e mashkullit perfekt. Në një vizion thjesht psikoanalitik, ka disa gra nuk janë në gjendje të kapërcejnë fazat evolucionare të këtij kompleksi. Kjo mund t’i çojë bijat të kërkojnë gjithnjë e më shumë “mashkullin ideal” dhe në të njëjtën kohë në ngecjet e marrëdhënieve të rrezikshme.

Katër llojet atërore: zbuloni se cili është mashkulli që bën në rastin tuaj

  1. Babai autoritar

“Për babanë tim, në plan të parë ka qenë gjithmonë detyra sesa kënaqësia. Nëse nuk bëhej siç thoshte ai, pasi të qortonte dhe të poshtëronte, nuk të fliste më për disa ditë. Jam larguar nga shtëpia që në moshën 18 vjeç, e mbushur plot me mëri dhe me nevojë për t’u çliruar, duke kërkuar një mashkull që do të më mbështeste. Por në fund ‘humbisja kokën’ për ata që më kishin në dorë, duke më dashur në bazë të kushteve të tyre. Por jetën time e kam ndryshuar kur takova Lukën. Ai më dëgjonte dhe më donte pikërisht ashtu siç unë isha, me të gjitha idetë e mia pa më kontrolluar siç bënin gjithë të tjerët.”

Xhulia 32 vjeç.

Mendimi i ekspertit

Këtu kemi të bëjmë me rastin e një babai “pronar”, i zënë shpeshherë vetëm me aktivitetet e punës dhe ato profesionale. Zakonisht edhe ai vetë ka qenë viktimë e një babai autoritar. Pra një skenar, i cili përsëritet në gjenerata. Me autoritetin e tij të spikatur mund të ndalojë shprehjen e lirë të vetvetes, të kufizojë përvojat, të krijojë pasiguri dhe vetërespekt të ulët.

Mashkulli që duhet të kërkoni

Duke qenë se komunikimi me një baba të këtij lloji është njëdrejtimësh, është e nevojshme që të aspironi një partner që e do dialogun, që dëgjon dhe nuk gjykon, duke krijuar një raport barazie dhe simetrik.

  1. Babai shok

“Pietro, më shumë se një baba, ka qenë një shok lojërash: me të mund të bëja gjithçka, edhe në rastet kur mamaja më thoshte ‘jo’. Ai ka qenë gjithmonë një Piter Pan i përjetshëm, i cili shumë rrallë merrte një vendim në shtëpi, preferonte t’i linte gjërat të ‘rridhnin’ me shpresën se do të zgjidheshin vetë. Te meshkujt që kam pasur të bëj, kam kërkuar gjithmonë këtë kuptim lehtësie dhe butësie, ndoshta sepse kam qenë mësuar gjithmonë t’ia dilja mbanë vetë dhe të mos mbështetesha shumë te të tjerët. Por lumturinë e vërtetë e gjeta te krahët e Xhulios: ai është dhjetë vjet më i madh se unë dhe me sigurinë e tij më ka bërë shumë për vete.”

Viola, 37 vjeç.

Mendimi i ekspertit

Të pasurit pranë një baba të tillë në moshën e vegjëlisë është një lumturi më vete, sepse me të gjithçka është e lejuar, ndërsa shpesh jeni të kontrolluara nga një nënë e detyruar për të qenë e ashpër. Nëse pika e tij e fortë është dhënia e konfidencave dhe humori i mirë, ana negative është ajo e të mos qenët një figurë udhëheqëse e fortë. Pra, ky lloj babai mund t’ju adresojë drejt sjelljeve sipërfaqësore dhe fëmijërore.

Mashkulli që duhet të kërkoni

Zgjedhja mund t’ju çojë te një mashkull konkret dhe praktik, që merr në dorë jetën e tij me përgjegjësi. Pra, kjo do të thotë të keni pranë një mashkull me kuptimin e vërtetë të fjalës, i cili i ka shumë të qarta rolet në një marrëdhënie në çift, me detyrat dhe liritë përkatëse. I përshtatshëm mund të jetë edhe një partner ironik dhe i “lehtë”, për aq kohë sa ju nuk do të bëheni kolona qendrore e çiftit, duke marrë pra rolin e një nëne sesa të një partnereje.

  1. Babai i painteresuar

“Nuk kam pasur asnjëherë një raport të mirë me babanë tim. Jo sepse ishte një prind i keq, sepse ka dhënë gjithnjë më të mirën, por ai nuk interesohej asnjëherë për mua. Atij i mjaftonte që unë isha mirë në shkollë, respektoja rregullat, që nuk përfshihesha asnjëherë në grindje dhe që nuk isha e paedukatë. Për pjesën tjetër, atë që ndieja brenda, atë që ëndërroja dhe atë që doja, nuk ishte në interesin e tij. ‘Gjëra femrash’, thoshte, dhe me këtë justifikim i ka lënë mamasë sime të gjithë edukatën dashurore. Me kalimin e viteve kuptova që pas këtij menefregizmi, fshihet një paaftësi e madhe për të komunikuar me anën emotive dhe për këtë nuk ia dilte të fitonte afeksionin e të tjerëve. Madje, ndoshta edhe për këtë arsye nuk pranoi edhe Françeskon, burrin më të ndjeshëm që kam njohur ndonjëherë.”

Karmen, 41 vjeç.

Mendimi i ekspertit

Një baba i tillë është një shmangës i vërtetë, fsheh gjithçka ndien. Shpesh me vajzën ndërton raporte të fragmentuara, me mungesë komunikimi të dobët, të cilat krijojnë ndjenjën e frikës, të pasigurisë dhe të mërzisë, por edhe të mbylljes ndaj botës mashkullore, duke menduar se askush nuk mund ta kuptojë vërtet.

Mashkulli që duhet të kërkoni

Do të ishte më mirë që të pretendonit një partner empatik, të vetëdijshëm për anën e tij emotive, por që ka frikë ta shprehë dhe të vërë në ‘lojë’ zemrën. Mos të jetë egoist.

  1. Babai i paimitueshëm

“Si babai im nuk është askush. Për mua ai mbetet pikë referimi, parametri nga i cili nisem për të vlerësuar meshkujt. Gjithmonë i pranishëm, asnjëherë i bezdisshëm, i aftë që të më durojë pa më imponuar versionin e jetës së tij. Më ka shtyrë gjithmonë që të nxjerr jashtë më të mirën time, duke më respektuar dhe duke më dashur. Ndër vite e kam parë që mamanë time e adhuron me përkushtim, ndërsa ka bërë gjithçka për të mirën e familjes sonë. E di që burra të tillë ka pak, por gjithsesi ekzistojnë. E kam kuptuar vetëm kur kam njohur Paolon, xhentil, i fortë dhe i dashur si babai im. Para se të njihja atë, më tërhiqnin meshkujt që ishin e kundërta e tij, burra të pavendosur, që më ulnin vetëbesimin, mbase sepse dëshiroja që mashkulli më i mirë i jetës të mbeste vetëm babai im.”

Karla, 35 vjeç.

Fjala e ekspertit

Mund të jetë babai ideal, i cili ju bën jo vetëm që të buzëqeshni, por edhe ju edukon dhe ju mbron me shumë përkujdesje sa edhe mamaja juaj. Pasja e një babai të tillë, jo vetëm që e bën një vajzë të sigurt dhe me një vetëvlerësim të lartë, por i lejon asaj që të krijojë marrëdhënie në mënyrë të qetë me gjininë mashkullore, duke ecur me këmbë në tokë.

Mashkulli që duhet të kërkoni

Ashtu si babai, ai duhet t’ju transmetojë vetëvlerësim, duke ju konfirmuar se kjo gjë është e rëndësishme dhe speciale. Por për të qenë një partner i mirë, duhet të bëjë sigurisht një hap më shumë në krahasim me figurën e babait: të demonstrojë se e dashuron feminilitetin tuaj, duke ju bërë të ndiheni sensuale dhe e dëshirueshme, por edhe pasionante.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button