Rajoni

Samiti i Triestes, Hahn: Duhet zhvillimi ekonomik i Ballkanit

Në Trieste të Italisë janë mbledhur sot udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Europian, për të diskutuar mënyrat e integrimit të rajonit në BE.

Ky është i katërti takim i këtij lloji, i organizuar në kuadër të “Procesit të Berlinit”, të nisur nga Angela Merkel në vitin 2014. Pas Berlinit, samite të ngjashme u mbajtën në 2015-n në Vjenë dhe vitin e kaluar në Paris.

“Brukseli dëshiron që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së dhe njëra nga arsyet kryesore për këtë është që të rinjtë të mos detyrohen t’i braktisin vendet e tyre”, deklaroi në çelje të takimit komisioneri për Politikat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Hahn u shpreh se një gjë e tillë do të ulte gjithashtu tensionet e së kaluarës, e theksoi se është detyrë e politikës të sigurojë bashkëpunimin, ndërsa përgjegjësinë për lidhjet ekonomike ia ngarkon komunitetit të biznesit.

Të pranishëm, veç Hahnit, janë edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, komisionerja e Transportit Violeta Bulc, Kancelarja Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë, Paolo Gentiloni, si dhe zyrtarë të lartë të Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë e Britanisë së Madhe.

Nga krerët e Ballkanit Perëndimor, drejt Triestes kanë udhëtuar kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Merkel pritet të paraqesë planin “Berlin Plus”, qëllim i të cilit është krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, në mënyrë që integrimi ekonomik i rajonit të mbështesë edhe reformat sociale, politike e të tjera.

Në fokus do të jenë më së shumti infrastruktura dhe zhvillimi teknologjik. Pikërëndesa, megjithatë, mbetet zhvillimi ekonomik. Italianët, si mikpritës, organizojnë një forum ekonomik me sipërmarrës të vegjël dhe të mesëm nga Ballkani.

Edhe gjermanët po veprojnë. Ata kanë nisur një nismë, me të cilën industria gjermane blen produkte nga Ballkani. Kjo duhet mbështetur me garanci dhe instrumente financiare. Masa tjetër e rëndësishme është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sinjali që duhet të dalë nga Trieste, sipas ekspertëve duhet të jetë: Ballkani Perëndimor i përket BE-së. Ata mendojnë se blloku do të përpiqet ta çojë përpara projektin e ngecur, për shkak se edhe ai vet ka qenë vitet e fundit i përfshirë nga kriza

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button