Opinion

Zvetënimi i njeriut

“Sjellja etike e njeriut duhet të bazohet në simpatinë, edukimin dhe lidhjet shoqërore”            Albert Ajnshtajn

Nga Viktor Malaj

Në vorbullën e ngjarjeve dhe problemeve që karakterizojnë shoqërinë shqiptare, ashtu si çdo shoqëri tjetër njerëzore, më tepër bien në sy dhe diskutohen problemet e ekonomisë dhe politikës ndërsa qëndrojnë në hije disa fenomene dhe probleme madhore shoqërore dhe morale.

Përparësia që u jepet çështjeve ekonomike dhe politike bën që këto të ndryshohen dhe përmirësohen më shpejt. Problemet shoqërore dhe morale të mbetura në hije kërkojnë një kohë edhe më të gjatë për t’u ndrequr, nëse mund të ndreqen ndopak.

Përpara disa muajve shtypi shqiptar njoftoi se, nga një sondazh i bërë nga institucione të besueshme evropiane, rezultonte se shqiptarët ishin njerëzit që ndiheshin më të vetmuar, pa përkrahje dhe solidaritet shoqëror. Përveç se i dëmshëm ky fenomen është edhe shumë domethënës sepse flet për njollosje në moralin e shoqërisë.

Një popull, një pjesë e të cilit jeton ende me ndjenjat fisnore e krahinore, një popull që deri dje, ndonëse i varfër, shquhej për lidhje dhe marrëdhënie të ngrohta e të qëndrueshme brenda fisit, lagjes apo kolektivit të punës, sot paraqitet i ftohtë, i tjetërsuar, me fare pak respekt, ngrohtësi dhe përkrahje për njëri-tjetrin. Ndërsa smira, mendjemadhësia dhe mospërfillja, sidomos ndaj të varfërve dhe të pamundurve, shfaqen kudo të shpenguara.

Analiza e këtij fenomeni të dëmshëm moralisht dhe kombëtarisht do të ishte shumë e gjatë, por besoj se ajo nuk do të gjente shkaqe të tjera veç këtyre që duken e preken rëndomë: rendja pas pasurimit material, ngritja në kult e vlerave materiale dhe përqeshja, nënvlerësimi dhe braktisja e vlerave morale; rendja me revan pas individuales dhe indiferenca, në mos neveria, ndaj asaj që i përket gjithë shoqërisë; keqqeverisjet dhe ndërlikimet e shkaktuara me problemet e pronësisë; degradimi i procesit mësimor, duke i dhënë atij natyrë thjesht teknike dhe komerciale, si dhe gatishmëria dhe lehtësia e përvetësimit të çdo gjëje negative dhe të zvetënuar të botës perëndimore. Janë këto disa nga shkaqet e katandisjes tonë në gjendjen ku jemi.

Këto ditë qarkulloi në media një video që tregonte se si një burrë rreth të gjashtëdhjetave ishte duke ecur në rrugët e qytetit të Gjilanit në Kosovë. Pasi ecën duke u lëkundur për pak sekonda, rrëzohet pranë një kamioni të parkuar në anë të rrugës dhe mbetet i shtrirë dhe pa lëvizur. Një djalë i ri që kalon aty pranë tmerrohet dhe fillon t’iu kërkojë  ndihmë drejtuesve të automjeteve që po kalonin atypari.

Drejtuesit e automjeteve ulnin shpejtësinë, pyesnin të riun çfarë kishte dhe, megjithëse viheshin në dieni për një njeri të shtrirë përdhe që po jepte shpirt pak metra larg tyre, i jepnin gaz makinës dhe largoheshin të pamerakosur. As denjuan të zbrisnin nga makinat, as të ndihmonin njeriun e shtrirë dhe as të telefononin policinë apo ndihmën e shpejtë.

Për ta nuk kishte ndodhur ndonjë gjë që ia vlente të ndërprisje udhëtimin. ” Nuk kam kohë se jam tu shkue me i çue kerrin ( makinën ) pronarit….. Jam me ngut se kam lanë takim me nji vashë…. Më duhet me shkue shpejt se i kam punëtorët vetëm tek pallati që po ndërtoj dhe nuk iu zë besë….E ç’ka me t’thanë vllaj ty, qysh mundem me u nalë un nitash …? “. Këto mund të jenë disa nga mendimet dhe reagimet e atyre individëve pa karakter dhe antinjerëzorë për të cilët shpëtimi i një jete njerëzore në rrugë nuk është asgjë krahasuar me ” punët ” e tyre të mëdha. Qytetari i rrëzuar në asfalt dha shpirt pas pak minutave. Një njeri më pak fizikisht por me qindra njerëz të tjerë më pak shpirtërisht dhe moralisht. ” Derrat e kënaqur ” po shtohen përditë dhe ” Sokratët e vuajtur ” janë një rracë në zhdukje e sipër.

Njëri nga rezultatet e zvetënimit tonë moral dhe zvogëlimit të përgjegjësisë shoqërore është numri alarmant i vetëvrasjeve. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT del se, vetëm për vitin 2016 numri i vetëvrasjeve ishte 235 dhe i vrasjeve 85.

Ndërsa të dyja janë të dhimbshme dhe të papranueshme, tërheq vëmendjen veçanërisht fakti që shqiptarët janë tri herë më të prirë të vrasin veten se të tjerët. Po të ishim një shoqëri më e përgjegjshme dhe të kishim një politikëbërje më të dobishme, do të duhej të ishin bërë studime serioze dhe profesionale të këtij fenomeni dhe fenomeneve të tjerë negativë si gjakmarrjet, divorcet, korrupsioni, prostitucioni etj.

Ndërsa janë krijuar komisione parlamentare e qeveritare për votat, përmbytjet apo zjarret, organizmat shtetërore nuk janë kujtuar për njeriun, për konstitucionin e tij shpirtëror, moral dhe kulturor. Nuk është kuptuar dhe as vlerësuar se njeriu qëndron në themel të të gjitha arritjeve, por edhe të dështimeve të shoqërisë njerëzore.

Ministria e Çështjeve Sociale, përpara se të merret me shpërndarjen e ndihmave ekonomike apo strehimin duhet të bashkëpunojë me MPB dhe organet e drejtësisë si dhe të krijojë një grup studimi me sociologë, juristë etj. specialistë për të njohur gjendjen, problemet dhe shkaqet e fenomeneve negative të shoqërisë shqiptare dhe për të përcaktuar rrugët, mjetet dhe fondet për shërimin e gjendjes.

Të ngresh komisione të posaçme për të verifikuar njëqind apo dyqind vota dhe të mos shqetësohesh fare pse çdo vit në Shqipëri vetëvriten 200 deri në 350 individë; të ngresh çadra nëpër sheshe apo të protestosh kundër ndërtimit të një këndi lojërash për fëmijë dhe ndërkohë të jesh indiferent ndaj rreth një mijë njerëzve të ngujuar nga gjakmarrja apo ndaj disa mijëra të tjerëve të mbetur analfabetë për shkak të braktisjes së shkollës për pamundësi ekonomike apo të tjera arsye; të ndërmarrësh “ture dëgjimi” në gjithë vendin për probleme rrugësh apo administrimi dhe të mos shqetësohesh për rreth 60 mijë shqiptarë që përdorin drogën apo mijëra të tjerë që merren me prostitucion e krime të tjera, duke tejmbushur burgjet shqiptare dhe ato evropiane, kjo do të thotë të mos merresh me thelbin dhe shkaqet, por me pasojat.

Shoqëria shqiptare dhe shteti i saj nuk mund t’i bëjnë të paqena fenomene të tilla, por ato i kanë të gjitha mundësitë t’i zvogëlojnë dhe parandalojnë në masë të madhe. Po t’i shohësh me vëmendje shumica e vetëvrasjeve ndodhin për shkaqe ekonomike, pamundësi mbijetese dhe mosgjetje përkrahjeje shoqërore e shtetërore; disa ndodhin për shkak të angazhimit të individëve në bixhoz dhe, si pasojë e tij, futjes në borxhe; një pjesë jo e vogël ndodhin për shkak të krijimit të lidhjeve të gabuara të dashurisë apo nga keqtrajtimet brenda çiftit apo familjes.

Prandaj, përpjekjet e shoqërisë dhe, sidomos, të qeverisjeve duhet të përqendrohen sa në përmirësimin e gjendjes ekonomike mbarëkombëtare aq edhe në edukimin serioz dhe të denjë të fëmijëve, të brezit të ri. Përpara se t’iu mësohet kompjuteri dhe përdorimi i tij iu duhet shpjeguar elementë të ekzistencës njerëzore, struktura dhe rëndësia e familjes; përpara shpjegimit të marrëdhënieve financiare e tregtare iu duhen mësuar marrëdhëniet shoqërore, familjare e qytetare; përpara ofrimit të edukatës seksuale iu duhet mësuar edukata morale e qytetare; përpara interpretimit të strukturës dhe marrëdhënieve të tregut iu duhet mësuar struktura familjare, marrëdhëniet dhe respekti e ndihma reciproke në çift, si dhe respekti e kujdesi për fëmijët, për prindërit dhe të moshuarit; përpara mësimeve për ngritjen dhe zhvillimin e biznesit iu duhet mësuar rëndësia e jetës vetjake dhe respekti e mosprekja e jetës së të tjerëve.

Është e çuditshme dhe e papranueshme që, ndërsa shoqëria shqiptare ka bërë një përparim relativ nga ana materiale, vihet re se marrëdhëniet familjare dhe, sidomos, ato midis burrave dhe grave ndodhen në një gjendje të mjerë. Fenomenet e ushtrimit të dhunës, veçanërisht ndaj femrave, janë bërë aq të shpeshta sa të duket se shoqëria shqiptare po bën hapa mbrapa.

Një gazetar i nderuar botoi një shkrim para disa ditëve, të shoqëruar me një fotografi, ku tregonte se si një familje shqiptare kishte vajtur në plazh dhe, ndërsa pjesëtarët e gjinisë mashkullore shullëheshin në diell dhe freskoheshin në ujë si gjithë të tjerët, gruaja e shtëpisë, krejtësisht e veshur dhe me kokën të mbuluar me shami, qëndronte në çadër.

Më vonë, gazetari tregonte se ndaj shkrimit të tij kishte pasur shumë reagime mohuese, denigruese dhe kërcënuese nga individët e prapaferrave të cilët shpreheshin se ajo ishte çështje private e asaj familjeje, se zhveshja në plazh ishte e turpshme dhe e dënueshme fetarisht e moralisht dhe, madje, disa “femra” anonime pohonin se edhe ato do të ndiheshin mirë po të ishin në vend të gruas së fotografuar në plazh.

Mendoj se kjo histeri kundërshtimesh tregon qartë prapambetjen dhe hipokrizinë me të cilën jo pak prej nesh bashkëjetojmë për shekuj të tërë. Nëse qëndrimi në plazh me kostumin përkatës përbën mëkat, atëherë duhet të pranojmë që vetë plazhi është një vend mëkatarësh.

Nëse është kështu, atëherë çfarë kërkojnë fetarët e devotshëm që shkojnë vullnetarisht tek vendi i mëkateve? Nëse është plazhi vend mëkatesh, është i tillë vetëm për femrat apo edhe për meshkujt? Nëse është i tillë vetëm për femrat, përse gruaja në fjalë dhe të tjera si ajo nuk qëndrojnë në shtëpi ndërsa meshkujt marrin shëndet dhe zgjasin jetën në “vendin e mëkateve”? Cili është ai njeri me arsye të shëndoshë që mund të besojë pohimin hipokrit të opinionisteve të prapaferrës se një femër u ndjeka fare rehat duke qëndruar e veshur dhe kokëmbuluar për orë të tëra nën çadër apo jashtë saj në temperatura që i afrohen 40 gradë celsius?

Është mirë që individi shqiptar të “kurohet” që të heqë dorë sa më shpejt nga hipokrizia, nga dyzimi, të jetuarit me shumë standarde brenda familjes dhe midis gjinive; të heqë dorë nga fjalët moderniste, evropianiste e progresiste ndërsa sillet e vepron me mentalitet mesjetar; të propagandojë liri, barazi e drejtësi në shoqëri ndërsa i mohon apo cungon ato në familje.

Si ekstravaganca dhe shthurja e pakufi që demonstrojnë çdo ditë masmedia nën trusninë e komercializmit ashtu edhe qëndrimet dhe sjelljet e mykura të maskuara me pretendime maskiliste apo kinse fetare janë të dëmshme për individët dhe shoqërinë. Progresi arrihet nëpërmjet dijes dhe dijen e sjell arsimimi i denjë dhe vetëkulturimi i vazhdueshëm dhe jo reklamat televizive apo emisionet “kulturore”-komercialiste që kanë si synim shtimin e konsumatorëve- shikues pa tru e pa shije.

Detyra e shoqërisë dhe shtetit shqiptar është të kthejë sytë sa më shpejt nga njeriu, jo vetëm nga barku dhe veshja e tij por, para së gjithash, nga mendja dhe shpirti njerëzor. Kufizimi i këtyre nëpërmjet shërimit bën të mundur edhe zhvillimin dhe përparimin në fusha të tjera.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button