Home / Kryeartikull / Ja pse duhet shkarkuar drejtori

Ja pse duhet shkarkuar drejtori

EDI RAMA

Dje në dëgjesën e Beratit, kjo zonjë 80 vjeçare, siç mund ta shikoni e dëgjoni edhe vetë, ngriti problemin torturues të mosmarrjes së legalizimit prej 5 vjetësh, pasi kishte paguar edhe detyrimet në vitin 2012.

Drejtori i Aluiznit Berat, ishte i pranishëm në dëgjesë siç mund ta shikoni e dëgjoni po ashtu dhe tha ato që tha.

Sot, qysh në mëngjes njoftoi se legalizimi i shtëpisë së zonjës u krye. Tani lind pyetja: Po sikur dje zonja të mos e kishte pasur mundësinë ta ndante me mua hallin e saj, edhe sa vjet të tjera do të priste që drejtori të merrte masa ndaj torturuesve të saj dhe t’i dorëzonte lejen e legalizimit?!

Nuk e di, po nuk është çudi që më parë të ikte nga kjo botë se sa të merrte lejen.

Atëherë, ky drejtor që e zgjidhi problemin e saj brenda natës me kaq zell, duke dhënë provën se prej pesë vjetësh zonja ishte një viktimë e pafajshme e parazitëve (në rastin më të mirë) dhe grabitqarëve (në rastin më të keq), si mund të rrijë më në detyrë qoftë edhe një ditë pas kësaj prove turpëruese për shtetin?! Jo nuk mund të rrijë natyrisht, as ai dhe askush tjetër që ka lidhje me dosjen e hallit pesëvjeçar të zonjës!

Drejtori mund të mos jetë personalisht pjesëtar i grupit që ka torturuar 5 vjet rresht të moshuarën, por fakti që në zyrën që ai drejton një grup i tillë ekziston e bën qamete të tilla, mjafton për të kuptuar se vetëm drejtor ai s’mund të jetë. Kjo është fare e qartë.

Por pyetja tjetër që pason menjëherë është: Sa të tjerë, që nuk e kanë “fatin” e zonjës të më qajnë mua hallin në sy, jetojnë sot me halle të tilla të turpshme për zyrat e këtij shteti?!

Kushedi sa janë, qindra, mijëra, dhjetëra mijëra… A zgjidhen dot këto halle, ja kështu, si u zgjidh halli i kësaj zonje dhe a ndalohen dot parazitët e grabitqarët që paguhen me taksat tona, të bëjnë përditë viktima të pafajshme në çdo komunitet të Shqipërisë?!

PO, jam i bindur që PO! Zgjidhen dhe që ç’ke me atë punë nëse do ta ndërtojmë së bashku koalicionin e madh të qeverisë së re me njerëzit e zakonshëm, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes, e cila do të jetë online sapo të miratohet qeveria e re.

Sa më shumë anëtarë dhe anëtare të regjistrohen në Aleancën për Shqipërinë që Duam, aq më e madhe do të jetë rrjeta njerëzore që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve dhe me shërbimet e kthyera artificialisht në halle për njerëzit e zakonshëm.

Fitorja e thelle e Rames dhe pritshmerite

View Results

Loading ... Loading ...

Leave a Reply

%d bloggers like this: