Ekonomia

BB vlerëson me risk të lartë zbatimin e kredisë 150 mln USD për ringritjen e energjisë

Nga kredia e Bankës Botërore 150 milionë dollarë për ringritjen e sistemit energjetik, e cila është bërë efektive qysh në janar të vitit 2015, në vitin e tretë të zbatimit të saj janë disbursuar vetëm 13.7 milionë dollarë.

Sipas të dhënave zyrtare nga projekti, Banka Botërore ka vlerësuar si rreziqe mjaft të larta për zbatimin e saj kapacitetet teknike për aplikimin e projektit të kredisë. Banka i vlerësoi komponentët teknikë të zbatimit të projektit, ato të mbikëqyrjes dhe angazhimin e palëve të interesit me risk të lartë.

Në vlerësimin e projektit, më herët gjatë qershorit të këtij viti, zbatimi i projektit u vlerësua me rrezik të lartë, duke marrë në konsideratë punën e më shumë se tre viteve për zbatimin e tij.

Në dokumentin e vlerësimit, Banka pohon se, një paketë prej 46 milionë eurosh është në proces prokurimi për investimet në rrjet. Ndërsa shuma e mbetur prej 50 milionë eurosh pritet të prokurohet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017. Nënprojektet kryesore janë nënstacione dhe investime në sistemin e matjes për balancën e energjisë elektrike.

Banka thotë se performanca e sektorit të energjisë është përmirësuar ndjeshëm nga rritja e arkëtimeve në mbi 92% dhe borxhet ndërmjet kompanive janë fashitur, teksa OSHEE ka investuar nga fondet e veta më 2015-2016 rreth 80 milionë euro.

Banka pohon se pozita financiare e kompanive është përmirësuar, por kërkon që të bëhet më shumë punë për të siguruar që këto arritje të jenë te qëndrueshme në afat të gjatë dhe të përfshijnë ndër të tjera përditësimin e kuadrit rregullator ekzistues dhe metodologjinë e tarifave.

Por që nga muaji qershor, kur banka bëri vlerësimin, sektori energjetik dhe kompanitë të përfshira në projekt po përjetojnë një situatë emergjencë që ka krijuar mungesa e reshjeve. Harxhimet për importet e verës deri në fund të shtatorit kërkojnë së paku 70 milionë euro, shumë kjo përveçse angazhon të gjithë fitimin e kompanive, shkurton planet e tyre të investime dhe rrezikon t’i çojë ato në akumulimin e detyrimeve të reja nëse thatësira do të zgjasë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button