Ekonomia

Rivalet e vjetra aziatike, Japonia dhe Kina “garë” në Tiranë

Dy ditë më parë Japonia inauguroi ambasadën e saj në Tiranë.

Kësaj ngjarjeje iu kushtua rëndësia maksimale nga Tokio, pasi për këtë ceremoni kishte ardhur ministri i Shtetit për Çështjet e Jashtme, i cili është dhe vëllai i kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.

Por kjo lëvizje e Japonisë vjen në një kohë kur Kina ka shtuar ndjeshëm praninë e saj në rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht në Shqipëri.

Pikërisht ky fuqizim i Kinës mësohet të ketë qenë dhe në qendër të të gjitha takimeve që ministri Noboi Kishi ka zhvilluar në Tiranë.

Japonia kërkon që të jetë sa më prezente në Ballkan për të sfiduar rivalen e saj të vjetër.

Shqipëria në këtë mes është e treta që përfiton, pasi të dyja shtetet, për të treguar forcën e tyre kanë në plan të kryejnë një sërë investimesh në Shqipëri e në Ballkan.

Por në kohën kur Japonia hap ambasadën e saj në Tiranë, Kina e zgjeron atë.

Referuar marrëveshjes së lidhur mes dy qeverive që në vitin e largët 1960, dy shtetet kanë rënë dakord që t’i ofrojnë ambasadat respektive referuar reciprocitetit.

Deri më sot Kina ka ambasadën e saj në bllokun e ambasadave në kryeqytet, ndërsa Shqipëria një ndër godinat më të mëdha në Pekin.

Por pas kërkesave të shumta të palës kineze për të respektuar reciprocitetin, marrëveshja është rishikuar në qershor të vitit 2016, kur Shqipërisë iu dha në përdorim dhe për 70 vite të tjera godina në Pekin, ndërsa Kina ka përfituar një sipërfaqe prej gati 9.000 metrash katrorë në ish-ofiçinën e automjeteve të Tiranës, në afërsi të ish-parkut, e cila po ashtu i është dhënë për përdorim për 70 vjet.

Të gjitha ndërtesat në këtë zonë janë duke u rrafshuar, në mënyrë që trualli t’i dorëzohet Ambasadës Kineze, e cila do të ndërtojë vetë godinën e selisë së re të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button