Kryeartikull

Gara e vështirë e Lulzim Bashës

Sami Neza

Lulzim Basha po zhvillon betejën e tij më të vështirë, pasi ka humbur një betejë dhe i duhet të konfirmohet  sërish në krye të partisë. Është një sforcim i madh që kërkon shumë oksigjen për të përballuar komoditetin e kundërshtarëve të tij, të cilët janë në një rresht të gjatë edhe për shkak të Bashës që nuk i ndau aspak përmes listës së kandidatëve të sigurt për deputetë, qoftë ata që la jashtë, e qoftë ata që nuk i përfshiu.

Ai nuk ka pranë bashkëpunëtorët e tij të opozitës, të cilët me sa duket i ndëshkoi disa për ekuilibër dhe disa për shkak të performancës së tyre të dobët, ndërkohë që ka nxjerrë në dritë kundërshtarët e vet me zë dhe pa zë, të cilët po ashtu i ndëshkoi. Anëtarët e rinj të grupit parlamentar të PD-së nuk ndjehen dhe as nuk kuptohet se pse ata nuk ndjehen në këtë fushatë. Natyrisht që do të ishin të fundit kundër Bashës, por veçimi i tyre nga debati më i ashpër në parti do të thotë se ajo listë ka të gjitha problemet e partisë për të cilat diskutohet.

Duke qëndruar jashtë debatit nuk qëndrojnë mbi palët por nën to, në mos një pjesë e tyre nuk e kupton fare këtë debat që zhvillon partia që rrëzoi komunizmin në Shqipëri. Momenti më i vështirë për Lulzim Bashën është të bindë me arsyet për konfirmim në krye të partisë. Rezultati në zgjedhje është më i keq se në 2013, çfarë nuk inkurajon për të përsëritur kryetarin që drejtoi opozitën në këto 4 vite. Duket qartë se drejtuesit dhe deputetët e PD-së ishin të ndarë në lidershipin e Bashës që para zgjedhjeve. Edhe më herët se kaq.Sorry, there are no polls available at the moment.

Pjesa e pushtetit, duke përfituar nga dorëheqja e Berishës në 2013, ia doli të mos ndëshkohej nga strukturat e partisë. Duke mos qenë shumë legjitime për të dalë në publik kundër Qeverisë së Ramës nuk bëri opozitë, por ndërkohë mbajti frerët e strukturave të partisë në shumë qytete, duke sjellë një humbje të thellë për PD-në në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet e 2015 sipas skenarit shqiptar do të shënonin edhe zgjedhjet e 2017. Kushdo që vëzhgon politikën shqiptare me vëmendje këto 25 vitet e fundit, e ka fare të qartë një bilanc të tillë.

Pushteti kishte pothuajse të gjitha bashkitë e centralizuara. Basha nuk mundi të ndalë sadopak rritjen e pushtetit në ato zgjedhje. E majta u rrit dhe u konsolidua për fitoren e 25 qershorit pikërisht në zgjedhjet lokale që dëshmuan se PD-ja e pareformuar do të shënonte sërish humbje të tjera në zgjedhje. Qeveria e majtë nuk ishte më e keqe në sytë e publikut se sa ajo e katër viteve të fundit të qeverisjes së PD-së. Suksesi në makro që kishin qeverisjet e Berishës ishin dëmtuar rëndë nga korrupsioni, interesi personal dhe izolimi në qelizat e pushtetit. Dhe për të përballuar një qeverisje që nuk është më e keqe se ajo e PD-së, duhet një opozitë shumë e mirë.

Basha nuk ia doli dhe ky nuk është vetëm problem i Bashës. Kreu i PD-së e konstatoi këtë problem vetëm me listat për deputet, duke lënë jashtë ata që prodhuan kontekstin e humbjes së PD-së. Kjo nuk e shkarkon Bashën nga përgjegjë- sia e humbjes. Nëse lista e re do të ndëshkonte kontekstin dhe të zhvillonte frymën për një opozitë të qartë pas humbjes së mundshme, gara e Bashës do të ishte me më pak hije. Lista e re është e mbushur me defekte të reja.

Ndërkaq ata që janë kundër Bashës, lëvizja për bashkimin e PD-së, me gjithë zërat e veçantë, idetë dhe sulmet shpesh të mençura që Patozi, Mustafaj, Topalli, Alizoti e ndonjë tjetër nis ndaj Bashës nuk i konfirmon ata në atë vend që mund të prodhojë një kryetar të ri të PD-së. Bile këta të fundit, qartësisht, nuk aspirojnë këtë gjë. Në sfond aspirojnë stacione të ndryshme, disa konfirmimin e tyre, disa arritje më të përgjithshme. Megjithatë, ata po kërkojnë në fakt një kryetar të ri të partisë, i cili nuk është Basha dhe jo një zëvendësues të Berishës, lideri historik i kësaj partie që në përfytyrimet e tyre është pikërisht Basha.

Por, ndërsa po kërkojnë kryetar tjetër, nuk tregojnë se cili mund të ishte ky. Emrat në fushën kundërshtare të Bashës dobësohen shumë për shkak se nuk përfaqë- sohen në garë, nuk kanë demonstruar kapacitet për kryetar të ri, edhe pse në fakt kanë kapacitete për të ndërtuar një grup politik që mbahet rreth disa interesave. Ata i kërkojnë indirekt sot Bashës të distancohet nga Berisha, ndërkohë që vetë nuk distancohen dot nga njëri-tjetri, qoftë për të njëjtat arsye që e presin këtë prej Bashës. Ndërsa Eduard Selami, konkurrenti i Bashës në këtë garë, po përpiqet të krijojë frymë në kompensim të mbështetjes nga struktura apo rryma në PD.

Selami është befasues në deklarata dhe ide, qarkullon mirë në organizatat e PD-së, edhe pse ka një histori të ndërlikuar me këtë parti. Ai është një nga të ndëshkuarit nga lista, por i vetmi prej të ndëshkuarve që foli kundër Bashës shumë kohë më parë. Identifikoi disa defekte të kryetarit të PD-së, të cilat nëse do të ishin marrë më seriozisht prej tij, mund ta kishin ndihmuar më shumë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare. Selami është konsideruar nga bojkotuesit si konkurrent kukull. Është një përcaktim i gabuar.

Në të gjitha rastet, përfshirë edhe atë si kukull, është kukull e rrezikshme në këtë garë më tepër se bojkotuesit vetë. Kjo e mban Bashën sërish në garë. Ata që janë rrotull tij, përballë tij dhe në prita nuk kanë më shumë se luftën kundër Bashës. Por vetëm lufta ndaj tij nuk është e mjaftueshme për ta ndalë atë të rikthehet në krye të PD-së, edhe nëse kjo luftë është perfekte. Megjithatë nëse fiton, Basha pas këtyre zgjedhjeve do të jetë tjetër nga Basha i vitit 2013.

Debati mes rrymave të ndryshme në PD, lufta ndaj tij dhe me të gjitha bateritë i ka hequr oksidin partisë. Gjithnjë e më tepër të gjithë po thonë çfarë ndiejnë për njëritjetrin dhe hapësira është zgjeruar aq shumë sa PD-ja po kthehet në një parti me demokraci ku rojtarët e saj janë shtuar, por edhe lojtarët po ashtu. Ata që janë përfshirë në betejën e brendshme në PD nuk e kanë kuptuar se janë duke zhvilluar në fakt një skenar ku kryetari do të jetë i pamjaftueshëm në ditët që vijnë, por ne që e ndjekim nga jashtë e shohim. Disa aksione shkojnë si reaksione kimike, nuk ndalen pa e kapur pikën e ekuilibrit ku shfaqet edhe substanca e re.

Disa aksione të tjera ngjajnë me reaksione kimike që dështojnë që në krye për shkak se faktorët që ndikojnë nuk janë ata që duhen si: temperatura, ena ku zhvillohet, ndonjë katalizator, por edhe inhibitor, apo ku substancat janë të tilla sa nuk futen në reaksion kimik. Rasti i zgjedhjeve në PD ka të bëjë me të parin. Dhe ky është një ndriçim që po shfaqet, që nuk varet nga çelësi që mban në xhep kryetari i partisë, por tjetra po ndodh, kryetari nuk ka nevojë për çelës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button