Rajoni

Tërmet në Egje, dy të vdekur dhe dëme të mëdha

Dy të vdekur dhe dhjetra të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë është bilanci i një lëkundjeje sizmike 6.4 e shkallës Rihter të shënuar në hapësirën detare midis ishullit Kos dhe Rodosit në Dodekanez.

Sipas Insitutit Gjeodinamik të Athinës, lëkundja sizmike ka ndodhur në orën 01:31 minuta sipas orës lokale. Valët e lëkundjes janë ndjerë në të gjithë Egjeun.
Epiqendra është shënuar 40 kilometra në det dhe thellësia e lëkundjes ndodhet në 8 kilometra.

Dy viktimat, një shtetas turk dhe një suedez ndodheshin jashtë një lokali të zonës, kur tavani i të cilit u rrëzua duke i lënë të vdekur në vend.

Deri tani në spitalin e ishullit janë dërguar më shumë se 120 vetë, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

Çdo moment që kalon, autoritetet thonë se numri i të plagosurve që dërgohen në spital rritet, ndërsa në zonë po dërgohen me shpejtësi mjete të ndihmës së shpejtë.

Me urdhër të Kryeministrit grek, gjatë natës në ishull shkuan edhe ministrat e Transportit, ai i Mbrojtjes së Qytetarit dhe ministri i Marinës Detare.

Problemet më të mëdha janë evidentuar në pjesën historike të qytetit, ku janë shembur disa banesa, si dhe në portin e Kosit, i cili është dëmtuar rëndë dhe për momentin është jashtë funksionit pasi në të nuk mund të ankorohen anije.

Dëmtime të lehta ka pësuar edhe aeroporti, por për momentin ai është funksional.

Në ishullin e Kosit jetojnë dhe punojnë edhe shumë emigrantë shqiptarë, por deri më tani nuk ka informacione nëse ndonjë prej tyre ka mbetur i lënduar nga tërmeti.

Ambasada shqiptare në Athinë ka nisur komunikimet me Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarit, por edhe me bashkëatdhetarët tanë që jetojnë në ishull për të mësuar më shumë lidhur me situatën atje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button