Politika

Plas në Shkodër. Kryebashkiakja Ademi: Kam denoncuar lojtarët në Prokurori për trukime

Plas në Shkodër, kryebashkiakja Voltana Ademi revoltohet me drejtuesit e Vllaznisë dhe trajnerin Armando Cungu. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një takim mes drejtuesve më të lartë të klubit, ku ka qenë e pranishme kryebashkiakja Ademi, kryetari i këshillit të qarkut, Xhemal Bushati, si dhe anëtarët e këshillit të komisionit të sporteve, të kryesuar nga Vioresin Sinani.

Gjithashtu, ishte edhe administratori i Vllaznisë, Gjyrezi, drejtori sportiv Zeka dhe trajneri Cungu. Në këtë mbledhje urgjente, Ademi ua ka bërë të qartë drejtuesve, teksa “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht fjalimin e kryebashkiakes.

AKUZAT

“Unë nuk do të kursej asnjërin prej jush, nëse nuk arrini të gjeni lojtarë cilësorë për Vllazninë. Janë hapur fjalë se unë kam dashur të hedh Vllazninë, por kjo nuk ka se si të ndodhë. Unë dua prej jush të gjeni lojtarët që na duhen për një ekip dinjitoz. Nuk dua justifikime, por dua ta bëni ekip.

Kam çuar në Prokurori emrat e lojtarëve që kanë marrë pjesë në shitjet e ndeshjeve. Ta zgjidhin ata këtë çështje. Nuk jap emra kush janë lojtarët, por ju do t’i mësoni të gjithë kur të thirren”, – ka thënë Ademi, ndërsa më pas, ka marrë fjalën trajneri Cungu.

vllaznia ademi

“Unë për vete nuk luaj më me ndjenjat e familjes sime. Nëse nuk bëhet ekip edhe unë do të iki, se nuk dua të lë turpin mbrapa. Pranë ekipit kërkohet që të vijnë lojtarë të tjerë. Skuadra është e paplotësuar dhe me një gjendje të tillë nuk është e habitshme që edhe unë të shikoj pozicionin tim.

Tani është problem që të marrim lojtarë, të cilët i kemi pasur në planet tona. Lojtarët e Superiores po merren nga skuadrat e tjera. Unë nuk kam ndër mend që të marr lojtarë me ‘YouTube’. Kërkoj futbollistë që të kenë cilësi. Të bëjmë pak afrime, por të jenë cilësore”, – mësohet të ketë thënë trajneri.

FINANCAT

Ndërsa Gjyrezi ka bërë me dije se lojtarët aktualë kanë kërkuar rritje pagash, duke lënë të kuptohet se një prej tyre është edhe Shtubina, që nuk del prej ditësh në stërvitje. “Lojtarët aktualë po kërkojnë rritje pagash. Po ashtu po shikojmë edhe për lojtarë, por e kemi të vështirë. Kemi oferta nga menaxherë të ndryshëm, por deri tani asgjë konkrete. Duhet të bëjmë zgjedhjet e duhura që të mos gabojmë”,- ishin fjalët e Gjyrezit.

Pas fjalëve të Cungut dhe Gjyrezit nuk ka munguar reagimi i kryebashkiakes Ademi. “Për sa u përket gjetjes së lekëve, të mos diskutohet më. Financat nuk do të mungojnë për të bërë ekipin. Por nuk dua të hidhen lekët kot dhe të mos kemi ekip. Po dëgjoj fjalë lart e poshtë për ekipin, bëhet dhe s’bëhet.

vllaznia ademi

Është detyra jonë ta bëjmë. Por nga ju kërkoj përgjegjësi totale dhe mirëmenaxhim të këtyre lekëve. Po ashtu, kërkoj edhe një objektiv të qartë se ku do të shkojmë. Shkojmë prej këtu deri këtu. Dua gjëra konkrete. Dua të mbani përgjegjësi për këtë ekip. Ne nuk do të ngurrojmë në gjetjen e financave”, ishin fjalët e Ademit, e cila ka qenë shumë e qartë.

SINANI

Në të njëjtën linjë me kryebashkiaken ka qenë edhe ish-goleadori e kapiteni i mirënjohur shkodran, Vioresin Sinani, aktualisht kryetari i komisionit të sporteve në Bashkinë e Shkodrës. “Unë mbështes kërkesën që paskan bërë lojtarët e ekipit për rritjen e pagave të tyre, por jam edhe me atë që tha kryebashkiakja Ademi, se duhet përgjegjshmëri dhe një llogaridhënie se çfarë do të bëhet me lekët që do të hidhen. Ato nuk duhet që të hidhen kot”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button