Home / Opinion / Viti i trazirave i Turqisë

Viti i trazirave i Turqisë

 Ka kaluar një vit që nga dështimi i grushtit të shtetit në Turqi dhe ka ende pyetje me bollëk, rreth të ardhmes së vendit.

Përpjekja e grushtit të shtetit të vitit të kaluar ishte tejet dramatike. Avionë F-16 të rebelëve bombarduan parlamentin turk dhe 249 njerëz humbën jetën. Por puçistët nuk arritën të arrestonin Presidentin Rexhep Tajip Erdogan, i cili më pas mobilizoi mbështetësit e tij dhe vulosi fatin e grushtit të shtetit. Nëse grushti nuk do të ishte penguar brenda 48 orëve të para, Turqia ndoshta do të ishte zhytur në një luftë civile, të dhunshme e shkatërrimtare, pasojat e të cilës do të ishin shtrirë shumë përtej kufijve të saj.

Sot është e vështirë të gjendet dikush në Turqi, i cili dyshon se grushti u nxit nga forcat besnike ndaj klerikut misterioz mysliman me banim të Pensilvani, Fethullah Gylen. Të gjitha provat në dispozicion duket se mbështesin këtë përfundim. Kur Erdogani dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) erdhën në pushtet në mënyrë demokratike në 2002, ata bashkuan forcat me Gylenistët për të çmontuar establishmentin e vjetër autoritar të Turqisë dhe për të forcuar demokracinë turke, në një përpjekje për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Por Gylenistët kishin ambicie më të thella – dhe një traditë sekrete të lindur në një epokë diktature ushtarake, kur shumë aktivitete fetare në Turqi u detyruan të zhvillohen në fshehje. Pas vitit 2002, u bë i njohur infiltrimi i Gylenistëve në polici dhe gjyqësor, dhe ata përdorën pozicionin e tyre për të organizuar gjyqe false dhe burgosur kundërshtarët e tyre. Më pak e njohur ishte shkalla në të cilën, ata kishin infiltruar gjithashtu në Forcat Ajrore dhe Xhandarmërinë.

Në vitin 2013, rrugët e AKP dhe Gylenistëve u ndanë. Pas kësaj, filloi një luftë civile e heshtur. Duke pasur parasysh ato mosmarrëveshje të vazhdueshme, nuk është e paarsyeshme të konkludohet se grushti i dështuar i vitit të kaluar ishte një përpjekje dramatike nga ana e Gylenistëve, për të marrë pushtetin, para se të mund të spastroheshin nga ushtria.

Shteti turk, i cili që në krye të herës, nuk duhej të ishte infiltruar në mënyrë kaq të thellë nga elementë armiqësorë, padyshim duhet të pastrohet. Por nëse demokracia e Turqisë duhet që të ketë një të ardhme, procesi i eleminimit të rreziqeve të brendshme duhet t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, si dhe të ketë mbështetje të gjerë brenda shoqërisë turke.

Për fat të keq, disa elemente të reagimit të Erdoğanit ndaj përpjekjes për grusht shteti të vitit të kaluar, ngrejnë shqetësime serioze. Nga 100,000 njerëz që janë ndaluar, më shumë se 50,000 janë arrestuar zyrtarisht. Këto përfshijnë së paku 169 gjeneralë dhe admiralë, 7,000 kolonelë dhe oficerë më të ulët, 8,800 policë, 24 guvernatorë provincialë, 2,400 anëtarë të gjyqësorit dhe 31,000 të dyshuar të tjerë.

Në të njëjtën kohë, njerëz të panumërt janë larguar nga puna, pa asnjë perspektivë për të ardhmen. Një numër i madh mediash të pavarura janë mbyllur, dhe vetëm në javët e fundit, avokatë të shquar të të drejtave të njeriut – përfshirë drejtorin e Amnesty International në Turqi – janë arrestuar për mbështetje të “terrorizmit”, një akuzë që është e vështirë të besohet.

Pas grushtit të dështuar të shtetit, shoqëria turke u bashkua përreth Erdoganit. Por veprimet e qeverisë që atëherë, e kanë polarizuar gjithnjë e më shumë vendin. Në përpjekjet e saj për të eleminuar rreziqet mbi sigurinë, qeveria turke e ka lëshuar edhe më gjerë rrjetën e saj. Dhe në prill, ajo bëri ndryshime kushtetuese, në një referendum që u kundërshtua fort nga pothuajse gjysma e vendit, duke përfshirë shumicën e votuesve të rinj urbanë. Kur ndryshimet të hyjnë në fuqi, sistemi politik i Turqisë do të transformohet në një, në të cilin presidenti ka pushtet shumë të përqendruar.

Kjo është një shkëputje nga dekada e parë e qeverisjes së AKP-së, kur Turqia modernizoi ekonominë e saj, zhvilloi institucionet demokratike dhe bëri lëvizje për t’iu dhënë qytetarëve të vet kurdë, të drejta të plota civile. Përparimi impresionues i Turqisë gjatë kësaj periudhe forcoi shanset e saj për pranimin në BE.

Por tani, e ardhmja është më e paqartë. Nëse qeveria turke nuk fillon të respektojë të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit deri në fillim të vitit të ardhshëm, ajo që mbetet nga oferta për pranimin në BE, mund të bëhet e pashpëtueshme. Shanset e anëtarësimit të Turqisë e morën tashmë një goditje, nga dështimi i bisedimeve të paqes dhe ribashkimit me Qipron – një dështim për të cilin nuk mund të fajësohet vetëm Turqia. Dhe kaq shumë abuzim me retorikën ka patur në BE, saqë Turqia është bërë politikisht toksike, në shumë shtete kryesore të BE-së, sidomos në Gjermani.

Pa spirancën politike që ofron procesi i pranimit në BE, procesi i modernizimit të Turqisë mund të shkojë në të kundërt. Dhe në qoftë se kjo ndodh, vendi mund të zvarritet drejt “baltovinës” së Lindjes së Mesme. Turqia tashmë po përpiqet të strehojë miliona refugjatë nga konflikti në Siri, ku forcat turke janë edhe vetë pjesëmarrëse. Turqia është edhe shënjestër e vazhdueshme e sulmeve terroriste nga Shteti Islamik. Për më tepër, Erdogani tani ka vendosur ta fusë Turqinë, në sherrnajën diplomatike që po ndodh, midis Katarit dhe shteteve të tjera të Gjirit.

E ardhmja e Turqisë është me rëndësi të madhe. Turqia shtrihet mes Evropës dhe Lindjes së Mesme. Së shpejti do të ketë një popullsi prej 100 milionë banorësh dhe ka potencial të rëndësishëm ekonomik. Historia e Evropës nuk mund të shkruhet pa Turqinë, ashtu sikurse e ardhmja e Turqisë nuk mund të jetë larg nga Evropa. Nëse ajo futet në një rrugë të besueshme drejt anëtarësimit në BE, Turqia mund të ndihmojë në kapërcimin e ndarjeve kulturore dhe zakonore, që mund të kërcënojnë të gjithë Evropën.

Por luftërat e brendshme politike në Turqi, po e rrezikojnë tani këtë të ardhme. Periudha pas grushtit të shtetit mund të kish qenë shëruese. Fatkeqësisht, ka qenë edhe më përçarëse. Ende nuk është tepër vonë për të marrë një tjetër rrugë – por koha po mbaron.

Leave a Reply

Your email address will not be published.