Film

Ezio Greggio – Së shpejti një projekt kinematografik në Shqipëri

ezio-greggio-04_1-e1410855093700-320x257Vitet nuk kanë ndryshuar për Ezio Greggion. Një prej personazheve më të njohur të ekranit italian, përmes emisionit “Striscia la Notizia”, Greggion beson ende në fuqinë e humorit. Pas çdo të qeshure që vjen përmes situatave në ekran, publiku reflekton thellë mbi një problematikë të caktuar. Satira ka ndonjëherë një forcë më të madhe se politika, dhe shpesh e mund atë. Për Greggion ajo zhvillohet bashkë me vëndin, dhe ndonjëherë demokracia në një vend shihet dhe nga humori që bën. Greggio këto ditë ndodhet në Tiranë, dhe dje ishte i ftuar në emisionin “Fiks Fare”, një emision që sipas tij është tepër i guximshëm. Në një intervistë më poshtë për “Shqip”, Ezion tregon joshjen e tij ndaj Shqipërisë, dhe projektet për të ardhmen që e lidhin me këtë vend…

Greggio, e dini që jeni shumë i famshëm në Shqipëri dhe se njerëzit ju ndjekin në emisionin “Striscia la Notizia”?

Jam i lumtur për një fakt të tillë. Ka kohë që e kam kuptuar një gjë të tillë. Prej vitesh që kur kam nisur të bëj këtë profesion, marr shumë e-maile nga Shqipëria. Kohët e fundit kontaktohem edhe me Tëiter apo rrjete të tjera sociale. Kam shumë kontakt me fansat shqiptarë. Marr shumë letra prej tyre. Kjo është prova se “Striscia”, filmat e mi, serialet televizive që kam bërë, kanë qenë gjithmonë të ndjekur në Shqipëri ndaj jam i lumtur që kam kaq shumë miq në një vend kaq të bukur.

Tashmë jeni në Shqipëri, po e vizitoni?

Kam ardhur pasi ka shumë kohë që më ftojnë të vij në Shqipëri. Tani le të themi se kisha ndonjë arsye më shumë për të parë Tiranën, këtë vend, pasi gjithnjë kam qenë kurioz ta shihja. Ndaj jam këtu për pak ditë, por po e shëtis pak dhe po kuptoj më shumë. Shqipëria është shumë më interesante sesa mund ta mendojmë nga jashtë.

Po mendoni edhe mundësinë e një bashkëpunimi?

Sigurisht që po. Shumë shpejt do të realizoj një film. Jam duke punuar mbi planet, vendet që do të përfshijë në të, dhe jam duke udhëtuar në shtete të ndryshme. Do më pëlqente të realizoja një pjesë të këtij produksioni edhe në Shqipëri.

“Striscia” vazhdon të jetë një produksion i ndjekur në Shqipëri, por këtu sidomos ka bërë bujë edicioni i quajtur asokohe “Striscia la Berisha”…

Po, ishte një mënyrë argëtuese për të bërë humor.

Me përjashtim të Berishës, njihni ndonjë tjetër nga politika shqiptare?

Të them të drejtën njoh shumë pak, nuk është se kam një njohuri të thellë për politikën këtu. Ajo që njoh është “Fiks Fare”, pasi kemi bërë edhe një lidhje të drejtpërdrejtë pak kohë më parë, ndërsa edhe gjatë kësaj vizite isha në studion e tyre, për një  pjesëmarrje të veçantë në atë emision. Kemi bërë një lidhje me “Fiks Fare” edhe nga emisioni ynë. E di që është shumë i ndjekur dhe kjo është diçka që më kënaq shumë. E di që edhe ata janë shumë agresivë.

Gjithsesi, Berishën e vërtetë e dini se kush është…

Po, po, e di kush është, por nuk kam pasur asnjëherë mundësinë që ta takoja. Unë nuk takoj asnjëherë as politikanët në Itali, jo më ata që nuk janë italianë.

Megjithatë, te “Striscia” ekziston satira e lidhur me politikën…

Ne bëjmë satirë, pavarësisht atij që gjendet në pushtet. Ngjarjet e ditës janë ato që diktojnë çdo seri, ndaj nëse është Berluskoni Kryeministër, flasim për të, nëse është Renzi, flasim për Renzin. Kush është, është… ky është rregulli ynë.

Si arrini të mbani një qëndrim të paanshëm ndaj pushtetit, me satirën drejtuar të gjithë politikës?

Në 360 gradë. Po të mos ishte kështu, nuk do të ishte më satirë. Duhet të jetë kështu, nuk duhet të ketë favorizimin ndaj askujt. Ne urrehemi si në “shtëpi”, ashtu edhe jashtë saj.

Meqë po flisni në gjuhën e futbollit dhe jeni një tifoz i zjarrtë, e dini se ne tashmë kemi një trajner italian në drejtim të kombëtares tonë?

Po, sigurisht.. Unë mendoj se tradita futbollistike e Shqipërisë është e madhe. Kemi pasur lojtarë shqiptarë që kanë luajtur në Itali, tashmë ka trajnerë që vijnë të drejtojnë këtu, ndaj ekziston një shkëmbim i mirë, pasi futbolli është një gjuhë ndërkombëtare. Kur hyhet në fushë, luhet pa menduar nga je.

Ju si aktor apo producent, keni bërë humor për një kohë të gjatë. Sa ka ndryshuar humori gjatë këtyre viteve?

Satira duhet të evoluojë në bazë të asaj që po ndodh dhe vendit ku po e bën. Është logjike se sa më shumë ngjarje të ndodhin, aq më shumë mundësi ke, sa më pak të ndodhin, aq më e vogël është edhe mundësia për të bërë satirë. Le të themi se nuk ekziston asnjë vend në botë që nuk ka nevojë për të bërë pak satirë aty, është e nevojshme kudo, duke filluar nga Vatikani e në vijim. Duhet të kesh forcën të sinjalizosh dhe të tregosh. Pastaj ne nuk është se bëjmë vetëm satirë, japim edhe informacion, bëjmë edhe hetime, ndaj mendoj se kemi hyrë në histori edhe për çështje ku falë buzëqeshjeve kemi trajtuar edhe tema shumë delikate.

Gjatë karrierës tuaj keni provuar edhe rolin e një shkrimtari…

Disa vite më parë, kam bërë disa libra që më kanë shërbyer për të ndihmuar spitalet pediatrike. Kemi bërë shpesh iniciativa për të ndihmuar spitale të tilla, kemi ndihmuar 70 në 20 vite dhe inkubatorët e mi kanë ndihmuar për të shpëtuar më shumë se 11 mijë fëmijë në Itali. Ndaj duhet të them se mes aktiviteteve të mia, sukseseve të mia, ky është ai më i rëndësishmi. Në çdo krahinë të Italisë ku shkoj, kam shumë fëmijë, shumë “nipër”, që ia kanë dalë mbanë falë aparateve që kemi siguruar ne.

Në fund, çfarë duhet të presim në të ardhmen nga ju z. Greggio?

Ndoshta një aktivitet kinematografik këtu në Shqipëri, ndonjë ide tjetër që po projektojmë dhe që mund ta sjellim këtu në të ardhmen, duke synuar që të krijojmë një bashkëpunim edhe më të bukur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button