Kosova

Kryeministri Mustafa: Kosova e përkushtuar në zbatimin e prioriteteve zhvillimore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori sot pjesë në Forumin e Diskutimit për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, organizuar nga zyra e UNDP-së në Kosovë.

Kryeministri Mustafa foli për 17 objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të aprovuara në vitin 2015 në OKB, që shërbejnë si pikënisje nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga qeveritë kombëtare për të nxitur prosperitetin edhe për 15 vitet e ardhshme.

Kryeministri përmendi përpjekjet e Kosovës për të integruar dhe për të zbatuar këto objektiva në politikat e saj.
“Edhe ne si Kosovë me 80 vende të tjera, jemi përfshirë në formësimin e objektivave të përbashkëta botërore për 10 deri në 5 vitet e ardhshme dhe është kjo hera parë që Kosova ka hyrë në këtë proces të rëndësishëm me përmasa globale, duke mbështetur dhe duke dizajnuar këto objektiva deri në vitin 2030.
Ne këtë e konsiderojmë si një axhendë dhe mundësi të rëndësishme për zhvillim të vendit tonë. Ne besojmë që përpjekjet për të arritur këtë agjendë ambicioze jo vetëm që do ta sjellin dhe mund ta sjellin Kosovën më afër Bashkimit Evropian, por gjithashtu është një mundësi shumë e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për zhvillim të qëndrueshëm social, mjedisor të Kosovës në vitet e ardhshme”, tha kryeministri, duke përmendur hapat e rëndësishëm për të integruar këtë agjendë dhe këto objektiva në sistemin e brendshëm të parashikimit ose planifikimit dhe të zbatimit.

Sipas kryeministrit Mustafa, të gjitha këto janë reflektuar në disa dokumente strategjike, përfshirë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik të periudhës 2016-2021, Programin për Reforma Ekonomike dhe Agjendën Evropiane të Reformave.

Kryeministri ka bërë të ditur se zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, po bëhet përmes strategjive sektoriale, duke përmendur edhe sistemin e monitorimit që është vendosur, e që fokusohet në tregues të rezultatit.

“Unë jam i bindur se e gjithë kjo do të rezultojë pozitivisht dhe ne do të përafrohemi me objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat nuk janë objektiva vetëm tonat apo të regjionit që ne i përkasim, por janë objektiva globale në të cilat ne synojmë t’i realizojmë. Unë dëshiroj që të theksoj sot këtu para jush se Kosova është e përkushtuar dhe do të jetë e përkushtuar të bëjë zbatimin e prioriteteve zhvillimore, të adresojë të gjitha sfidat e përbashkëta globale me të cilat ne do të ballafaqohemi në të ardhmen, dhe të jemi pjesë e agjendës së përbashkët zhvillimore.
Gjithashtu, përmes kësaj ne synojmë të ndërlidhemi ose të ndërlidhen prioritetet tona me këto objektiva, në mënyrë që në formë të drejtpërdrejt të bëhemi pjesë e përpjekjeve globale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, tha kryeministri.

Koordinatori për zhvillim i Kombeve të Bashkuara, njëherësh përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell, tha se objektivat prekin një numër të çështjeve që janë të rëndësishme për Kosovën, përfshirë punësimin, qasjen në kujdesin shëndetësor, krijimin e një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë dhe rëndësinë e objektivit të krijimit të barazisë së vërtetë gjinore dhe përfshirjes së grave.

Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, po ashtu përmendi rëndësinë e takimeve të tilla koordinuese, që sipas tij, përveç që japin një perspektivë ndryshe, janë të rëndësishme për të parë se çfarë është duke u bërë mirë, çfarë duhet të punohet më shumë, dhe se si mund të bashkëpunojnë agjencitë dhe Qeveria me njëra-tjetrën.

Shefi i sektorit të Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, ka theksuar se treguesit e vendosur për Zhvillim të Qëndrueshëm janë shumë të rëndësishëm në matjen e asaj që Zyra e BE-së po bën në Kosovë. Si shembull, ai përmendi punën që po bëhet në rritjen e cilësisë së ajrit, por edhe vëmendjen që po i kushtohet edukimit.

“Edukimi është çështje e rëndësishme, dhe duam të punojmë me qeverinë e ardhshme në dy projektet e ardhshme, IPA17; IPA 18 dhe me gjasa edhe në IPA 19, pasi që edukimi do të jetë njëri nga komponentët kryesore të bashkëpunimit tonë, për të mbështetur zhvillimin ekonomik”, tha ai

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button