Kryeartikull

Rastet e korrupsionit, ndëshkime minimale për shkeljet e prokurorëve

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pavarësisht akuzave për shkelje të ligjit në kryerjen e hetimeve, vetëm dy prokurorë u shkarkuan dhe 14 të tjerë morën masa disiplinore përgjatë tre viteve të fundit. Materiali në vijim është produkt i bashkëpunimit mes Zërit të Amerikës dhe rrjetit investigativ BIRN:

Flamur Vezaj, BIRN

Në shkurt 2017, kryeprokurori Adriatik Llalla bëri një lëvizje të fortë publike dhe urdhëroi nisjen e hetimeve ndaj dy zyrtarëve të lartë të Prokurorisë. Shkak u bë lehtësimi i beftë i akuzave për një të dënuar me burgim të përjetshëm nga ana e prokurorit Artur Selmani, i cili mbronte çështjet e akuzës përballë Gjykatës së Lartë.

Episodi lidhej me masakrën me tre viktima të prillit 2015 në lagjen dikur famëkeqe të Çoles në Vlorë, për të cilën Aleksandër Llanaj ishte shpallur fajtori kryesor nga gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit. Përballë Gjykatës së Lartë, prokurori Selmani kërkoi përmbysjen e akuzës dhe dënimin e tij me 4 vjet burg.

Ndonëse Gjykata e Lartë injoroi kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë, pretenca e Selmanit ngriti pikëpyetje të forta mbi seriozitetin e mbrojtjes së interesit publik nga organi i akuzës. Në një deklaratë për mediat mbi ngjarjen, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se dyshimet përfshinin edhe shefen e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça.

“Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me drejtoren e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça,” thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Kryeprokurori Llalla urdhëroi pezullimin e dy vartësve të tij nga detyra dhe nisjen e hetimeve për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Por vetëm katër muaj më vonë, kreu i akuzës vendosi në heshtje rikthimin në detyrë për të dy prokurorët e akuzuar.

I pyetur nga BIRN për statusin aktual të prokurorëve Selmani dhe Muça, këshilltari për mediat i kryeprokurorit, Albi Serani i tha BIRN se dy prokurorët ishin rikthyer në detyrë. Ai konfirmoi gjithashtu se hetimi ndaj tyre vazhdon për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Serani shpjegoi se dy prokurorët ishin pezulluar në aplikim të nenit 152 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…”, dispozitë e cila u shfuqizua në mars 2017 nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së bërë ndaj ligjit nga dy shoqatat e prokurorëve.

“Për këtë arsye, pezullimi ndaj dy prokurorëve humbi fuqinë dhe ata u rikthyen në detyrën e prokurorit,” shtoi Serani.

Rasti i mësipërm reflekton një praktikë më të gjerë në Prokurorinë e Përgjithshme, ku pavarësisht premtimeve të përsëritura për tolerancë zero ndaj prokurorëve që dyshohen për shkelje të ligjit, rezultatet përgjatë 5 viteve të mandatit të Llallës kanë qenë minimale.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se çdo vit, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë inspektojnë me qindra vendime prokurorësh dhe evidentojnë një seri shkeljesh-veçanërisht në pushimin e hetimeve ose mosfillimin e procedimeve penale.

Inspektimet e të dy institucioneve kanë evidentuar në vazhdimësi shkelje në mënyrën se si prokurorët zbatojnë Kodin e Procedurës Penale, ndërkohë që raportet vjetore të Prokurorit të Përgjithshëm tregojnë gjithashtu se vendimarrja e prokurorëve më të ulët është ndryshuar në dhjetra raste.

Megjithatë, ndëshkimi në radhët e prokurorëve ka qenë i pakët.

BIRN i drejtoi Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë për të drejtë informimi, përmes së cilët kërkonte numrin e masave disiplinore të marra ndaj prokurorëve përgjatë viteve 2014-2017 dhe arsyet e tyre.

Në përgjigje të kësaj kërkese, Prokuroria e Përgjitshme tha se kishte marrë 16 masa disiplinore gjithsej, mes të cilave edhe dy raste shkarkimesh. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi gjithashtu se 14 masat më të buta disiplinore rezultojnë [në përputhje me ligjin për Prokurorinë] aktualisht të fshira nga dosjet e prokurorëve përgjegjës.

“Në kohën kur janë marrë masat disiplinore, legjislacioni në fuqi parashikonte se masat disiplinore fshihen nga dosja kur kanë kaluar afatet e parashikuara në ligj. Rezulton se për të gjitha masat disiplinore 2014-2016 kanë kaluar afatet e parashikuara në ligj,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme.

Rastet e korrupsionit

Progres-raporti i Komisionit Europian e rendit korrupsionin në nivelet e larta të administratës si një ndër sfidat kryesore me të cilën Shqipëria përballet në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ndërkohë, sistemi i drejtësisë gëzon shkallën më të ulët të besimit mes qytetarëve shqiptarë.

Përgjatë viteve të fundit, shigjetat janë drejtuar kryesisht ndaj sistemit gjyqësor në vend, por një studim i Institutit për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, IDRA mbi pandëshkueshmërinë, i publikuar në janar 2017 evidentoi rënie të besimit të qytetarëve edhe te Prokuroria e Përgjithshme.

Prej dhjetorit 2012 kur u ngjit në krye të institucionit të akuzës, Llalla paralajmëroi disa herë spastrimin nga sistemi të prokurorëve të korruptuar dhe premtoi se kriteri i vetëm i karrierës do të jetë zbatimi i ligjit. Në muajt e fundit të mandatit të tij, rastet e prokurorëve të hetuar apo ndëshkuar numërohen me gishtat e njërës dorë.

Prokuroria e Përgjithshme i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se dy nga 16 masat disiplinore të dhëna në 3 vjet ishin “shkarkim nga detyra”.

Shkarkimet lidhen me prokurorin e Pukës, Pëllumb Prençi në vitin 2014 dhe atë të Krujës, Haxhi Giu në vitin 2015, të dy të arrestuar dhe të dënuar për korrupsion. Një prokuror i tretë, Petrit Vukaj, i cili kryente detyrën në Prokurorinë e Fierit u arrestua gjithashtu për korrupsion në vitin 2015. Vukaj u gjet fajtor nga gjykata e shkallës së parë, por më pas fitoi pafajësinë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Dy prokurorë të tjerë, Bardhok Lleshi dhe Petref Asllani u kallëzuan nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI për veprat penale që lidhen me fshehjen e pasurisë.

Kallëzimi i ILDKPKI nuk u shoqërua me procedim penal për Lleshin, ndërkohë që prokurori i Elbasanit, Petref Asllani u përball me masën e sigurisë” pezullim nga detyra” ndërkohë që ishte në gjykim.

Asllani, i akuzuar për një skemë përfitimi kredie të butë së bashku me gjyqtarin Qani Hasa u shpall i pafajshëm në maj 2016, por çështja vazhdon të jetë në proces në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë, masa e pezullimit nga detyra, e shuar me vendim të gjykatës së shkallës së parë në tetor 2015 u shqyrtua gjithashtu në Gjykatë të Lartë, ku përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme rezulton të ketë mbështetur pushimin e gjykimit.

Inspektimet, shkelje pa ndëshkim

Përveç rasteve të hetuara të korrupsionit, ligji organik i Prokurorisë së Përgjithshme dhe ai për “Organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë” parashikonin një sërë mekanizmash për inspektimin e vendimarrjes së prokurorëve dhe masave ndëshkuese përmes procedimeve disiplinore.

Të dy këto ligje pësuan ndryshime rrënjësore në kuadër të reformës në drejtësi-e cila synon të pastrojë sistemin nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar përmes një procesi të thellë vetingu. Aktualisht, sistemi i procedimeve disiplinore rregullohet nga ligji “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i cili ia ngarkon këtë detyrë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Për kohën që ishte në fuqi, legjislacioni i vjetër ka prodhuar inspektime që ofrojnë të dhëna për shkelje të Kodit të Procedurës Penale nga një numër i madh prokurorësh. Por gjetjet nuk kanë gjetur përgjigje dhe adresim nga drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Në mars 2016, Ministria e Drejtësisë publikoi raportin vjetor të inspektimit për 16 prokurori të shkallës së parë përgjatë viteve 2014-2015, përmes së cilave evidentohen një numër i konsiderueshëm prokurorësh të cilët kanë marrë vendime në shkelje të ligjit. Raporti i dorëzuar në Kuvend nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani përfshin kontrollin mbi 1995 procedime; 654 të mbyllura me vendim pushimi dhe 1340 kallëzime të pafilluara nga ana e prokurorëve.

“Janë kontrolluar 32 prokurorë, nga të cilët janë konstatuar me shkelje 24 prej tyre. Në tre raste, Ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 12 prokurorë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar në shkelje të detyrës” thuhet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.

Raporti rendit 4 shkeljet më të shpeshta, të kryera nga prokurorët; shkelja e detyrimit për veprime të rregullta të vijueshmërisë hetimore, shkelje e detyrimit ligjor për fillimin e ndjekjes penale dhe shkeljen e detyrimit për respektimin e afateve hetimore.

Raporti evidenton gjithashtu raste të mosrespektimit të parimeve të drejtësisë dhe të ligjshmërisë nga ana e prokurorëve, në marrëdhënie me subjektet e tjera të procedimit penal.

Në vitin 2014, kritika të ngjashme i bënte Prokurorisë edhe ish-ministri tjetër i Drejtësisë, Nasip Naço por raporti i Inspektimit në atë kohë u prit me revoltë nga kryeprokurori Llalla.

Me raportin e dorëzuar në Kuvend në vitin 2014, Ministria e Drejtësisë theksonte se “Prokuroria është passive në hetime, ka raste kur prokurorët nuk apelojnë vendime në Gjykatë të Lartë-edhe për rastet kur janë liruar persona me rrezikshmëri të lartë”.

Ministri Naço propozoi asokohe nisjen e procedimeve penale për dy prokurorë, por kreu i akuzës e cilësoi raportin e inspektimit në tejkalim të kompetencave të Ministrisë.

“Grupi i inspektimit ka kontrolluar procedime penale për të cilat nga organi i prokurorisë është vendosur dërgimi i tyre në gjykatë, duke kontrolluar kërkesat e prokurorëve në gjykim në lidhje me masën e dënimit si dhe mosushtrimin e ankimeve për vendimet e gjykatës…,” ankohej Llalla në një shkresë për Komisionin e Ligjeve.

“Gjithashtu i qëndrojmë reagimit që kemi bërë në këtë rast, se politika penale e dënimit bëhet nëpërmjet gjykatave të cilat kanë kompetencë për dhënien e një vendimi gjyqësor penal dhe jo nga Prokuroria,” shtoi ai.

Vetë Prokurori i Përgjithshëm, në raportet vjetore për Kuvendin pranon një pjesë të problematikës së evidentuar edhe nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë.

Për vitet 2014-2016, Prokuroria e Përgjithshme raporton se ka kontrolluar mijëra praktika të vartësve dhe ka marrë me dhjetra vendime shfuqizimi.

Shfuqizimet lidhen kryesisht me vendimet e pushimit ose të mosfillimit të procedimeve penale, duke i rikthyer sërish për hetime të mëtejshme.

Vendimet e shfuqizimit nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme janë shoqëruar me masa disiplinore ndaj prokurorëve në tetë raste në vitin 2014, pesë raste në vitin 2015 dhe 3 raste në vitin 2016.

Masat disiplinore, të tilla si “vërejtje me paralajmërim për shkarkim”, “vërejtje” apo “ulje në detyrë” fshihen nga dosjet personale të prokurorëve brenda një periudhe nga 3 muaj deri në 1 vit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button