Amerika

SHBA, miratohen ndëshkimet kundër Moskës, kufi kompetencave të z. Trump për sanksionet

Sanksionet e reja që ndëshkojnë Rusinë për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, bënë një hap me rëndësi të martën: Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj që zgjeron kontrollin e Kongresit mbi sanksionet dhe nuk lejon Presidentin Donald Trump t’i zbutë ato.

Pas më shumë se një muaj bisedimesh mes dy partive dhe vonesave procedurale, Dhoma e Përfaqësuesve përfshiu në projektligj masa të reja që i japin asaj të drejtën për mbikqyrjen e sanksioneve. Një version më i hershëm i projektligjit u miratua me shumicë dërrmuese nga Senati në qershor me rezultatin 97 vota pro dhe 2 kundër.

Legjislacioni i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve me 419 vota pro dhe 3 kundër, përfshin edhe sanksione kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, përveç atyre që ndëshkojnë Rusinë për një sërë aktivitetesh.

“Këto tre regjime në pjesë të ndryshme të botës po kërcënojnë interesat jetike të SH.B.A. dhe po destabilizojnë fqinjët”, tha të martën kongresmeni republikan i Kalifornisë, Ed Royce.

Miratimi i Kongresit

Zoti Royce tha se projektligji garanton lënien në fuqi të sanksioneve të ashpra ekonomike dhe diplomatike, duke i dhënë fuqi Kongresit për të mos miratuar lehtësimin e sanksioneve.

“Nëse presidenti Trump dëshiron të luajë golf apo të bëjë diçka me shokun e tij, zotin Putin, ai nuk duhet të llogarisë mbështetjen e Kongresit, sepse ne do ta ndëshkojmë z. Putin”, tha zv.kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel.

Masa për të kufizuar kompetencat e Presidentit lidhur me sanksionet ndaj Rusisë

Marrëveshja dypartiake për për të kufizuar kompetencat e Presidentit lidhur me sanksionet vjen në klimën e hetimeve të Kongresit rreth lidhjeve të dyshuara mes ekipit të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

“Ky është një kufi i rëndësishëm që i vihet Presidentit Trump, sepse asnjë president nuk dëshiron të humbasë aftësinë për të hequr sanksionet”, tha për Zërin e Amerikës William Pomeranz, zëvendës drejtor i Institutit Kennan pranë Qendrës Wilson. “Është diçka shumë e rrallë në fakt që Kongresi po e afirmon këtë të drejtë, pra për të kontrolluar vetë ligjin mbi sanksionet. Por qartazi, ai e bëri në këtë rast, edhe pse kjo mund të ketë një seri pasojash politike”.

Përgjigja e Shtëpisë së Bardhë

Administrata e Presidentit Trump tani po i mbështet sanksionet edhe pse nuk ishte dakord me ndryshimet.

Në javët përpara votimit, Shtëpia e Bardhë i kundërshtoi përpjekjet për të kufizuar aftësinë e ekzekutivit për zbutjen e sanksioneve. Arësyeja e dhënë prej saj ishte se kjo do të kufizonte përpjekjet amerikane për të ndikuar te sjellja e Rusisë dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me zotin Putin.

Nëse miratohet përfundimisht, ligji do t’i jepte Kongresit një procedurë të shpejtë për të shfuqizuar çdo hap që mund të ndërmarrë presidenti për t’u dhënë fund sanksioneve.

“Presidenti i mbështet shumë sanksionet ndaj atyre vendeve dhe dëshiron që këto sanksione të mbeten në fuqi, por në të njëjtën kohë dëshiron që ne të mund të arrijmë marrëveshje të favorshme. Këto dy gjëra janë shumë të rëndësishme për presidentin,” tha zëvendës sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders për gazetarët.

Nëse zoti Trump i vë veton projektligjit, ai me siguri do të përballej me kundërshtime në Kongres, i cili ka vota të mjaftueshme për ta kapërcyer veton. Gjithashtu, kjo do t’i bënte të pamundura sanksionet kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, të cilat administrata e tij i mbështet.

Ndryshimet në versionet e Dhomës dhe të Senatit do të duhet të harmonizohen përpara se të dërgohen në tryezën e presidentit për t’u nënshkruar në ligj.

Kongresmeni Engel i tha Zërit të Amerikës se shpreson që Senati të mund t’i zgjidhë këto çështje përpara se ligjvënësit e Dhomës të largohen për pushimet e gushtit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button