IntervistaOpinion

“Rrudhja e demokracisë”

Interviste me Prof. Servet Pëllumbi

Profesor, duke u nisur nga natyra filozofike dhe aktuale e këtij libri, kam mendimin se do të ishte me interes për lexuesit përgjigja e disa pyetjeve, të cilat më lindën gjatë procesit të redaktimit. Kështu që le të ndalemi në disa prej tyre: Së pari, vetë titulli i librit, “Fundi” i filozofisë politike’”, më kujton Fundin e historisë (The End of History and the Last Man) të filozofit të njohur amerikan Francis Fukuyama, që ju e kini kritikuar në një nga librat tuaja të mëparshëm. A mund të themi me këtë rast se ka vend për ndonjë paralelizëm apo tërheqje nga kritika?

– Pyetja më duket shumë intriguese, por dhe si përgjigje e nevojshme për lexuesit. Titulli i librit tim“Fundi” i filozofisë politike, nuk është as konstatim i ndonjë “kulmi” zhvillimi dhe as ekzaltim i ndonjë gjendjeje, ideje a filozofie si ai i Fukuyamës me demokracinë perëndimore, por analizë historike dhe aktuale e “fundit real” të filozofisë politike në dy trajtat e saj kryesore, të liberalizmit dhe socializmit. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për “asgjësim”, por për “fund” të filozofisë politike në kuptimin dialektik. Ndërkaq, zhvillimi dhe gjetja e rrugëve të reja për të ardhmen e njerëzimit, mbeten horizonte të hapura! Po kështu dhe filozofia, si fushë e rëndësishme e dijeve, në vetvete nuk njeh ndonjë fund, apo shterje të mundësive të veta botëkuptimore dhe metodologjike.

            – Përgjigje e qartë dhe e dobishme. Pra,nuk bëhet fjalë për “fund” të  filozofisë në përgjithësi, por vetëm të filozofisë politike (liberale dhe socialiste). Atëherë çfarë drejtimi filozofik do të ketë më tepër “peshë” në të ardhmen?

– Filozofia edhe sot, ashtu si në zanafillën e vet, mbetet dashuri për dijen dhe duhet thënë se nuk ka formë tjetër më të mirë nga filozofia për formimin dhe zhvillimin e mendimit njerëzor. Madje, roli i saj në epokën e sotme është rritur aq shumë, sa që shpesh thuhet se vetë epoka është bërë më filozofike. Nisur nga një qasje e tillë, në librin “Fundi” i filozofisë politike unë mbroj tezën se sot dhe aq më tepër në të ardhmen, në plan të parë dalin nivele të tilla të filozofisë, si: Filozofia e moralit,  Filozofia e aktualitetit dhe Filozofia e dijes dhe informacionit mbi të cilat pritet të marrin jetë rendet post-politike, si Shoqëria e mirë apo Etikokracia (sundimi i etikës, moralit) dheInfokracia (shoqëria e informacionit). Kjo është arsyeja pse në libër këtyre niveleve filozofike, jo dhe aq të njohura, u rezervohet më shumë vend. Thënë ndryshe edhe në filozofi çdo “fund” është edhe “fillim” apo aktualizim e diçkaje tjetër të re.

      Por, a ka ndonjë ndikim negativ të ndjeshëm mbi nivelin dhe cilësinë e demokracisë në ditët e sotme, fakti që filozofia politike e liberalizmit ka arritur fundin dhe nuk gjeneron më ide të reja, kurse ato klasike, në thelb, janë shndërruar në dogma?

– Pa dyshim që ka ndikim negativ dhe kjo mund të dëshmohet me fakte konkrete. Dekadat e fundit, pas përfundimit të “Luftës së Ftohtë” dhe përmbysjes së komunizmit, demokracia ka rënë në nivele historike, madje sipas Larry Diamond, studiues i njohur i fushës së sociologjisë politike i Universitetit të Standfordit (Kaliforni), ka hyrë në fazën e një recesioni të lehtë, por të vazhdueshëm. Po ashtu, procesi i rrudhjes së demokracisë në vendet e zhvilluara perëndimore dhe i shkarjes në forma të ndryshme autoritarizmi i vendeve ish-socialiste, të emërtuara ndryshe si vende të “demokracisë së re”,  janë bërë faktor i një transformimi të rrezikshëm të politikës së sotme globale. Raporti i emërtuar Indeksi i Demokracisë për vitin 2016, që rreshton 167 vende të botës sipas një vlerësimi nga 1 deri në 10 të cilësive të proceseve politike, lirive civile, funksionimit të qeverive dhe pjesëmarrjes publike, arrin në përfundimin se vetëm 49.3 për qind e popullsisë së botës jetojnë në një prej formave të demokracisë; por vetëm 4.5 për qind e tyre jetojnë në një demokraci që mund të quhet demokraci e konsoliduar dhe funksionuese. Tjetër: Kriza financiare globale e nisur në shtatorin e vitit 2008, ka patur efekt të jashtëzakonshëm përkeqësues si në thellimin e varfërisë ideore, ashtu dhe në dobësimin e sistemeve politike dhe të institucioneve demokratike…

 – Argumentet që ju shtroni, janë vërtet bindëse në mbështetje të tezës mbi “Fundin” e filozofisë politike. E megjithatë, përsëri më duket sikur mbetet diçka e pa sqaruar plotësisht. Në libër, nga njëra anë  flitet për fundin e filozofisë politike, nga ana tjetër për rritjen e rolit të filozofisë, madje për nevojën e një revolucioni të ri filozofik si ai që i dha fund filozofisë skolastike të mesjetës në shekujt XVII-XVIII-të… Diçka më plotësuese edhe në këtë drejtim?

– E drejtë. Ndaj po i referohem një fushe dhe një dukurie specifike që flet më qartë për nevojën e një revolucioni të ri filozofik. Në mijëvjeçarin e tretë, d.m.th. në epokën në të ciën jetojmë, janë duke u zhvilluar fusha të reja të dijeve shkencore, shoqëruar nga një terminologji shkencore gjithnjë e më e specializuar; aq sa flitet për një “Babilloni shkencore”, si për të thënë se përfaqësuesit e shkencës flasin “gjuhë të ndryshme” dhe e kanë gjithnjë e më të vështirë të kuptojnë njëri-tjetrin. Në këtë rast, ndihmesa e filozofisë për zgjidhjen e situatave të tilla bëhet prioritare. Për ta argumentuar më tej këtë po i referohem edhe një veçorie tjetër të shkencës së sotme: Bota po përjeton shkrirjen e madhe të shkencave, proces që kërkon gjetjen e pikave të përbashkëta të takimit të shkencave, të “natyroreve” me ato “humanitare” që bashkërisht të ecin përpara. Një hap i tillë, pozitiv në thelbin e vet, përmban njëherësh dhe rrezikun e futjes së shkencave në krizë konceptesh, idesh e metodologjish, që përsëri e bëjnë të domosdoshme “ndërhyrjen” e filozofisë. Madje, që tani është hedhur ideja e formimit të një logjike të re, të një intelektologjie, ose të një “shkence të shkencave”, për të unifikuar jo vetëm gjuhët e mundshme shkencore dhe teknologjitënano-bio-informacioniste e kognitive, por dhe problemet e reja që lindin në pikat e takimit të shkencave të ndryshme natyrore dhe shoqërore.

Atëherë përse konservatorizmin nuk e trajtoni si filozofi, por vetëm si ideologji? 

– Po, konservatorizmin e trajtoj thjesht si ideologji, pra si shprehje iluzore e interesave të klasave dhe lidershipeve sunduese ekzistuese, sepse për zgjidhjen e problemeve të vështira të realitetit të sotëm të krijuara nga globalizimi dhe neoliberalizmi, hedh vështrimin prapa tek idetë dhe vlerat e së kaluarës. Madje, në ditët e sotme, konservatorizmi është bërë tregues i gjallërimit të radikalizmit të forcave të djathta e të majta. Të ndodhura realisht para pasojave negative të neoliberalizmit dhe globalizimit, këto forca shpresojnë se kapërcimi i tyre gjendet tek institutet e së kaluarës, tek tradicionalizmi, nacionalizmi, proteksionizmi  dhe deri te ideja e rivendosjes së monarkisë, e cilësuar si “ideja më e madhe e njerëzimit”! Veçse, nuk është e vështirë të kuptohet se kështu “ilaçi” rezulton të jetë edhe më i dëmshëm nga vetë “sëmundja”.

Kjo është arsyeja pse neokonservatorizmin e trajtoj si shprehje domethënëse të thellimit të krizës ideore dhe politike në epokën e sotme. Po përmend vetëm dy raste tipike: 1. Mari Le Pen, kandidate favorite për Presidente e Francës që ndër 7 kandidatët kaloi në balotazh më 23 prill, moto të fushatës zgjedhore kishte nxjerrjen e Francës nga BE, dëbimin e emigrantëve dhe mbrojtjen e një ekonomie të dominuar nga shteti. 2. Presidenti i porsa zgjedhur i Serbisë A.Vuçiç, në intervistën dhënë Politiko-s, për zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara me të cilat ndeshet Ballkani propozon “rikrijimin e një Jugosllavie të Titos me ish republikat e saj të dikurshme, plus Shqipërinë, për të krijuar një treg të madh biznesi ekonomik e tregtar i cili do të ndihmonte në afrimin e popujve, bashkëpunimin e tyre, si dhe shtendosjen e marrëdhënieve me vendet fqinjë”! Çdo koment do të ishte i tepërt…

– Një nga linjat kryesore të librit “Fundi” i filozofisë politike, ka të bëjë me ndryshimet e zgjedhësve, për të të cilët, siç thoni ju që në hyrje të librit, humbasin kuptimin dhe vlerën e mëparshme ndarjet e majtë e djathtë dhe se ata nxiten më shumë për të përqafuar forma të ndryshme të populizmit. A mund t’u jepni lexuesve pak më tepër informacion për këtë temë me interes teorik dhe praktik ?

– Po. Një nga veçoritë e sotme të zhvillimit ka të bëjë drejtpërdrejtë me populizmin radikal që mori përhapje sidomos në Itali, Francë, SHBA etj., disa vjet pas krizës globale të viteve 2008-2009. Ky lloj populizmi, realisht është produkt i stadit aktual të zhvillimit të shoqërisë  postindustriale që prezantohet si mbi klasor, me shumë bashkësi dhe identitete që formohen e ndryshojnë në vartësi të situatave. E tillë është rrënja e populizmit sot. Gjithsesi, nuk është një tipar pozitiv i zhvillimit, por një ndër dobësitë e sistemit që mund të çojë në radikalizime të skajshme dhe futjen e civilizimit në rrugë të paqëndrueshme dhe të pasigurta. Në këtë rast, e “reja” është se janë vetë elitat ato që radikalizojnë politikat, inkurajojnë faktorët stresues që çojnë në drejt destabilizimit të mekanizmave shoqërorë (Thomas Homer-Dixon). Pritet që kjo prirje objektive të thellohet më tej, sepse kriza e zgjatur godet mundësitë ekonomike të klasës së mesme, kërcënon me reduktim të drejtësisë sociale sidomos grupmoshat nga 20-24 dhe 25-29 vjeç, niveli i të ardhurave të të cilëve sipas specialistëve,15 vjetët e fundit ka qenë në rënie të vazhdueshme. Dukuri të tilla kanë bërë që zgjedhësi edhe në vendet e zhvilluara të përfshihen nga sindromi i hallakatjes së vëmendjes. Në rrethana të tilla, elektorati populist ndihet i lodhur psikologjikisht, nuk i duron dot presionin dhe ndarjet ideologjike, sherret e retorikat e politikanëve. Atij nuk i interesojnë aq temat për të cilat zihen e bëjnë sherre politikanët midis tyre, por çështjet e interesit të përditshëm, të matshme me “shportën e konsumit”. Kultivimi i një ideologjie të tillë konsumiste është bërë tregues i qartë i patologjive sociale, i faktit që shoqëria e sotme po hyn në një spirale tepër të rrezikshme.

– Pyetja e fundit, profesor, po Alternativa e “djallit” që mbyll librin, çfarë përfaqëson dhe mos e bën disi pesimiste të ardhmen?

– E kam zgjedhur si metaforë për të dhënë një apel qytetar, për të nënvizuar se në rrethana të caktuara ndodh që edhe “drita e kulluar e shkencës duket sikur nuk mund të shkëlqejë veçse në sfondin e injorancës” , sikur Revolucioni i sotëm Teknologjik nuk paska fund tjetër veç përpos zëvendësimit të njerëzimit nga robotët. Kjo është një alternativë vetëshkatërruese që mund e duhet të kapërcehet me forca të bashkuara të njerëzimit, duke mbajtur parasysh: së pari, se rreziqet dhe sfidat e shekullit të XXI nuk mund të përballohen me mendësitë dhe as   metodat e shekullit XX-të; së dyti, se në politikën e sotme botërore duhet zbatuar jo logjika formale e Aristotelit me pole përjashtuese, por logjika  e Laibnicit e bazuar mbi madhësi variabile dhe “alfabetin e mendimit”. Kuptohet, çështje të tilla nuk mund të mos jenë të diskutueshme, pra, të hapura për debat dhe për elaborim të mëtejshëm. E tillë është fryma jo vetëm e kapitullit të fundit, por e krejt librit “Fundi” i filozofisë politike./Intervistoi Anxhelo Xhaçka

 


Ato që nuk thotë Servet Pëllumbi…

Prof. Servet Pëllumbi është tërhequr përfundimisht nga politika aktive dhe ka bërë një pakt me veten dhe të tjerët që të mos jetë i pranishëm si dikur në faqet e gazetave. Por kjo nuk do të thotë se ashtu i mënjanuar, ai ka rënë në limonti, duke bërë një jetë vanitoze. Përkundrazi. Ai e ndjek politikën në përditshmërinë e saj dhe duke qenë i distancuar, shikon më qartë dobësitë dhe përparimet e saj. Por, në mënyrë të veçantë, Prof. Serveti bën një jetë tejet aktive si politolog e filozof dhe është vazhdimisht në komunikim me lexuesit dhe dashamirët e tij. Ai, si asnjë politikan tjetër në vend, ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë libra për filozofinë dhe politikën, ku analizohen zhvillimet e vrullshme që kanë ndodhur, në bazë të të cilave janë me doemos zhvillimet shqiptare. Prandaj dhe librat e tij janë të një rëndësie të padyshimtë, sidomos për politikanët tanë.

Në këtë libër Profesor Servet Pëllumbi trajton çështje me rëndësi kapitale jo vetëm për Shqipërinë si: Ç’pamje do të ketë e ardhmja antiglobaliste e njerëzimit? Ç’faktorë do të determinojnë zhvillimin e saj? Ç’rreziqe dizintegruese mund ta kërcënojnë civilizimin në kushtet kur bota bëhet gjithnjë e më e padrejtë? Ç’këneta duhen tharë”, ç’modele civilizuese dhe humaniste duhen promovuar për të arritur në një koalicion e rend botëror të përmasave të atij që u arrit pas Luftës së Dytë Botërore? Ç’lëvizje të reja duhen mbështetur dhe në ç’drejtime duhet të ecin studimet e mëtejshme, pa u joshur nga apeli konservator për t’u kthyer prapa te nacionalizmi, te aristokracia dhe deri te drejtimi monarkik i shoqërisë? Ç’lëvizje duhen ndërmarrë përballë rrezikut global të shtruar nga ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon: Bota po shkon drejt fundit atomik?

 ***

Dje pata një takim me Profesorin, ku sebepi ishte një libër i ri i tij i sapodalë nga shtypi. Ngaqë e kam ndjekur në vijimësi botimtarinë e tij dhe e kam vlerësuar atë krijimtari si një pasuri të vyer, pata kënaqësinë të merrja ndër të parët një kopje me autograf. Libri mban titullin “Fundi i filozofisë politike” dhe të intrigon menjëherë. Jam i sigurt se do të lexohet me endje, duke ngjallur edhe debate. Këndvështrimi i Profesorit për fundin e kësaj filozofie politike në rrafsh global është tejet interesant.

E thashë që Profesori ka bërë një pakt që të mos flasë publikisht për zhvillimet aktuale politike. Por, duke pirë kafe me të është e pamundur të mos preken edhe temat e nxehta të politikës. Dhe ai ka një mendim shumë të qartë për to.

Për shembull, diskutuam dje për zgjedhjet e 25 qershorit. Tha Profesori: “Habitem kur pyesin disa pse fitoi Partia Socialiste aq thellë. Po kush mund të fitonte tjetër? Opozita dhe sidomos Partia Demokratike është në ditët më të errëta të saj. E përçarë. Pa ide. Pa program e pa vizion, aq sa të duket se misioni i saj ka mbaruar…”.

Për ta ngacmuar më tej bisedën e pyeta profesorin edhe për zgjedhjet në PD. A mund të ringrihet ajo pas rizgjedhjes së Bashës kryetar? Jo. Servet Pëllumbi ka mendimin se ajo parti po shkon drejt shpërbërjes, jo ringritjes. Nuk ka më asnjë shpresë, sipas tij. Dhe kjo është për të ardhur keq. Por të keqen ata duhet ta gjejnë te vetja dhe jo te kundërshtarët, thotë ai…

Më kujtohet se në marsin e largët 1995, kur Eduard Selami shkarkohej si kryetar i PD-së në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit vetëm pse deshi t’i jepte një frymëmarrje demokratike asaj partie që ishte shndërruar në të kundërtën e emrit që mbante, Sali Berisha, në atë kohë President i vendit, por edhe dominuesi me dorë të hekurt i partisë, i tha publikisht Eduard Selamit:

– Ti Eduard flet këtu me gjuhën e Servet Pëllumbit…

Në fakt, Eduardi fliste me gjuhën e arsyes, e cila ishte e papranueshme në atë parti në atë kohë. Të vjen keq që pasi kanë kaluar më shumë se dy dekada nga ajo kohë, në PD duket se jo vetëm gjuha e arsyes është e papranueshme, por arsyeja duket se ka humbur krejt. Kjo u duk fare qartazi pas humbjes fatale që PD pësoi në 25 qershor dhe në garën që u bë për kryetarin e ri të partisë, ku mbase jo fort rastëshit u përfshi edhe Eduard Selami.

Sidoqoftë, Prof. Servet Pëllumbi nuk është i lumturuar nga ky fakt. Sepse vendi ka nevojë për një opozitë serioze që të jetë pretendente për të ardhur në pushtet një ditë.

Në përfundim të bisedës së djeshme me Prof. Servetin, ramë dakord që të botojmë në ‘DITA’ intervistën që ai ka bërë me redaktorin e librit, gazetarin Anxhelo Xhaçka dhe që botohet si pasthënie në fund të librit./ Xhevdet Shehu

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button