Home / Qeveritare / Rama: Arsim profesional për një punë të sigurt

Rama: Arsim profesional për një punë të sigurt

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në inaugurimin e shkollës austriake “Hermann Gmeiner”, nga ku ka vlerësuar rëndësinë e arsimit profesional në Shqipëri si një nga rrugëzgjidhjet e fenomenit të përhapur të papunësisë.

Rama-Elbasan-608x350

“Nga ata që ndjekin arsimin profesional 62,4 %, janë punësuar, ndërsa ata që kanë ndjekur gjimnazin, janë punësuar 44%. Vetëm 15 % janë pa punë nga ata që kanë një diplomë profesionale”, tha Rama.

Kreu i qeverisë deklaroi se hendeku shumë i madh i papunësisë në vend që është krijuar përmes një sistemi ku një pjesë e madhe e popullit është e pajisur me diplomë e një tjetër pa akses në arsim, mund të mbushet me arsimin profesional.

“Ka dy rrugë për këtë. Një rrugë për ata që duan e mund të kenë talentin në arsimin e lartë, dhe një rrugë për ata që kanë dhunti e ëndrra të tjera për t’i realizuar përmes arsimit profesional. Duket si zanat i dorës së dytë por është rruga e një pune të sigurt në të ardhmen dhe njohjes e krijimit të kushteve dhe krijimit të sipërmarrjeve përmes njohjeve profesionale”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se shkollat profesionale kanë më tepër përparësi nëse fokusohen tek teknologjia, e cila sipas tij krijon kushte  që “ndërtojnë me largpamësi të ardhmen e cilitdo qytetar për të marrë njohjen e nevojshme për të zotëruar në fund një zanat”.

Rama foli për personat që i favorizon arsimi profesional në krahasim me ata që ndjekin gjimnazin, dhe tha se është më e lehtë për të gjetur një punë dhe për t’u përshtatur me tregun e punës përmes zotërimit të një diplome profesionale:

“Në fund të viteve të kësaj shkolle do shohin se shoqet e tyre në gjimnaz do jenë duke kërkuar punë, ndryshe nga këta që do t’i kërkojnë për punë. Njerëzit që marrin njohuri në këto shkolla e kanë pasur të lehtë të integrohen në tregun e punës. Shkolla që ne përgëzojmë është një shkollë që ofron diploma të vlefshme në Shqipëri dhe Austri”.

Kreu i qeverisë tha se shkollat profesionale të hapura, në disa raste janë ndërtuar mbi një model tërësisht të vjetër e të gabuar, që s’kanë asnjë lidhje me biznesin e tregun, ndaj shkollat e reja profesionale kanë një ndryshim të vlefshëm që lidhen me interesat e tregut.

Leave a Reply

%d bloggers like this: