Bota

Hetimet për Rusinë/ Prokurori i Përgjithshëm amerikan nën presion për të dhënë dorëheqjen

Shefi i zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara është në një pozitë të rrezikuar. I kritikuar ditët e fundit nga presidenti Donald Trump – i cili e emëroi atë si Prokuror të Përgjithshëm – Jeff Sessions e gjen veten nën presion për të dhënë dorëheqjen.

Jeff Sessions, si një senator republikan konservator me ndikim, ishte një mbështetës i hershëm dhe i fuqishëm i fushatës presidenciale të Donald Trumpit.

Por ditët e fundit Presidenti e ka sulmuar zotin Sessions për tërheqjen e tij nga hetimet për Rusinë, duke e quajtur atë “të dobët”.

“Është e qartë se Presidenti Trump po përpiqet ta detyrojë prokurorin e tij të përgjithshëm të largohet nga detyra”, thotë senatori Chuck Schumer.
Disa ligjvënës republikanë po flasin në mbështetje të kolegut të tyre. “Jeff ka qënë shumë besnik ndaj presidentit dhe mendoj se ai meriton të njëjtën besnikëri”, thotë senatori Orrin Hatch.

Sessions – ashtu si të gjithë të emëruarit e kabinetit – është një zyrtar që varet nga presidenti: “Është në dorën e Presidentit të vendosë për anëtarët e kabinetit dhe për çdo pasojë që vjen nga kjo.”

Presidenti Trump mohoi të martën se po e lë zotin Sessions në një situatë të vështirë, por nuk bëri ndonjë lëvizje për ta shpëtuar Prokurorin e Përgjithshëm:
“Jam shumë i zhgënjyer nga Prokurori i Përgjithshëm. Të shohim çfarë do të ndodhë. Koha do ta tregojë.”

Presidenti mund të paguajë një çmim të lartë politik mes konservatorëve duke braktisur një besnik si Sessions: “Shumë prej tyre mendojnë, për sa kohë do të mund të vazhdojnë të balancojnë marrëdhënien e tyre me presidentin dhe nevojën për të përmbushur politikat që duan të arrijnë duke patur parasysh se Shtëpia e Bardhë dhe të dyja dhomat e Kongresit kontrollohen nga republikanët.”

Duke formuluar presidencën e tij, Donald Trump, miratoi shumë politika të zotit Sessions si ato për imigracionin, duke i përdorur ato për të fituar mbështetjen e bazës së zhgënjyer konservatore, gjë që e ndihmoi zotin Sessions të merrte këtë post.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button