Home / Opinion / Sistemi proporcional, individët sfidojnë partitë?!

Sistemi proporcional, individët sfidojnë partitë?!

Kastriot Islami

Tre individë kanë mundur të sigurojnë 4 mandate në vetëm 3 qarqe; ky mund të konsiderohet një sukses “i paparë” përmes një sistemi proporcional, që duket  shumë rixhid për partitë e reja politike. Kjo ka ndodhur me PDIU-në në Elbasan e Dibër dhe PSD-në në Shkodër .Ndërkohë, tri parti të reja, LIBRA, FRD e SFIDA, s’kanë mundur të fitojnë asnjë mandat, pavarësisht se së bashku kanë grumbulluar rreth 30 mijë vota në shkallë kombëtare.

Në Elbasan, në 2017-n, PDIU ka fituar për herë të parë 2 mandate, dhe në Dibër po ashtu për herë të parë 1 mandat. Në 2017-n, në Shkodër, PSD ka fituar për herë të parë 1 mandat. Rezultatet e këtyre dy forcave në këto qarqe janë impresionuese. PDIU ka dalë forcë e parë politike në Peqin, me 44,21 % të votave, ndërkohë që PS e PD së bashku kanë marrë 49,76 % të votave (përkatësisht PS ka marrë 26,56 % dhe PD ka marrë 23,20 % ). PDIU ka dalë forcë e tretë politike në të gjithë qarkun e Dibrës me 17,52 %; por ajo ka dalë forcë e parë politike në të gjithë rrethin e Dibrës, me 31,47 % të votave.

Në Shkodër, PSD ka dalë forcë e tretë politike; por ajo është forcë e parë me 44,85 për qind të votave në VigMnelë dhe në Pult, me 45,97 për qind të votave; forcë e dytë politike në Bushat me 20,45 për qind të votave, forcë e dytë politike me 26,26 për qind të votave në Gur të Zi. Nga analiza e shpejtë e këtyre rezultateve, vihet re “forca” e madhe e individit apo “forca e veprimit maxhoritar” brenda sistemit proporcional. Madje, nëse kjo dukuri do të vihej përballë veprimit “të dështuar” të forcave të reja politike, LIBRA, FRD e SFIDA, diferencimi do të ishte më i qartë; në kuptimin që “veprimi partiak proporcional” rezulton i pafuqishëm përballë “veprimit individual maxhoritar”.

Kjo asimetri apo fuqi e veprimit maxhoritar ka qenë evidente edhe në konkurrimin mes PS-së e PD-së, në 2009-n, 2013-n e 2017-n. Është ende e parakohshme që ky rezultat të cilësohet si “dështim” i sjelljes proporcionale, sjellje të cilën e kanë aplikuar kohët e fundit partitë të reja. “Sjellja maxhoritare” ka rezultuar e suksesshme jo vetëm këtë herë; por në zgjedhjet e 2009-s, 2013-s dhe 2017-s, kjo sjellje maxhoritare, më e maskuar apo thënë ndryshe, e reduktuar, është aplikuar në disa qarqe, veçanërisht të Veriut, nga ana e PS-së. Si përfundim mund të thuhet se në Shqipëri, më “i suksesshëm” rezulton roli i “veprimit maxhoritar” sesa ai i “rolit partiak”, pra i partokracisë, i cili natyrisht është i fuqishëm, por ende sekondar përballë sjelljes maxhoritare.

Ky “rol maxhoritar” rezulton shumë i fuqishëm te PS-ja, e cila mund të konsiderohet si iniciatore dhe frymëzuese e kësaj sjelljeje, ndërkohë që kjo qasje është ende shumë e dobët ose inekzistente te PD-ja. Një përfundim duket evident, kjo sjellje ka ndikuar në “suksesin” elektoral të modelit të Ramës në 2013-n e 2017-n, duke qenë një nga shkaqet e “dështimit” të PD-së, por mbi të gjitha një nga pengesat kryesore për lindjen e partive të reja. Sigurisht që një sistem elektoral maxhoritar apo i përzier, veçse do të legalizonte një dukuri të tillë ose, thënë ndryshe, do ta bënte këtë sjellje të individëve omniprezente në të gjithë vendin.

Mbetet të kryhet një analizë e thelluar e ndikimit të këtij roli në rezultatin e zgjedhjeve të 2013-s dhe 2017-s dhe e gjetjes së mënyrave për ta qasur atë (sepse ekzistojnë mënyra së paku për ta reduktuar këtë dukuri).

1. PDIU NË DIBËR, FORCË E PARË NË ISH-BASHKINË E PESHKOPISË E DISA ISH-KOMUNA…

Është hera e parë që nga 1991-shi që PDIU ka realizuar një rezultat të konsiderueshëm në qarkun e Dibrës, duke grumbulluar 12605 vota, ose 17,53 për qind dhe u renditur forca e tretë politike pas PS-së me 34,46 % dhe PD-së me 29,65 %. Surpriza është se PDIU ka grumbulluar në rrethin e Dibrës 9985 vota ose 31,47 %, duke u klasifikuar forca e parë politike dhe lënë pas PS-në me 29,53 për qind të votave dhe PD-në me 25,91 për qind të votave. Rezultat spektakolar PDIU-ja ka pasur në

i) Fushë Cidhen, 47,82 për qind (ndërkohë që PS ka marrë 9,45% dhe PD ka marrë 21,76%);

ii) Fushë Muhur, 78,46% (PS=6,12%, PD=9,10% dhe LSI=4,38%);

iii) në Kastriot është klasifikuar forcë e parë politike me 38,05 %;

iv) në Luzni është klasifikuar forcë e parë politike me 40,75%, duke marrë më shumë se PS-ja e PDja të marra së bashku;

v) akoma më impresionuese është fitorja në Peshkopi me 29,19 %, duke u klasifikuar forcë e parë politike;

vi) po ashtu në Selishte është forcë e parë me 39,63 për qind;

vii) në Sllovë forcë e parë me 31,28 për qind;

viii) në Tomin forcë e parë me 32,46 për qind;

ix) në Zall-Dardhë forcë e parë me 40,45 %;

x) në Zall-Rec forcë e parë me 40,27 për qind dhe

xi) në Arras forcë e parë me 42,95 për qind. Në qarkun e Dibrës, PDIU ka arritur sukses në ish-Bashkinë e Dibrës dhe në shumë ish-komuna përmes demonstrimit të një sjelljeje maxhoritare.

2. PDIU NË PEQIN, FORCË E PARË POLITIKE…

Në qarkun e Elbasanit, PDIU-ja ka fituar dy mandate, duke grumbulluar 29431 vota, ose 18,00 për qind të votave. Ajo është renditur forca e tretë politike në të gjithë qarkun, duke grumbulluar vetëm rreth 4400 vota më pak se PD-ja dhe rreth 6 mijë vota më shumë sesa LSI-ja. Impresionues është rezultati i PDIU-së në rrethin e Peqinit ku është klasifikuar forcë e parë politike, duke grumbulluar 5959 vota ose 44,21 për qind të votave, ndërkohë që PS ka grumbulluar 3580 vota dhe PD ka grumbulluar 3127 vota pra të dyja së bashku 6707 vota. Nëse analizohet rezultati i saj në “detaje”, rezulton se

i) në Gjocaj ajo është forcë e parë me 41,27 për qind të votave;

ii) forcë e parë në Karinë me 64,18 për qind të votave, pra më shumë se PS, PD e LSI të marra së bashku;

iii) forcë e parë në Pajovë me 44,90 për qind të votave;

iv)forcë e parë në Bashkinë e Peqinit me 45,52 për qind të votave;

iv) forcë e parë në Përparim me 34,61 për qind të votave dhe

v) forcë e parë në Shezë me 45,48 për qind të votave.

Por PDIU ka qenë e suksesshme edhe në rrethin e Elbasanit, pra jo vetëm në ish-komuna me numër të vogël votuesish; PDIU është klasifikuar forcë e tretë politike me 16197 vota apo 20,49 për qind, duke grumbulluar vetëm rreth 2 mijë vota më pak se PD-ja, që është forcë e dytë politike në rrethin e Elbasanit. Po ashtu, është historik rezultati i PDIU-së në qytetin e Elbasanit duke grumbulluar 10814 vota ose 22,87 %, apo rreth 1 mijë vota më pak se PD apo rreth 6 mijë vota më shumë sesa LSI-ja.

3. PSD, FORCË E TRETË POLITIKE NË QARKUN E SHKODRËS…

PSD ka fituar 1 mandat në qarkun e Shkodrës me 13226 vota, ose 12,02 për qind të votave dhe renditur forca e tretë politike në qark, duke lënë pas LSI-në që grumbulloi 12737 vota. Veprim “të fuqishëm” PSD ka pasur në Shkodër dhe Vaun e Dejës. Në rrethin e Shkodrës, PSD ka grumbulluar 7930 vota (rreth 60 për qind të të gjitha votave), kurse në Vaun e Dejës PSD ka grumbulluar 3596 vota ose 21,49 për qind të votave duke u renditur forca e tretë politike me rreth 300 vota më pak sesa PS-ja dhe me 2 mijë vota më shumë sesa LSI-ja.

Në Vigë-Mnelë, një ish-komunë e vogël, PSD ka arritur të renditet forcë e parë politike me 44,85 për qind të votave. Rezultat “pozitiv” PSD ka pasur edhe në Malësinë e Madhe, ku është renditur forcë e tretë politike me 7,15 për qind të votave dhe lënë pas LSI-në, që grumbulloi 6,75 për qind të votave.

4. FUQIA E “VEPRIMIT MAXHORITAR” NË SISTEMIN PROPORCIONAL…

Suksesi në Dibër, Elbasan dhe Shkodër u dedikohet tre individëve, natyrisht “të veshur” me etiketën e një partie. Të tre kanë mundur të sigurojnë katër mandate, aq sa kishte grumbulluar LSI-ja në 2009. Nëse u referohemi votave të grumbulluara, të tre së bashku kanë grumbulluar në Dibër, Elbasan dhe Shkodër gjithsej 55262 vota, ose 3,5 për qind të të gjitha votave në shkallë kombëtare.

PDIU në Dibër dhe Elbasan, përmes dy individëve, ka grumbulluar 42036 vota, ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë kjo forcë ka grumbulluar 76069 vota; këta dy individë, për më tepër kanë siguruar 3 mandate për PDIU-në, ndërkohë që rreth 34 mijë votat e tjera në të gjithë qarqet e tjera nuk kanë mundur të garantojnë asnjë mandat. Po ashtu, PSD në Shkodër ka grumbulluar 13226 vota nga 14993 vota që ka grumbulluar PSD-ja në të gjithë vendin, pra vetëm një individ ka grumbulluar rreth 88 për qind të votave. Këta shembuj tregojnë forcën “individuale” apo “maxhoritare” brenda një sistemi elektoral proporcional.

Është për të shënuar se kjo forcë “maxhoritare” është përkthyer në mandate, ndonëse nuk është aplikuar sistemi i “koalicionit të përbërë” që favorizon “partitë e vogla”. Në një peizazh tjetër politik, këta tre individë që kanë siguruar 4 mandate mund të kishin siguruar rolin e “king makerit”. Mbetet për t’u analizuar “suksesi” i këtyre rasteve përballë dështimit të tri forcave të reja politike, LIBRA që arriti të grumbullonte 19806 vota të shpërndara në të gjithë vendin, pa mundur të sigurojë 1 mandat; FRD me 5146 vota, po ashtu dhe SFIDA me 3546 vota.

Tre drejtuesit e LIBRA-s, FRD-së e SFIDA-s arritën të grumbullonin së bashku 28496 vota dhe asnjë mandat, kurse tre individë përfaqësues të PDIU-së e PSD-së arritën të grumbullonin së bashku 55262 vota dhe katër mandate; kjo kërkon një analizë për të shpjeguar “rixhiditetin” e sistemit për partitë e reja dhe mënyrën e “penetrimit” të tij nga “forca maxhoritare”.

Por kjo dukuri, e përhapur te PS-ja, e ka bërë konkurrimin mes palëve asimetrik; mbetet të kryhet një analizë e thelluar e kësaj sjelljeje për të përcaktuar qasjen e duhur në mënyrë që konkurrimi proporcional të jetë simetrik për të gjitha forcat politike, sepse asimetria për shkak të sjelljes “maxhoritare” duket të ketë pasur në 2017-n ndikim në zgjerimin e suksesit për zotërimin e timonit të qeverisjes nga PS, në mënyrë direkte apo indirekte, përmes mbështetjes së maskuar të veprimit maxhoritar nga individë të disa forcave të tjera politike.

Leave a Reply

%d bloggers like this: