Kronika

Dinamiti plagos rëndë palombarin në Karaburun

Një palombar që po eksploronte bukurinë nënujore që të ofron zona e Karaburunit, ka rrezikuar jetën nga shpërthimi i dinamitit.

Sasia e lëndës eksplozive është hedhur nga një mjet lundrues tip gomone që po peshkonte pranë gadishullit duke i shkaktuar dëmtime zhytësit, Ilir Ameti. Palombari nga Orikumi ka marrë plagë në veshin e djathtë dhe dëmtime në mushkëri.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Shën Janit në Karaburun, ndërsa Ameti po notonte në thellësi me bombola gazi, një zonë, e cila eksplorohet shumë nga zhytësit. Zona e Karaburunit është edhe një zonë e mbrojtur, e cilësuar si një nga perlat e bregdetit të Jonit. Shtetasi nga Orikumi ishte duke notuar në afërsi të Shën Janit, ku sipas dëshmive të tij, një gomone ka ndaluar sipër tij, duke hedhur lëndën plasëse.

Ameti ka konfirmuar se ka pasur tronditje të thella, duke ndjerë shqetësime në frymë- marrje dhe dëmtim në veshin e djathtë. Ndihma e parë atij i është dhënë nga punonjësit e pikës së shërbimit të zonave të mbrojtura që ndodhen në Karaburun, të cilët kanë lajmëruar edhe policinë për ngjarjen.

Palombari u dërgua në spitalin rajonal të qytetit të Vlorës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa thuhet se nuk ka probleme të rënda për jetën. Ndërkohë konfirmohet se, policia ka nisur hetimet, madje burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se kanë të dyshuar një person që mendohet se mund të ketë qenë në drejtimin e mjetit lundrues në momentin kur është hedhur sasia e lëndës plasëse në det.

Gjithsesi për momentin nga Policia e Vlorës nuk ka asnjë person të arrestuar apo shoqëruar për ngjarjen, ndërsa hetimet vijojnë. Kjo është një tjetër ngjarje e rëndë që regjistrohet në bregdetin shqiptar, pavarësisht se prej disa ditësh Policia kufitare vijon kontrollet ndaj mjeteve lundruese për dokumentacionin e tyre dhe duke mos lejuar lundrimin në zonat pranë pushuesve.

Zona e Karaburunit në Vlorë është një nga zonat e mbrojtura ujore, ndërsa ky është rasti i parë i evidentuar për hedhjen e lëndëve plasëse në det gjatë këtij sezoni turistik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button