Ekonomia

Euro kalon mbi 133 lekë, për herë të parë që nga rënia para zgjedhjeve

Monedha e përbashkët ka shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, duke e kaluar ditën e sotme kufirin e 133 lekëve, për herë të parë, që nga 20 qershori.

Sipas të dhënave të kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej sot me 133.07 lekë, me një rritje prej 0.31 lekë. Kjo është rritja më e fortë ditore e shënuar këtë vit, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.

Euro po fiton pikë në tregun vendas prej dy javësh radhazi dhe i është larguar nivelit minimal të 9 viteve, prej 131.98 lekë, që u arrit në 27 qershor, dy ditë pasi u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme.

Arsyeja kryesore e këtij forcimi lidhet me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku euro është forcuar me shpejtësi, duke u këmbyer ditën e sotme, me 1.17 USD. Euro arriti nivelin më të lartë të dy viteve dhe paundi u tregtua në nivelet më të larta nga shtatori, pasi mbledhja e e Rezervës Federale të SHBA-ve, që vendoi të mbajë norma të ulëta interesi për shkak të inflacionit të dobët, e çoi dollarin në nivelin më të ulët të 14 muajve kundrejt një shporte monedhash. Euro u nxit dhe nga bursat europiane, që panë një rritje të fitimeve të koorporatave të mërkurën, në një nga ditët më të mira të vitit për tregtime.

Pavarësisht rritjes, në tregun e brendshëm, euro vijon të jetë e nënçmuar. Në janr 2015, kur euro në bursa ishte në të njëjtat nivele që është sot, një euro këmbëhej në Shqipëri me më shumë se 140 lekë, sipas kursit zyrtar të bankës së Shqipërisë. Euro është madje më poshtë se në dhjetor 2016, kur në bursa këmbëhej me 1.07 Usd ndërsa në Shqipëri tregtohet me rreth 134.135 lekë.

Oferta e lartë për valutë në tregun e brendshëm mbetet arsyeja kryesore për këtë mbiçmim të monedhës vendase.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button