Bota

SHBA sanksione Venezuelës para zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese

Në shenjë papajtueshmërie me përpjekjet e Presidentit Nikolas Maduro për të sjellë ndryshime në Kushtetutë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj 13 zyrtarëve të lartë të Venezuelës.

Uashingtoni ka paralajmëruar se këto masa ekonomike mund të përshkallëzohen nëse s’do të ketë një reflektim gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë, e ashpër ka qenë edhe replika e Maduros i cili u shpreh se ShBA nuk është qeveria e botës.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione mbi 13 zyrtarë të lartë të Venezuelës në formë presioni ndaj Presidentit Nikolas Maduro, i cili ka thirrur zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, një vendim që ka shkaktuar protesta masive në vend.

Sanksionet pritet të ngrijnë asetet e personave të prekur në Shtetet e Bashkuara si dhe do të ndalojë entitetet amerikane që të bëjnë biznes me ta.

Masat e reja të vendosura nga Uashingtoni përfshijnë Ministrin e Brendshëm dhe kreun e Ushtrisë së Venezulës.

Sipas ekspertëve, ky ishte një hap i pritshëm nga administrata amerikane për shkak se ishte paralajmëruar vazhdimisht nga Presidenti Donald Trump.

Lideri i Uashingtonit është shprehur se ShBA do të reagojë përmes sanksioneve ekonomike në rast se qeveria Maduro nuk do të reflektojë.

Ndërkohë, në kundërpërgjigjen e tij, Presidenti i Venezuelës tha se ShBA nuk qëndron mbi vendet e tjera të botës dhe se vendi i tij ka sovranitet për t’i marrë vetë vendimet.

Ndërkohë, përballë zgjedhjeve që mbahen ditën e diel, situata në Venezuelë është përkeqësuar së tepërmi.

Dy protestues kanë humbur jetën gjatë përplasjeve me autoritetet në orët e fundit, ndërsa pritet edhe mbajtja e një greve urie kombëtare dy ditore.

Kritikët e akuzojnë Maduron se i thirri zgjedhjet me qëllim që të prezantojë ndryshime në aktin themelor të shtetit gjë që do t’i jepte atij një pushtet më të përqëndruar.

Megjithatë, një mendim të kundërt ka Presidenti dhe mbështetësit e tij. Sipas Maduros, kjo është e vetmja mënyrë që vendit të ketë unitet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button