Politika

Rama: Punonjësit e administratës, raporte konfidenciale për institucionin

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar punonjësve të administratës që të dërgojnë në mënyrë konfidenciale raporte për punën e tyre dhe institucionit ku ata punojnë. Kryeministri thotë se kjo do të shërbejë për të përmirësuar administratën në 4 vitet e ardhshme, për të cilën Rama tha se është prioritet strategjik i qeverisë. Synimi i këtyre “raporteve” do të jetë goditja e elementëve parazitarë nëpër institucione.

Ai tha se duhet të mbyllen hendeqet midis drejtuesve politikë dhe punonjësve civilë të administratës.

Deklaratat e Ramës u bënë gjatë një takimi në Kryeministri me punonjës të administratës shtetërore.

Rama: Ne kemi filluar një proces të rishikimit të plotë të të gjithë administratës. Ky proces ka në konsideratë dy nivele, një është ai i shërbimit civil dhe siç e dini ka një status të posaçëm të garantuar me ligj dhe niveli tjetër është i administratës shtetërore që funksionon me një legjislacion të ndryshëm. Unë besoj që pavarësisht shumë boshllëqeve dhe jo pak defekteve që ka sot procesi i garantimit të administratës të shërbimit civil, është një proces shumë i rëndësishëm për të menduar që në një hark kohor 10 vjeçar, nëse ligji zbatohet mirë, do të kemi një shërbim civil dinjitoz dhe të aftë për të përballuar të gjithë sfidën.

Statistikat tregojnë që deformimet nuk janë të atilla që mund të mendohet se kanë deformuar le të themi shtyllën kurrizore të administratës që po ndërtohet. Edhe pse është një proces ku influenca e partive ka qenë goxha e reduktuar. Mjafton të shikohet jo në numër, por në influencë gjithë lista e pranimeve nepotike për të kuptuar se influenca nuk ka munguar. Nga ana tjetër nuk mund të mendojmë se do të kishim një proces 100% prefekt.

Ajo që është me rëndësi është të kuptojmë se si shërbimi civil mund të jetë më efektiv sepse besoj pavarësisht cilësive individuale për të kontribuar në një masë të caktuar, masa e kontribuar nuk është ajo që do të ishte e dëshirueshme. Secili nga ju duhet të bëjë një vlerësim konfidencial të marrëdhënies së punës.

Do të thotë që secili nga ju të na jepte një këndvështrim mbi marrëdhënien individuale të punës dhe mbi marrëdhënien e institucionit ku punonin me punën për të nxjerrë më të mirë nga ju dhe institucioni ku punoni. Na duhet kjo sepse është shumë e qartë për mua se nëse duhet të ngremë performancës së administratës në radhë të parë duhet të ngremë nivelin politik të administratës dhe për ta bërë këtë duhet të kuptojmë sa më shumë nga subjektet që përbëjnë administratën.

Ka një hendek midis nivelit politik dhe administratës duke filluar që nga ministritë dhe agjencitë. Niveli politik nuk ka një bilanc pozitiv në aspektin e përcjelljes së vizionit tek administrata, në aspektin e përcjelljes së qëllimeve dhe në fund fare të motivimit që përtej rutinës, në funksion të qëllimeve që duhet të arrijë skuadra. Ajo që ne duam është të kemi prej jush një bazë prej të cilës të ndërtojmë një pyetësor për ta dëgjuar në mënyrë konfidenciale të gjithë administratën dhe për të kuptuar çfarë duhet korrigjuar.

Që nga ministritë dhe pastaj tek agjencitë e tjera, jeta ndahet në dy pjesë, jeta e një grupi të vogël drejtues, ministrit, kabinetit, sekretarit të përgjithshëm dhe jeta rutinë e gjithë pjesës tjetër të administratës dhe nuk di fare çfarë ndodh në të përditshmen dhe kur ka momente krizash, atëherë merr një urdhër nga lart.

Na duhet të kuptojmë si duhet ta ndryshojmë këtë marrëdhënie dhe çfarë duhet të bëjë një drejtues politik për ta ndryshuar këtë marrëdhënie se ne në nivelin politik jemi mësuar t’i biem shkurt që fajin e ka gjithë administrata.

Në administratë ka shumë njerëz të vlefshëm, të cilët kanë kapacitetin për të bërë shumë më tepër se ç’bëjnë tani.

Në këtë proces që kemi nisur dhe që do të jetë prioritar në 4 vitet e ardhshme, ne duhet të ndërtojmë paralelisht rrugën e spastrimeve nga parazitarë, një partneritet me pjesën e shëndetshme. Për këtë jemi këtu sot për të dhënë një ndihmë të vlefshme duke na dhënë 50 këndvështrime siç e shikon secili këtë problematikë.

Nuk ka asnjë shans që këto raporte të bëhen publike apo të përdoren kundër jush. Me të marrë këto raporte, ne do t’i analizojmë dhe pastaj do të ndërtojmë një formula mbi bazë të të dhënave mesatarisht të përbashkëta dhe do t’ia japim për plotësisht të gjithë shërbimit publik për të kuptuar shqetësimet që ngrini ju.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button