Home / Opinion / Qarkullimi i lirë i eshtrave

Qarkullimi i lirë i eshtrave

Veton Surroi

Ka njëzet vjet e ca që poli tikanë dhe ish-politikanë, diplomatë e burokratë perëndimorë do të dalin ritualisht me një ide themelore për Ballkanin: zgjidhja e problemeve të kësaj treve që prodhon luftëra, refugjatë e krim është hapësira e tregtisë së lirë. Popujt që bëjnë tregti të lirë nuk luftojnë: ja, shikoni francezët e gjermanët, holandezët e spanjollët, britanikët dhe italianët! Në njëzet vjet e ca koka të mençura kanë zëvendësuar koka të tjera të mençura.

Një palë koka të mençura themeluan Iniciativën për Bashkëpunim të Europës Juglindore, pastaj koka të tjera të mençura themeluan Procesin për Bashkëpunim të Europës Juglindore, pastaj të tjerat një organizatë, një Samit dhe një Proces e kështu me radhë deri te Marrëveshja për Tregti të Lirë të Europës Qendrore (CEFTA). Çdo kokë e mençur që zëvendësonte një tjetër duhej të sillte një Proces, që do të përforconte Procesin paraprak që u themelua për të përforcuar Iniciativën paraprake. Kështu, pas CEFTA-s, e cila si marrëveshje për tregti të lirë duhej të hapte tregjet, tash kemi Procesin e Berlinit me Marrëveshjen e Triestes, e cila do të duhej të prodhonte – hapësirë tregtie të lirë.

2. Saldoja e njëzet vjetëve të kaluar tregon dy gjetje brutalisht të thjeshta. Një, shtetet e regjionit që nuk janë më pjesë e këtyre proceseve (ideve, iniciativave, marrëveshjeve), i kanë punët shumë më mirë. Kur u themelua Iniciativa për Bashkëpunim (SEECI) më 1996-n, në të ishin edhe Bullgaria, Rumania, Kroacia, Sllovenia. Të anëtarësuara në Bashkimin Europian, këto shtete kaherë janë harruar si probleme të sigurisë, ndonëse disa prej tyre, si Bullgaria e Rumania, nuk mund të quhen shumë të ndryshme për nga korrupsioni e krimi i organizuar prej një Shqipërie a Serbie, për shembull.

Pra, sa më shpejt të dalësh prej iniciativave për bashkëpunim regjional, aq më mirë i ke punët; si shtet i ri anëtar i BE-së do të dëgjosh ligjërata të tjera, por jo ato se si tregtia e lirë i zgjidh të gjitha problemet. Dy, tregtia e lirë nuk i zgjidh problemet. Shembulli më drastik janë Serbia dhe Kosova. Serbia vjet shiti lirshëm në Kosovë mallnë vlerë rekord 400 milionë euro. Serbia ka shitur në Kosovë më shumë se çdo shtet tjetër, por i ka marrëdhëniet më të këqija me Kosovën më shumë se çdo shtet tjetër. Përfundimi i dy gjetjeve brutale është shumë i thjeshtë: anëtarësimi në BE të nxjerr nga zona e pasigurisë (dhe iniciativave, proceseve e bluarjeve të tjera të pafund), ndërkohë që për të dalë nga kjo zonë e pasigurisë nuk mjafton tregtia e lirë.

Anëtarësimi në BE tregon se nuk ka alternativë tjetër, jo se jo me “hapësira” të tregtisë së lirë, ndërkohë që historia e BE-së tregon se hapësira e saj e tregtisë së lirë është ndërtuar pasi të jenë shlyer pengesat politike e jo duke i mbuluar ato me çarçaf. Siç kam shpjeguar në “Gorillat që s’i pamë” (Botimet KOHA, 2017), integrimi europian nuk do të ishte i mundshëm me një qeveri gjermane që do të besonte se kauza gjermane në Luftën e Dytë Botërore ishte e drejtë apo se Strasburgu është zemra e Gjermanisë.

3. Për dallim prej integrimit europian, “hapësira e tregtisë së lirë ballkanike” po përpiqet të ndërtohet me mundësinë që qeveritë e njëpasnjëshme në Serbi të besojnë se kauza e Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë ishte e drejtë. Dhe se Prizreni (Prishtina, Klina, Mitrovica, Gjilani- gërvisht dhe fito) është zemra e Serbisë. Për dallim prej Traktatit të Romës, që u nënshkrua nga një Gjermani, që pranoi fajësinë e përgjegjësinë për krimet e Luftës së Dytë Botërore më 2017, gjashtëdhjetë vjet më vonë, nënshkruhet Marrëveshja e Triestes nga një Serbi, e cila nuk ka pranuar fajësinë e përgjegjësinë për luftërat, madje mban ende konfliktin me Kosovën të papërfunduar.

Kokat e mençura kanë mundur ta pyesin cilindo fshatar ballkanik dhe të kuptojnë se dy familje të hasmuara e në gjak nuk e përfundojnë hasmërinë nëse ftohen të dalin së bashku në ditë tregu e që t’i shesin kastravecët dhe domatet e tyre. Apo këto koka të mençura kanë mundur të shikojnë prapa në historinë e tyre, e të kuptojnë se kur u bë i mundur tregu i përbashkët: kur u vendos përgjegjësia për luftë apo para saj, kur u vendosën parimet e bashkëpunimit apo para saj? Konteksti është me rëndësi, sepse pa parime çdo gjë bëhet objekt pazari.

Pas rënies së Milosheviqit dhe vrasjes së kryeministrit Gjingjiq, qeveria e udhëhequr nga Koshtunica vendosi që të ndërpresë në një moment gërmimet për kufomat e të zhdukurve nga lufta e Kosovës. Arsyetimi që Kosova nuk po gërmon mjaftueshëm për të zhdukurit serbë nga po kjo luftë. Pra, kërkohej një masë reciprociteti, sikur që bëhet në tregtinë restriktive, atë të kuotave. Pra, ashtu si ti do të shesësh kaq mall në tregun tim nëse unë mund të shesë po aq në tregun tënd, Serbia tha, përafërsisht, se do të gjejë aq eshtra shqiptarësh në Serbi sa do të gjejë eshtra serbësh Kosova në territorin e vet. Që nga viti 2000 u vendos parimi i tregtisë me eshtrat e të zhdukurve dhe ai vazhdon deri më sot. Janë 1.800 të zhdukur, në formë eshtrash, pantallonash, këmishësh, fije flokësh e kujtese që rrinë duke pritur vullnetin politik për t’iu kthyer familjarëve.

4. Koncepti i hapësirës së tregtisë së lirë- pa parime e institucione, pa subjekte sovrane që do të krijonin marrëdhënie kontraktuale- arrin në këtë pikë, pra në pikën që shteti që është përgjegjës për gjenocid në Bosnjë dhe përpjekje gjenocidi në Kosovë të vendosë reciprocitet këmbimi eshtrash. Dy eshtra serbësh për dy eshtra shqiptarësh; një varrezë masive serbësh për një varrezë masive shqiptarësh. Meqë ka mbërritur në këtë pikë – më ulët nuk bën më- ndoshta atë do trajtuar si pikënisje të re.

Në rregull, nëse Serbia konsideron se eshtrat janë tregti, pra mall për këmbim, këtë do ndërtuar, me tërë morbiditetin e përfshirë, në parimet e reja të relacioneve mes Serbisë dhe Kosovës. Në hapësirën e tregtisë së lirë, Serbia duhet të marrë përgjegjësinë juridike. Ashtu siç dërgon në Kosovë biskotat “Plazma”, lëngje të “Takovës” dhe goma të “Pirotit” me deklaratën e shkruar se janë bërë në Serbi, ashtu duhet t’i dërgojë edhe eshtrat e fëmijëve, të grave dhe burrave të Kosovës, të vrarë në luftë. Vdekja e tyre, po ashtu, qe prodhuar në Serbi. Vdekja e fëmijëve, e grave dhe burrave të Kosovës nuk qe një rastësi, por sikur në prodhimin industrial, pjesë e një planifikimi. Për dallim prej biskotave, lëngjeve dhe gomave, vdekjen e qytetarëve të Kosovës e prodhuan institucionet e shtetit të Serbisë.

Duke i kthyer eshtrat, “të prodhuar nga Serbia”, shteti fqinj i Kosovës ndoshta do të mundë të fillonte ta kthejë faqen e historisë, duke pranuar fajësinë për eshtrat që i mban të fshehura në varrezat masive, aty ku shqiptarët e vrarë u varrosën nga institucionet e shtetit që i vrau. Rruga europiane, kështu, do të mundë të shkurtohej dukshëm. Këtë e dinë shumë mirë gjermanët dhe francezët, belgët e grekët, britanikët e italianët. Siç e dinë, para qarkullimit të lirë të mallrave ka ekzistuar qarkullimi i lirë i eshtrave. Dhe përgjegjësia për ta.

Leave a Reply

%d bloggers like this: