Home / Arte / Muzike / Instrumentistë shqiptarë dhe të huaj në edicionin e tetë të Bienales së Durrësit

Instrumentistë shqiptarë dhe të huaj në edicionin e tetë të Bienales së Durrësit

Edicioni i tetë i Bienales së “Netëve të Muzikës Klasike”, që do të nisë nesër në qytetin e Durrësit do të vazhdojë për tetë mbrëmje radhazi me koncerte në Muzeun Arkeologjik, në kishën “Shën Luçia” dhe në Teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar.

Në një konferencë për shtyp, të organizuar sot në Amfiteatrin antik, drejtori artistik i Bienales, Floirian Vlashi tha se “përveç artistëve shqiptarë, në këtë edicion janë përfshirë edhe instrumentistë nga Franca, Ukraina dhe Spanja. Ata së bashku me Florianin do të interpretojnë “Kuartetin për fundin e kohëve”, një vepër OlivierMesiaen shkruar dhe ekzekutuar në kampin nazist të përqëndrimit në vitin 1941”.

Sipas artistit durrsak, Vlashi, në një nga koncertet do të luhen edhe vepra të autorëve vendas të persekutuar si Palok dhe Lec Kurti, etj.

“Shtatë fjalët e fundit të Krishtit në kryq” me tekste të Nënë Terezës do të jenë në qendër të koncertit të organizuar në kishën “Shën Luçia” të Durrësit. Po ashtu është konceptuar edhe nata kushtuar muzikës pianistike me Duon Gaqi.

“Nata e Yjeve të Rinj” do të sjellë në skenë nxënësit e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, ku janë përgatitur edhe violinisti Florian Vlashi dhe bashkëshortja e tij Rediana Lukaçi, që së bashku me djalin violonçelist, Martinin 13-vjeçar kanë intepretuar sot para përfaqësuesve të mediave. Edicioni i tetë i Bienales, që ka filluar në vitin 2003 do të nisë nesër me Orkestrën Rinore të Durrësit, e cila në “Natën e Muzikës Baroke” do të interpretojë disa vepra nga J. S. Bach.

Leave a Reply

%d bloggers like this: