Amerika

Dorëhiqet Scaramucci, drejtori i ri i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë

Drejtori i ri i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Anthony Scaramucci dha dorëheqjen, vetëm 10 ditë pas emërimit në këtë post.

Njoftimi u dha të hënën, dita e parë e punës në Shtëpinë e Bardhë për zotin John Kelly si shef i ri i kabinetit.

Anthony Scaramucci, financier nga Nju Jorku, u bë shkak për polemika menjëherë pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, duke hapur një grindje me ish-shefin e kabinetit Reince Priebus.

Revista New Yorker botoi të enjten një intervistë, në të cilën Scaramucci e sulmoi ashpër zotin Priebus, në atë kohë shef kabineti, duke përdorur edhe fjalë të papërshtatshme.

Sipas mediave, dorëheqja erdhi për t’i lejuar një fillim të ri shefit të ri të kabinetit, Kelly.

TRUMP; NUK KA KAOS

Presidenti Trump hodhi poshtë akuzat për kaos në Shtëpinë e Bardhë.

Në komentet e bëra të hënën në Twitter, Presidenti Trump shkruante se tregu i aksioneve është në nivele të papara, shifrat ekonomike janë më të mirat, papunësia është më e ulta në 17 vjet, pagat po rriten dhe kufiri është i sigurtë. “Në Shtëpinë e Bardhë nuk ka kaos,” shkruante ai.

Komentet e zotit Trump u bënë në prag të betimit të shefit të tij të ri të kabinetit, gjeneralit në pension John Kelly, i cili mori detyrën që deri tani mbahej nga Reince Priebus.

Presidenti Trump tha se zoti Kelly do të bëjë “një punë të shkëlqyer” në detyrën e re.​

Gjatë javës së kaluar, drejtori i ri i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Anthony Scaramucci, sulmoi ashpër zotin Priebus.

Ndërkohë, vetë zoti Trump u bë objekt kritikash për sulmet e tij publike ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions dhe për dështimin e republikanëve të Senatit për të ndryshuar ligjin e kujdesit shëndetësor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button