Nga Facebook

Gjokutaj: Cila vlen më shumë, jeta e një siriani, apo jeta e një amerikani?

Capajev Gjokutaj

Shumë do skandalizohen: Ç’mollois? Çdo jetë është e shenjtë, pavarësisht se i takon provincialit apo metropolitanit, të diturit apo analfabetit, sojliut apo harbutit.

Dhe kanë të drejtë, kështu thonë fetë, kështu thotë edhe humanizmi sekularist. Por tregu thotë ndryshe. Ose, më saktë ndjek tjetër kriter. Nuk e njeh të shenjtën. Gjithçka e peshon në kandarin: e shtrenjtë e lirë.

Me këtë kriter, jeta e amerikanit rezulton më e shtrenjtë se jeta e sirianit. Ashtu si jeta e të pasurit është më e shtrenjtë se jeta e të varfërit. Jo se njeri ka më shumë dhe tjetri më pak, por se për njerin është investuar më shumë e për tjetrin më pak. Fjala është për investime në arsimim, në edukim, shëndet etj.

Me këto merren kompanitë e sigurimeve, por morali e shoqëria respektojnë njeriun dhe njerëzoren, -flasin e thonë moralistët e klerikët.

Por realiteti flet e thotë ndryshe. Rrëmbimi apo vrasja e një gazetari amerikan bëhet lajm e vë në lëvizje media, kancelari, operacione ushtarake. Vrasja apo mbytja e një grupi të tërë refugjatësh sirianë, shumicën e herëve mbetet statistikë që harrohet pa filluar lajmi tjetër.

Që është e shenjtë jeta e çdo njeriu, dihet. Por brenda shenjtërisë ka të shtrenjtë dhe të lirë. E vendos tregu, mbreti i botës.

( Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’ )

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button