Home / Bota / Takimi me avokaten ruse, Trump i diktoi deklaratën të birit

Takimi me avokaten ruse, Trump i diktoi deklaratën të birit

Presidenti amerikan Donald Trump e diktoi personalisht deklaratën e të birit në lidhje me bisedën e zhvilluar prej tij dhe avokates ruse gjatë fushatës elektorale.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane. Fillimisht u tha se Donald Trump Jr dhe avokatja kishin diskutuar kryesisht për adoptimin e fëmijëve rusë, në qershor të vitit 2016.

Por më vonë vetë djali i presidentit tha se kishte pranuar ta takonte shtetasen ruse pasi i kishin thënë se mund t’i ofronte material kompromentues për Hillary Clinton.

Lajmi i fundit për deklaratën e Trump Jr vjen në një kohë kur Shtëpia e Bardhë është përfshirë nga një stuhi dorëheqjesh e shkarkimesh.

Drejtori i komunikimit në selinë presidenciale, Anthony Scaramucci u shkarkua nga detyra ditën e hënë, vetëm 10 ditë nga marrja e këtij posti.

Ish-financieri i Wall Street kishte tërhequr një valë kritikash pasi i kishte kërkuar një gazetari të shkruante materiale ofenduese për kolegët e tij.

Lajmi se presidenti Trump ka diktuar personalisht deklaratën që i biri bëri në lidhje me takimin me avokaten Natalia Veselnitskaya u publikua më parë nga “Washington Post”, që citonte disa burime. Më vonë, ABC News citoi dy burime të hershme që konfirmonin lajmin në fjalë.

Këshilltarët e presidentit Trump fillimisht ranë dakord që Trump Jr të publikonte një deklaratë që nuk do të mund të mohohej më vonë nëse detajet e takimit dilnin – shkruan “WP”.

Por ky vendim u anulua kur presidenti Trump po udhëtonte drejt Gjermanisë për samitin e G20-s. Në deklaratë djali i presidentit tha se në takim ishte diskutuar për adoptimin e fëmijëve rusë dhe jo për çështje fushate.

Por më vonë ai bëri me dije se kishte pranuar ta takonte shtetasen ruse pasi i ishte thënë se kishte materiale që mund të dëmtonin figurën e Clinton.

Ai u detyrua të publikonte edhe shkëmbimet e mesazheve elektronike që organizuan takimin. As presidenti Trump dhe as i biri nuk i kanë komentuar ende të dhënat e fundit.

“WP” shkruan se këshilltarët e presidentit druhen se prononcimi i mëtejshëm i Trump lidhur me këtë çështje mund të vërë në rrezik atë dhe njerëz nga rrethi i tij i ngushtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.