Film

«Lumi që kthen dhe nuk rresht…»

Kur shkruajta librin „Shkëlqimet e meteorëve“ për aktoret më të shquara franceze në kinematografi gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kapitullin per Jeanne Moreau e kisha titulluar „Lumi që kthen…“ por ja që me vdekjen e heshtur e saj, një ditë më parë, mendova se ky lum që nuk kthen, nuk rresht gjithashtu, pasi kjo aktore, nga më të shquarat e kinemtaografisë franceze n‘a la filma që do t’i shohim përtej kohës sonë. Presidenti Macron duke përshëndetur sot këtë figurë mitike, i bënte homazh „kësaj gruaje të zjarrtë të së majtës dhe gjithnjë rrebele…

 * * *

Atë fund viti që vdiq Marcello Mastroiani, këmbët më çuan në «Rue de Seine», drejt shtëpisë së tij, diku pranë Odeonit, në zëmër të Parisit, atje ku aktori gjenial kishte kaluar pothuaj tri dekadat e fundit të jetës së tij. Përballë portës, tek një librari, aty ku ishin mbledhur njerëz të shumtë, në vitrinë, çuditërisht krah një fotografie të shkrimtares Nathalie Sarraute, dukej dhe kopertina e një libri të Visconti-t, ku shquhej fotografia e Marcello-s bashkë me Jeanne Moreau. Ishte një kuadër nga filmi La Notte, një nga filmat e trilogjisë së regjisorit italian. Ajo fotografi sikur shikonte rastësisht drejt taracës së ndërtesës karshi, atje, ku ballkoni ishte përmbytur nga lulet dhe ku një abazhur ndriçonte zbehtë dhomën e Marcellos. Ishte mbrëmje…një mbrëmje që më kujtonte skenat e filmitLa Notte. Çuditërisht, filmin La Notte, të nesërmen e transmetoi dhe televizioni francez. Mastroiani dhe Moreau… dy aktorë që e çmonin shumë njëri tjetrin. Dhe ikja e tij, asaj i kishte dhimbur shumë, edhe pse në shumë pak filma kishin interpretuar bashkë.

E megjithatë, ndërsa Mastroiani ikte, Moreau vazhdonte udhën e saj. Pikërisht ato ditë në ekranet pariziane shfaqej filmi Pronarja eregjisorit I. Merchand, ku ajo interpretonte rolin kryesor: Historia e një gruaje, që pas njëzetepesë vitesh kthehet në Paris dhe nuk e njeh më qytetin e saj. Por nuk është thjeshtë ky film ai që na shtyn të flasim për aktoren mitike Jeanne Moreau, as caktimi i saj si presidente e festivalit të Cannes më 1995, apo presidente e Festivalit të Filmave Botëror në Montreal, 1996, por tërë krijimtaria e saj.

Duke riparë filmin e Antonionit, gjen përsëri po atë portret të veçantë, me sy të vrarë, me një hije të trishtë, sensuale dhe me një vështrim depërtues. Mu kujtua gjithashtu ajo ditë kur më 1992, në «Theatre de l’Empire» në Paris, për filmin Gruaja e moshuar që ecën në det, ajo u vlerësua me çmimin «Cesar». Nga skena ajo iu drejtua publikut: «Së pari falenderoj yllin tim…» Ja pra, kjo aktore, besonte në një yll, diku larg, në një galaksi, me të cilin ishte lidhur tërë kariera e saj dhe dhuntia, talenti, fati, frymëzimi… Ylli i saj ishte padyshim ajo punë e jashtëzakonshme në sheshet e xhirimit, ai pasion i madh në skenat e teatrove, ku ajo përpunoi lojën dhe stilin e saj, atë interpretim personal që nuk e pikas në aktoret e tjera dhe që është e veçantë vetëm tek ajo.

Fëmijëria e saj kaloi në një restorant-hotel në lagjen Pigalle, pronë e të atit. E ëma ishte me origjinë irlandeze, balerinë varieteje që vinte herë herë në Paris për të luajtur në skenën e «Folies Bergères». Pas martesës, ajo e braktisi trupën dhe iu kushtua një jete familjare. E bija, Jeanne, që adoleshente tregoi pasionin e saj për teatrin. Nëpër teatro ndiqte pjesët e famshme si Fedra e Racine, apo Antigona e J. Anouilh. «Papa, je veux faire du theatre![1] – i thoshte ajo të atit. Dymbëdhjet vjeçare, ajo lexonte me etje librat e Victor Hugo, W.Scott, Flobert, Balzac, Stendhal, apo Verlaine. Shtatëmbëdhjetë vjeçare ajo nisi të ndiqte kurset teatrale të Denis d’Ines në konservatorin e Parisit e më pas në «La Comedie Française». Prezantimi i saj i parë në skenën e teatrit ishte mjaft i suksesshëm. Një jetë e re filloi për të, jetë që do të mbushej me plot histori dashurie. «Në atë kohë kisha dy-tri dashnorë njëherësh, ç’ka kërkonte një organizim të përsosur, – kujtonte më vonë duke qeshur Moreau. Pikërisht në këtë kohë, kur nëna e saj u divorcua me të atin, ajo vendosi të qëndrojë në Paris dhe të mos e ndjekë të ëmën dhe të motrën, Michele, të cilat u vendosen në Brighton të Londrës, nga ku nuk u kthyen më.

Më 1949, ajo interpretoi në filmin e parë Dashuria e fundit, e Jean-Louis Richard. E dashuruar pas tij, (ai luante njëkohësisht si partner i saj në film), ajo u martua menjëherë me të. Interpretimi i pjesës teatrale Sidi, (Le Cid), në «La Comedie Française», përkrah Gerard Philippe-t, e bëri atë një nga yjet e së ardhmes së teatrit francez. Le Cid, u paraqit edhe në festivalin e Avignon dhe ajo nis të angazhohej me trupën e Jean Vilar, një prej regjisorëve më me emër të kësaj periudhe. Më pas interpretoi Pygmalion të B. Shaw, apoMacja në një çati që digjet e T.Williams. Nën drejtimin e regjisorit të njohur anglez Peter Brook, ajo interpretoi në Old Vie Theatre.

E tërhequar në mënyrë të jashtëzakonshme nga kinematografia, ajo e braktisi teatrin dhe filloi të angazhohej në një sërë filmash. Gjatë viteve 50-të, shumë regjisorë e angazhuan atë në projektet dhe filmat e tyre. Në filmin Touchez pas au Grisbi, i J. Becker, ajo interpretoi krah Jean Gabin, duke vazhduar me Mbretëresha Margot e J. Dreville, Juliette, të M. Allegret, Les amants të Louis Malle, apo Moderato Cantabile më 1958, sipas librit të M. Duras, me regjisor P. Brook dhe partner J.P. Belmondo. Ky film i fundit u duartrokit në festivalin e Cannes, ku çmimi për interpretimin femëror u nda midis saj dhe Melina Merkurit. «Për mua, – do të pohonte në atë kohë P. Brook, – Moreau është aktorja më ideale e kinematografisë, sepse ajo interpreton, ashtu sikurse Godard realizoi filmat e tij. Me të ju jeni shumë pranë një dokumentari mbi emocionin.» Por suksesi më i madh i kësaj kohe ishte filmi L’Ascenseur pour l’echafaud i Louis Malle, ku intepretimi i saj u vlerësua me çmimin «Louis Delluc». «Louis Malle xhiroi natën e parë të dashurisë në kinematografi», – shkroi atëhere regjisori i shquar François Truffaut.

Më 1960, një film tjetër do ta bënte edhe më të njohur: La Notte e Antonionit, ku interpretonte përkrah Monica Vitti dhe Marcello Mastroianit. Një subjekt rreth mos-komunikimit dhe një nga tregimet e trilogjisë së Antonionit. «Ai film ishte për mua një «autodestruksion», çka dhe më pëlqente. Vazhdimisht xhironim natën, ditën flinim në atmosferën e një qyteti plot zhurmë. Ritmi i jetës sonë ndryshoi plotësisht.» Pikërisht ato kohë, kur ajo xhironte në periferi te Milanos, një dramë tronditi jetën e saj: djali i saj, Jerôme, sëbashku me J.P. Belmondo, pësuan një aksident automobilistik. Pas 30 ditë në gjëndje koma, më së fundi i biri shpëtoi nga vdekja. Më 1965, Louis Malle e ftoi të luajë bashkë me Brigitte Bardot, në filmin Viva Maria, një film mjaft i suksesshëm, me historinë e dy vajzave që shkojnë të gjejnë idealin e tyre në një revolucion të Amerikës latine, film për çka fituan simpatinë e publikut amerikan. Dy aktoret, Bardot dhe Moreau, kritika i pa si «dy motra binjake që na afrojnë të njëjtin tip të femrës moderne», pra «le deuxième sexe» («seksin e dytë»).

Padyshim që një nga krijimet më interesante të kësaj periudhe ishte filmi i F. Truffaut,Jules et Jim. Ishte Truffaut ai që i kishte dërguar romanin e shkrimtarit Roche, me të njëjtin titull, të cilin ajo e kishte lexuar me një frymë. Kështu, të dashuruar së bashku, Moreau dhe Truffaut nisën xhirimin e një prej filmave më në zë të kësaj epoke. Truffaut i kishte dërguar autorit të romanit fotografinë e Moreau-së. «Më pëlqeu shumë, – i ktheu përgjigje shkrimtari, – jam i lumtur që ajo do të jetë Kathe dhe shpresoj ta njoh një ditë.» Por pak kohë më vonë shkrimtari vdiq, pa mundur ta shohë filmin të realizuar.

Ishte një film modern, me një histori dashurie. Ajo, Jules dhe Jim…, një francez dhe një gjerman e që të dy e dashurojnë atë në mënyrën e tyre. Ata kërkojnë femrën ideale dhe e gjejnë në trajtat e Katerinës. Pikërisht në këtë film, Moreau këndoi këngën e famshme Le Tourbillon (Vorbulla). Në kujtimet e tij, Truffaut shtonte:  «Si grua është e pasionuar, si aktore ajo është pasionante. Çdo herë që e imagjinoj në distancë, unë nuk e shoh atë duke lexuar një gazetë, por një libër. Jeanne Moreau nuk të bën të mendosh për flirtin, por për dashurinë. Në kundërshtim me aq aktorë e aktore që mund të interpretojnë veç në një atmosferë konfliktesh e tensionesh, gati sa konfondojnë shpesh përqëndrimin e tyre dhe zonat e errta të kujtesës, Jeanne Moreau është në formën e saj më të mirë në një ambient pune të ngrohtë e të qeshur, të cilën ajo kontribuon ta krijojë, duke ndihmuar në përcjelljen e emocioneve të forta. Bujari, zell, komplicitet, kuptueshmëri e brishtësisë njerëzore, e gjithë kjo mund të lexohet në ekran kur interpreton Jeanne Moreau. Në periudhën e njëzet vjetëve të mia në kinematografi, në sajë të Jeanne Moreau, xhirimi i filmit Jules et Jim mbetet një nga kujtimet e mia më të ndritura, madje më i ndrituri »…

Me 1962, ajo interpretoi në filmin e regjisorit J. Demy, La Baie des Anges, në rolin e një femre skandaloze, xhiruar në Nice. Por ishte viti 1964, ai që do të shënojë në karierën e saj një rol të jashtëzakonshëm. Regjisori Louis Bunuel e angazhoi në rolin e Celestine, partnere e Michel Piccoli, në filmin Ditari i një shërbyseje.

Kur flasim rreth Moreau-së e kujtojmë atë edhe në filmin Eva të regjisorit anglez Joseph Losey, një film, që në fillim do ta xhironte Godard, por që së fundi e realizoi Losey në Venecia, ku partner i saj ishte aktori i njohur Stanley Baker. Ishte historia e një kurtizaneje dhe e një gruaje rrebele. Ajo mbart në vetvete mister, sensualitet, egërsi. A nuk ishte ky mister dhe në filmin Zonjusha, xhiruar nga Tony Richardson, shumë vite më parë, ajo interpretonte rolin e një mesueseje fshati në Francën e viteve 50-të? «Nëse do të doja të refuzoja diçka, ­- pohoi ajo në një intervistë më 1971, – është ideja e gruas fatale që regjisorët dhe kritikët kanë për mua. Kjo është një ndjenjë «miszozhine». Sapo një grua jeton pa hipokrizi, ajo shihet si një grua fatale, posesive, shkatërruese. Ndoshta këtë personazh unë e kam dhënë në mënyrë të besueshme, pa patur parasysh lojën e aktoreve të mëparëshme. Seduksioni im, nëse thuhet se kam diçka të tillë, vjen nga që te unë nuk ka «koketëri», ngaqë unë jam e hapur dhe kam një vullnet të jashtëzakonshëm për të arritur atë që dua.»

Pas filmit të dytë me Joseph Losey, Monsieur Klein, më 1975, (ku si partner ka Alain Delon), Moreau u pikëtakua me një nga gjigandët e kinematografise botërore, regjisorin Orson Wells, autorin e filmit Qyetari Kein. Një histori interesante: «Një mbret që ka humbur gjithçka nga që nuk i ka gjetur mbi tokë dimensionet e mbretërisë së tij», – thotë për të Moreau. Përsëri një dashuri e fortë mes saj dhe Wells, në filmat e të cilit ajo do të interpretojë disa role si në filmat Proçesi, (1962), Falstaf, (1964), Një histori e pavdekshme, (1966), dhe The Deep, (1967). Ajo do të jetë partnere e Wells edhe në filmin e Tony Richardson, Marinari i Gjibraltarit.

Në fakt, Wells mahnitej nga forca aktoriale e Moreau-s. “Ne mësojmë nga e brëndshmja e saj, vetëm kur zbulojmë gjëra të pafajshme… Padyshim ajo është aktorja më e mirë e botës». Wells, i cili i kushtonte shumë rëndësi lojës aktoriale, e xhironte shpesh atë si një personazh gati ireal, në gjysëm ëndër. Në Një histori e pavdekëshme, një parodi kjo cinike, tregohet historia e një tregëtari të moshuar nga Macao, që kërkon të përjetojë një legjendë të vjetër që tregohet në ato anë: historinë e një plaku të pasur, i cili pagoi një marinar të bënte dashuri me gruan e tij të re (interpretuar nga Moreau), në mënyrë që të kishte një trashëgimtar. Pra për tu zbavitur, tregtari angazhoi një prostitutë, që luan rolin e gruas së tij. «Një aktore fisnike, – do të thotë për të regjisori i shquar francez Jean Renoir, – e cila nuk di të bëjë konçesione. Tek ajo gjithnjë ka fisnikëri». Dhe Jeanne do ta ruante me shumë dhimbje kujtimin e tij, pas vdekjes. A nuk i thoshte ai: «Jeanne, nëse dëshira jote është tepër e fortë, askush nuk mund të pengojë ta realizosh atë?»

Tek Moreau, herë pas here do të shndrisë dëshira për t’iu kthyer skenës së teatrit, apo si të thuash dashurisë së saj të parë. Ajo adhuronte mjeshtërinë aktoriale, apo mizansenën e regjisorëve të mëdhenj francezë, si Jouvet, Jean Vilar. Pas disa pjesëve teatrale, në vitin 1974 ajo u lidh pas dramaturgjisë së teatrit gjerman si me Peter Handke, Frank Wedekind, Herman Broch, etj. Në Chevauchee sur le lac de Constance, ajo interpretoi sëbashku me G. Depardieu. Më 1976 interpretoi rolin e njohur në dramën Lulu të Wedekind, ndërsa dhjetë vjet më vonë në dramën Le recit de la servante Zerline, të H. Broch. Një sukses i jashtëzakonshëm që do ta detyrojë të ndërmarrë një turne të gjatë nëpër Evropë me trupën teatrale gjermane, në Moskë, Vienë, Madrid, Bruksel, Japoni e gjetkë.

Në fillim të viteve 80-të, një seri ngjarjesh ndikuan që të flitej shumë për të në mediat. Pas divorcit dhe martesës së dytë në Amerikë, ajo shiti pronat dhe u angazhua në rolin e Lysiane, në filmin e saj testament Querelle, një film mbi homoseksualizmin, të regjisorit gjerman Rainer Fasbinder. Kënga e saj sipas një poeme të Oscar Wilde, bëhet e famshme dhe një këngë kult. Por shpejt ajo u kthye nga Amerika. Duket se nuk mund të jetonte pa mjedisin francez. Më 1989, interpretoi përsëri Celestine-n në Avignon. Më vonë e gjejmë në Rusi me filmin Ana Karenina, të R. Khamdamov, duke vazhduar pastaj me rolet e tjerë në filmat Gjer në fund të botës të W. Wenders, në rolin e një gruaje të verbër, në Nikita, të Luc Besson, etj.

Pasioni i saj për këngën n’a kujton menjëherë aktoren mitike gjermano-amerikane Marlen Dietrich. Siç e cilësonte dhe P. Brook, ajo vazhdoi të mbetej ai «medium» para të cilit publiku përjetonte ndjesi të jashtëzakonshme. Portreti i saj mbetej ende një libër i hapët e i pafund… Më 1992 ajo u ritakua përsëri me mikun e saj të vjetër, Mastroiani, në filmin e Teo Anxhelopulos, Hapi i ndërprerë i lejlekut, i xhiruar në Follorinë, në Ballkanin e trazuar, në kufijte e mbyllët mes Shqiperisë, Greqisë dhe Maqedonisë, nën një peizazh gri dhe të ftohtë. Një histori mbi ekzodin, refugjatët, intolerancën dhe nacionalizmat, ku Moreau, është në rolin e ish gruas të një emigranti politik grek, duke njohur kështu nga afër dramën ballkanike. Eshtë historia e kësaj gruaje dhe e një gazetari që i kërkon të gjejë gjurmët e burrit të saj. Në fillim ajo nuk dëshiron ti kthehet kësaj historie, meqë është martuar përsëri. Por pastaj bindet që ta ndihmojë atë në kërkimin e burrit të saj të zhdukur. Filmi titullohet kështu pasi në Follorinë ka një lumë dhe një urë. Në mes të urës ka një linjë ku kalon kufiri. Ju mund të keni njërën këmbë mbi një vend dhe tjetrën e nderur, pezull, mbi vëndin fqinj, ashtu si hapi i një lejleku. “Kisha 30 vjet që nuk kisha interpretuar me Mastroianin. Ishte një mrekulli të takoheshim përsëri”, – kujton ajo.

Një rol tjetër interesant ishte ai i Ana Karamazovës, historia e një gruaje nga fundi i viteve 30-të, që pas shumë vitesh, del nga kampi dhe kërkon të gjeje të ëmën e vet. Dhe në këtë kërkim, ajo zbulon aspekte te panjohura të jetës së realitetit sovjetik, skena prekëse, tronditëse e groteske, të ngjashme me ato që ndodhën në të gjithë hapësirën e Lindjes evropiane.

E dashuruar pas ekranit, filmit, ajo tentoi të vihej edhe në rolin e realizuesit, pra të një regjisori. Tentativa e parë e sukseshme ishte filmi Lumières, më 1975, i dyti,L’Adolescente, tri vjet më vonë, dhe i treti Soltice, sipas romanit të shkrimtarit amerikan Joyce Carol Oates. «Eksperienca e filmit Lumières, – ishte e pasur, sepse kuptova se duke kaluar prapa kamerës, unë ndjeja intimitetin e filmit. Isha një aktore që drejtoja aktorë. I ndjeja ankthet e tyre, gabimet që mund të bënin dhe deri ku mund të shkonin. Fakti se depërtoja brenda filmit, më jepte mundësinë të shndrohesha në një katalizator.» Megjithatë, dashuria më e madhe e saj është ende ekrani, loja e aktorit në shesh të xhirimit. Aty është gjithçka e saj, vetë ëndrat, rinia, rolet e shumta dhe filmat e ardhshëm. Njëmijë fytyra të Jeanne Moreau…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button