Opinion

Maduro diktatori i listës së zezë amerikane

DPA/ SHBA-ja vendosi sanksione financiare kundër presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, pas zgjedhjeve që janë dënuar gjerësisht si marrje me forcë e pushtetit.

Departamenti amerikan i Thesarit e ka përfshirë presidentin Maduro në listen e zezë, midis tre liderëve më famëkeq në botë, Robert Mugabe i Republikës së Zimbabves, presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

 Maduro u shtua në listën e liderëve që duhet t’u nënshtrohen sanksioneve për shkelje të demokracisë në Venezuelë duke përfshirë ngrirjen e çfarëdo pasurie nën juridiksionin e SHBA-së dhe ndalimin e shtetasve ose bizneseve amerikane për të bërë bashkëpunuar me të.

Vendimi i SHBA-së për të vendosur sanksione ndaj presidentit, Maduro vjen si rezultat i votimeve të së dielës në Venezuelë,  për zgjedhjen e deputetëve të Asamblesë Kushtetuese dhe rishikimin e kushtetutës, në të cilën autoritetet venezueliane kanë pohuar se si pasojë e dhunës, gjatë zgjedhjeve kanë vdekur 10 persona.

Lideri i opozitës,  Henrique Capriles ka pretenduar se numri i të vdekurve ka arritur në 116.

Reagimi i presidentit Maduro ka qënë sfidues ndaj sanksioneve të SHBA-së duke thënë se presidenti Trump kishte bërë gabimin më të madh të jetës së tij duke ndërhyrë në çështjet e Venezuelës.

“Sanksionet janë për t’i bërë  thirrje popullit për të votuar lirisht dhe për të zgjedhur një Asamble Kushtetuese”, tha Maduro në Këshillin Kombëtar Zgjedhor.

“Jam krenar për këto sanksione, zoti perandor, Donald Trump. Nuk marr urdhra imperialiste, nuk marr urdhra nga qeveritë e huaja”, shtoi ai.

Kohët e fundit, Maduro kishte thenë se shpresonte të përmirësonte marrëdhëniet e tensionuara me SHBA-në lidhur me kompaninë e naftës “Citgo”, e cila është në pronësi të kompanisë shtetërore venezueliane, PDVSA , duke dhuruar 500 000 dollarë për festën e inaugurimit të Trump në janar.

Qeveritë në Amerikën Latine, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër votimin e së dielës në Venezuelë, e cila hapi derën për një kushtetutë të re që lejon Maduron të konsolidojë pushtetin e tij.

“Zgjedhjet e paligjshme të së dielës,  konfirmojnë se Maduro është një diktator që shpërfill vullnetin e popullit venezuelian,” tha sekretari i Thesarit të SHBA-së, Steven Mnukin.

“Duke vendosur disa sanksione kundër Maduros, Shtetet e Bashkuara bëjnë të qartë kundërshtimin e politikave të regjimit të tij dhe mbështetjen tonë për popullin e Venezuelës që kërkon të kthejë demokracinë në vend”, shtoi ai

”Bashkimi Europian kritikon ashpër dhunën dhe trazirat gjatë zgjedhjeve duke dënuar forcat e sigurisë të Venezuelës për përdorimin e tepruar dhe joproporcional të forcës”, tha dje zëdhënësja e Komisionit Europian,  në Bruksel, Mina Andreeva.

“Ngjarjet e 24 orëve të fundit kanë përforcuar preokupimin e Bashkimit Evropian për fatin e demokracisë në Venezuelë”, shtoi ajo.

“Sipas të dhënave të fundit, rreth 41 ,5 për qind e votuesve kanë votur në zgjedhjet e së dielës” njoftoi presidenti i Këshillit Kombëtar Zgjedhor (CNE), Tibisay Lucena.

Ndërkohë që, opozita e vendit, ka pretenduar se vetëm 2, 48 milionë votues kanë marë pjesë në votime duke e quajtur rezultatin si “mashtrimi më i madh në historinë e zgjedhjeve në vend “.

Capriles e quajti ditën e votimeve si një “ditë të zezë” për popullin venezuelian dhe fajësoi atë që ai e përshkroi si “ambicie të sëmurë” të presidentit të Venezuelës,  Nicolas Maduro.

Lideri  i fraksionit të opozitës të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Stalin Gonzalez, paralajmëroi dje se presidenti, Nikolas Maduro do të pendohet për atë që ai e quajti si “zgjedhjet mashtruese”.

Gonzalez vuri në dukje një sondazh jo të detyrueshëm dhe të pavarur më 16 korrik, i cili tregoi se 7,5 milionë venezuelanë kishin kundërshtuar krijimin e një Asambleje Kushtetuese.

Nënkryetari i parë i Asamblesë Kombëtare, Freddy Guevara, tha se ndrydhja nga zyrtarët e zbatimit të ligjit ishte bërë “më agresive” të dielën, në mënyrë që të parandalonte një demonstratë masive të opozitës, e planifikuar në lindje të kryeqytetit Karakas.

Liderët e koalicionit opozitar të Unitetit Demokratik (MUD) kërkuan një bojkot të votave dhe refuzuan të vendosnin një kandidat për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese, duke argumentuar se votimet do të organizoheshin në mënyrë të pashmangshme në favor të Maduros.

Opozita akuzon Maduron se ka kërkuar të dëmtojë legjislaturën dhe gjyqësorin, të centralizojë pushtetin në degën e ekzekutivit dhe të krijojë sundimin e një partie të stilit kubanez.

BE-ja paralajmëroi se një Asamble Kushtetuese e zgjedhur në rrethana të dyshimta dhe shpesh të dhunshme nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes për krizën aktuale të Venezuelës nën qeverisjen socialiste të Maduros.

Qeveritë rajonale duke përfshirë Argjentinën, Perën, Kilin, Brazilin dhe Kolumbinë kanë thënë se nuk do ta njohin rezultatin e referendumit.

Në Berlin, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane dënoi ashpër votimet e së dielës duke i quajtur ato si “një shkelje të parimeve demokratike”.

Venezuela është përfshirë nga protesta të shumta që prej prillit të kaluar.

Të paktën 123 persona kanë vdekur si pasojë e përleshjeve midis demonstruesve dhe forcave të policisë.

Edhe pse Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë, vendi është duke vuajtur një krizë ekonomike të përkeqësuar duke përfshirë normën më të lartë të inflacionit në botë dhe mungesat kronike të mallrave bazë dhe ilaçeve si pasojë e rënies së çmimeve të naftës në vitin 2014.

Dhjetëra mijëra venezuelanë janë larguar në vendet fqinjë, Kolumbi dhe Brazil.

Kushtetuta aktuale e Venezuelës e vitit 1999 u shkrua pas thirrjes për referendum të paraardhësit të Maduros, Hugo Chavez.

Dokumenti, i shkruar nga shumica e delegatëve të partisë së Chavez, zbatoi reformat strukturore gjithëpërfshirëse që lejonin liderin populist të krahut të majtë të zbatonte programe të mëdha sociale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button