Ekonomia

Ulen kreditë e këqija, BSH: Ranë në nivelin më të ulët në 6 vjet

 Kreditë e këqija ranë për të nëntin muaj rresh duke zbritur në nivelin më të ulët në gjashtë vjet. Të dhënat zyrtare nga banka e Shqipërisë tregojnë se në qershor niveli i huave të pakthyera në banka zbriti në 15.58 për qind, nga 15.86 për qind që ishte në maj.

Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kreditë e këqija janë ulur 4.5 pikë përqindje, ndërsa nëse krahasohen me pikun e arritur në shtator të 2014-ës ato janë ulur me plot 10 pikë përqindje.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e kredive me probleme është rezultat kryesisht i dy faktorëve; fshirjeve dhe ristrukturimit. Përmes fshirjes, bankat nxjerrin jashtë bilancit, të gjitha kreditë, që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen. Kjo është një kërkesë e imponuar nga rregullat e Bankës së Shqipërisë.

Por paralelisht, një pjesë e bankave janë duke fshirë edhe kreditë problematike më të reja se tre vjet, kur debitorët pranojnë të paguajnë një pjesë të borxhit. Shuma që paguhet dakortësohet në marrëveshje rast pas rasti mes bankës dhe kredimarrësit.

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se kjo metodë ka rezultuar efikase në uljen e portofolit të kredive më probleme, ndërkohë që paralelisht kanë vazhduar edhe ristrukturimet.

Ky i fundit është një proces ku banka pranon të zgjasë afatin e shlyerjes së borxhit për kredimarrësin si dhe të ulë normën e interesit duke e lehtësuar kështu nga pagesat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button