Ekonomia

Zbulohet evazioni i lartë i naftës vendase, paguan vetëm 50% të taksave

Prodhimi i naftës vendase ka shënuar një shumëfishim në muajt e parë të këtij viti, teksa rafineria e ARMO është rivënë në punë, pasi u mor në përdorim nga kompania offshore IRTC në shtator-tetor të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, ne relacionin për zbatimin e buxhetit për mesvitin, për 5 mujorin, prodhimi i naftës vendase arriti në 69,243 ton, me një rritje prej 23.7 herësh në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga 207 mijë ton, që ishte konsumi total për të njëjtën periudhë, prodhimi vendas rezulton të ketë zënë 33% të tregut.

Ministria e Financave, në relacion thekson se karburanti prodhim vendas, ka qenë kontribuuesi kryesor në të ardhurat doganore, duke udhëhequr rritjen e të ardhurave me 3.04 miliardë lekë. Në total të ardhurat nga akciza e prodhimit vendas të naftës ishin 27.6 herë më të larta, se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke arritur në total 3.1 miliardë lekë.

Por, këtu këputet zinxhiri. Financat raportojnë vetëm këtë shumë të paguar nga karburantet vendase, ndërsa ky zë mungon në tabelën tjetër, që flet për kontribuuesit pozitivë në të ardhurat nga TVSH. Ndonëse në 5 muajt e parë të vitit u prodhuan 23.7 herë më shumë naftë, ose rreth 66 mijë ton më shumë, kjo rritje e prodhimit nuk ka pasur asnjë kontribut në të ardhurat nga TVSH.

Sipas të dhënave të përllogaritura nga Monitor, nga informacioni zyrtar i financave rezulton se nga prodhimi vendas i naftës është paguar vetëm rreth 40 lekë për litër (pra vetëm akciza, që është fikse 37 lekë për litër, por pagesa varion në bazë të densitetit të deklaruar të naftës), ndërkohë që taksimi minimal për një litër naftë është minimumi 80 lekë për litër (përfshirë TVSH-në që është 20%, taksë qarkullimi fiske prej 27 lekë për litër dhe taksë karburanti prej 3 lekë për litër).

Për një prodhim prej rreth 66 mijë ton më shumë, me një çmim minimal prej 140-150 lekë për litër, TVSH e arkëtuar shtesë për 5 mujorin nga nafta vendase duhet të ishte të paktën 2-2.2 miliardë lekë. Por në tabelën e financave për tabelën e kontribuuesve pozitivë në TVSH, kontribuuesi kryesor janë metalet bazë dhe artikujt e tyre me 686 milionë lekë, ndërsa prodhimi vendas i naftës nuk përmendet fare, ndryshe nga tabela e akcizës, ku është kryesori.

Nga këto të dhëna rezulton se nga prodhimi vendas është arkëtuar vetëm akciza. Sipas legjislacionit në fuqi momenti i pagesës së detyrimit të akcizës është hedhja për konsum e produktit. Shoqërimi i të gjitha procedurave të deklarimit bëhet nëpërmjet Dokumentit Shoqërues Administrativ DSHA. Të gjithë subjektet që përpunojnë produkte të akcizueshme detyrimisht pajisen me statusin e Depozituesit të Miratuar  (Magazine Fiskale) nga administrata doganore. (pra kur del nga prodhimi drejt magazinës fiskale, paguhet automatikisht akciza). Çdo subjekt duhet të garantojë detyrimet e Akcizës me lëvizje prodhim depozitim. Deklarimi dhe pagesa on- line bëhet nëpërmjet modulit kompjuterik të instaluar pranë Operatorëve.

Pasi del nga magazina fiskale dhe hidhet në treg duhet paguar taksat e tjera, TVSH, taksa e karbonit dhe e qarkullimit.

Ministria e Financave nuk iu përgjigj kërkesës së Monitor lidhur me totalin e taksave të arkëtuara nga nafta vendase në gjysmën e parë të vitit.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button