Ekonomia

Gjermeni: Kredi vetëm për ata që kishin kontratë

1590 familjeve të pastreha nuk do t’u ndërpritet marrja e kredisë së lehtësuar

Nga Zamir Alushi

Takimi GjermeniKreditimi i të pastrehëve vazhdon për disa kategori, ndërkohë që po verifikohen dosjet e miratuara nga pushteti vendor. Ky sqarim u bë dje nga ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, në një takim me drejtuesit e Entit Kombëtar të Banesave. Ministrja Gjermeni u ndal kryesisht te programi i kreditimit të lehtësuar, si një nga çështjet me impakt të jashtëzakonshëm social. “Ky proces nuk është ndërprerë në asnjë moment për familjet e punonjësve të rendit të rënë në detyrë apo familjet qiramarrëse, të cilat do të lirojnë banesat e pronarëve mbështetur në aktin normativ, dy kategori këto që përfitojnë kredi me interes 0%. Programi nuk është pezulluar as për personat që janë vlerësuar nga organet e qeverisjes vendore për përfitim të kredive me interes 3%, të cilët kanë hyrë në marrëdhënie kontraktuale me shitësit e banesave dhe rrezikojnë të humbasin paratë”, – nënvizoi ministrja Gjermeni. Ajo deklaroi se borxhi i gjetur në këtë sektor ka qenë rreth 3 miliardë lekë (të vjetra) dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka planifikuar financimin e subvencionit të kredisë në përputhje me fondet buxhetore. Bashkëpunimi me shoqatat e ndërtuesve për të blerë stoqe ndërtimesh aktualisht duket se nuk ka funksionuar, pasi çmimet nuk janë të përballueshme nga shteti. Pavarësisht kësaj, ministrja u shpreh se stoqet e ndërtimeve janë ende një mundësi. “Ne kemi parë dhe do të shohim mundësinë edhe me Shoqatën e Ndërtuesve edhe me të gjithë firmat ndërtuese për të blerë apartamente, të cilat janë stoqe për të zgjidhur situatën e qytetarëve në nevojë”, u shpreh Gjermeni.

1590 familje

Shifrën mbi mundësitë reale të ministrisë për strehimin gjatë vitit 2014, e mësojmë nga një dokument i miratuar nga qeveria, që përshkruan objektivin dhe planifikimin e tavanit buxhetor për këtë institucion. “Të sigurojë kushtet për strehimin e rreth 50% të familjeve që kanë lidhur kontratë kreditimi me bankën e nivelit të dytë, të caktuar nga qeveria për lëvrimin e huas”. Ky është formulimi i objektivit zyrtar i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Po sa është numri i saktë i atyre që e kanë marrë ose do ta marrin kredinë e lehtësuar si të pastrehë, deri në fund të vitit 2014. Duke iu referuar tabelës së planifikimit buxhetor, zbulojmë se numri i familjeve përfituese është 1590, ndërsa fondi i caktuar është 280 milionë lekë. Duke iu referuar planifikimit buxhetor të vitit 2014, lidhur me banesat sociale, janë 658 familje të cilat do të sistemoheshin në 922 apartamente të tilla me qira të ndërtuara deri tani.

Verifikimi

Drejtorja e Entit Kombëtar të Banesave, Doris Andoni, foli për procesin e verifikimit të përfitimit të kredive. Ajo theksoi se procesi i kontrollit të dosjeve të qytetarëve që ka filluar në muajin prill, deri tani ka përfunduar në 8 bashki. “Në proces janë edhe bashkitë e tjera. Në Bashkinë e Tiranës nuk jemi lejuar të hyjmë. Janë verifikuar me metodën e përzgjedhjes rastësore rreth 250 dosje. Shkeljet kryesore të evidentuara kanë të bëjnë me mangësi në dokumentacion”, – theksoi ajo.

Eficenca e energjisë

Andoni njoftoi të pranishmit edhe mbi projektet e banesave me kosto të ulët dhe me parametra të eficencës së energjisë që enti po zbaton në disa bashki të vendit, në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara me kryetarët e bashkive të Fierit, Beratit, Korçës dhe Lushnjës, si dhe për projektin e adaptimit të një godine jofunksionale në godinë banimi në bashkëpunim me Bashkinë e Burrelit.

Trajtimi i romëve

Duke folur për realizimin e projekteve për komunitetin rom, Andoni informoi se enti është fokusuar në zonat ku ky komunitet është më i përqendruar. Kështu, në Bashkinë e Lushnjës, vazhdon një projekt në vlerë 30 milionë lekë dhe në Komunën Otllak të Rrethit të Beratit në vlerën 15 milionë lekë.

Banesat sociale – Për 2014, janë planifikuar 658 familje për t’u sistemuar në 922 apartamente të ndërtuara deri tani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button