Bota

Itali: Tërmeti në Iskia, dy viktima e dhjetëra të lënduar

Ka shkaktuar dy viktima dhe të paktën 39 të plagosur tërmeti i magnitudës 4 ballë që goditi mbrëmjen e së hënës ishullin italian të Iskias. 
Mediat italiane thonë se të paktën 10 persona të tjerë janë të humbur pasi ndërtesat në qytezën Kazamiçola u shembën. Mbrojtja Civile në Romë tha se një nga viktimat, një grua, ishte vrarë pasi ishte goditur nga blloqet e gurit që binin nga kisha e Santa Maria del Suffragio.
Skuadrat e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës për të shpëtuar të bllokuarit nën rrënoja, mes të cilëve edhe fëmijë. Ekipet kanë mundur të shpëtojnë madje një bebe 7-muajshe nga rrënojat, orët e para të mëngjesit të së martës. Kërkuesit e cilësuan këtë një mrekulli.
Ishulli pranë brigjeve të Napolit ka një popullatë prej rreth 50 mijë banorësh dhe është shumë i frekuentuar nga turistët. Fotografitë e shpërndara në mediat sociale tregonin dëmet e mëdha që i janë shkaktuar ndërtesave, përfshirë edhe një kishë historike. Raportet thonë se edhe një spital është evakuuar për shkak të dëmeve të pësuara.
Ekipet e emergjencës janë transportuar me traget dhe helikopterë drejt ishullit, ndërkohë që një pjesë e tyre ndodhej në ishull për shkak të zjarreve të lokalizuara atje më herët. Ndërsa Instituti Kombëtar italian i Gjeofizikës dhe Vullkaneve e ka përcaktuar si një tërmet 4-ballësh, ndërsa homologët e tij evropianë dhe amerikanë flasin për një lëkundje toke 4.3-ballëshe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button