Bota

Macron në Europën Lindore: Ende shumë ujë në verën franceze

Gjatë vizitës së tij në Europën Lindore dhe Qendrore, presidenti francez, Emmanuel Macron ka kërkuar ndryshime rrënjësore për të luftuar dumpingun e rrogave në BE. Por sa do ta mbështesin atë partnerët europianolindorë?

Ajo që në Salzburg u duk si një lojë e lehtë për presidentin francez, Emmanuel Macron, doli një kauzë e vështirë në Bukuresht dhe Varna. Në Austri, Macron ra shpejt në ujdi me kancelarin austriak, Christian Kern që të veprojnë së bashku kundër dumpingut të rrogave në BE. Mbështetje për reformimin e direktivave europiane për punëmarrësit e dërguar premtuan edhe Sllovakia dhe Çekia. Por kryeministri sllovak, Robert Fico nuk la pa përmendur, se ujdisë europiane duhet t’i bashkangjiten Hungaria e Polonia, vende që dërgojnë veçanërisht shumë punëtorë në vendet e BE-së. Kjo qëndron. Sepse për një ujdi të re duhet të bien dakord të gjitha vendet e BE-së.

Polonia bllokon

Nga ana tjetër Fico ndoshta e dinte se Polonia do të kundërshtonte. Sipas kryeministres polake Beata Szydlo ky vend nuk do të miratojë një reformë që bie ndesh me interesat e punëtorëve të vendit të tij. E refuzimi nga Varshava erdhi vërtet që gjatë zhvillimit të takimit të Macron me presidentin rumun, Klaus Iohannis në Bukuresht të enjten. Para gazetarëve, Szydlo theksoi se, Polonia nuk do ta ndryshojë deri në fund qëndrimin e saj për këtë çështje. Një këmbëngulje që shkaktoi reagime të mëdha që do të zgjasin ndoshta deri në samitin social të BE-së në tetor.

Edhe në Bukuresht dhe në Varna mbështetja për Macron nuk ishte aq e lehtë siç u mendua. Si Iohannis edhe presidenti bullgar, Rumen Radev i premtuan presidentit francez, bashkëpunim për të mënjanuar padrejtësitë në drejtim të dumpingut të rrogave dhe shërbimeve sociale, por ata i kujtuan atij edhe të drejtat e punëmarrësve dhe firmave që konkurrojnë në tregun e lirë europian.

“Shpirti europian” dhe Macron

Edhe Macron është i vetëdijshëm për vështirësitë. Për të çuar deri në fund një reformë të tregut europian të punës, të mbështetur edhe nga kancelarja Merkel, ai është i gatshëm për kompromise. Kështu në këmbim ai i ofroi homologut rumun e bullgar mbështetje për hyrjen e këtyre vendeve në hapësirën Schengen.

Por më së voni pas kësaj vizite në Europën lindore, ai duhet ta ketë kuptuar se është e njëanshme mënyra si e kupton ai “shpirtin europian”. Numri i punëmarrësve të dërguar brenda BE kap më pak se 1% të numrit të përgjithshëm të punëmarrësve në BE, pra një shifër mjaft e ulët. Të bësh ata përgjegjës për papunësinë në Francë është një përpjekje pët të larguar vëmendjen nga problemet e vjetra strukturore të vendit.

Kështu janë rregullat e lojës…

Por Macron duket se ka harruar, se rrjetet e supermarketeve si Carrefour apo Auchan i kanë nxjerrë jashtë loje ofruesit e vegjël të supermarkteve në Europën Lindore. Kështu janë rregullat e lojës për hapësirën e tregtisë së lirë në Francë, hapësirë nga e cila përfitojnë edhe firmat franceze. Të mbrosh tregun e punës në BE përmes masave proteksioniste është sinjali më i gabuar për “shpirtin europian”.

Por që Macron reagoi i zemëruar ndaj qëndrimit polak në Varna kjo mund të kuptohet. Sigurisht ai ka të drejtë kur thotë, se “Polonia nuk është vendi që përcakton drejtimin nga do të shkojë Europa”, por as Franca vetë nuk e përcakton e vetme drejtimin e Europës. BE duhet të gjejë rrugë se si ta zvogëlojë hendekun social e ekonomik brenda unionit. Vizita e Macron në Lindjen europiane sigurisht do të sjellë lëvizje në debatin e ngrirë për këtë çështje. Por dëshira e tij që reforma sociale në BE të jetë gati deri në fund të tetorit është ende larg realizimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button