Politika

Rama: Administrata në testim. Do të qëndrojnë më të mirët

Kryeministri Edi Rama tregoi se si do të bëhet bashkimi i disa dikastereve në qeverinë e re. Ai tha se nuk do të ketë një shkrirje mekanike, por burimet njerëzore në administratë do të testohen për të mbajtur më të mirët.
“Burimet njerëzore janë të nevojshme. Nga pikëpamja e cilësisë së tyre, bazuar në ligjin e nënpunësit civil, në rastet kur ata janë në shërbimin civil, ne do të ndjekim një proces shumë të arsyeshëm dhe do të bëjmë testime për cilësinë e burimeve njerëzore. Që do të thotë që nuk do të kemi një prerje me thikë se cila ministri e drejtori shkrihet brenda një tjetre sjell automatikisht largimin nga puna të atyre që janë në atë ministri apo drejtori”, shpjegoi Rama.
Kryeministri tha se beteja me kanabisin është fituar dhe se vitin tjetër i jepet fund përfundimisht këtij fenomeni: “Qeveria e ka fituar betejën me kanabisin. Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë e konfirmojnë se terreni është tërësisht i pastruar nga kjo mortje. BE është e informuar në kohë reale për progresin”.
Qeveria po përgatit një plan operacional të detajuar për të goditur përfundimisht grupet kriminale, duke bllokuar edhe asetet e tyre financiare.
“Do të shtrijmë këtë proces deri kur feudali i fundit të jetë dorëzuar sepse historia e Shqipërisë së ndarë mes feudësh dhe të fortësh është një histori e vjetër e trashëguar dhe është e papranueshme. Kush ka pasuri të çfarëdollojshme, nga pasuria e madhe me 4 rrota deri tek pasuritë e mëdha me shumë kate dhe nuk ka bërë një punë në jetën e vet, do të duhet të justifikojë pasuritë ose përndryshe do të kalbet në burg”, premtoi Rama.
Kreu i qeverisë flet edhe për një tjetër marrëveshje të mundshme me Lulzim Bashën në të ardhmen, duke vlerësuar atë të 18 majit: “Nuk e paragjykoj. Pati disa aspekte negative për shkak të përfshirjes së disa personave në atë proces, por ishte padyshim një marrëveshje që i bëri shumë mirë vendit”.
Dhe vetëm pak orë përpara mbajtjes së dy seancave të njëpasnjëshme në Parlament të shtunën, Edi Rama përfundoi në Velipojë takimin e dytë me kabinetin e ri qeveritar, njësoj hermetik si ai i Llogarasë, ku është diskutuar përgjatë dy ditëve për mënyrën sesi shkrirja e ministrive dhe institucioneve nën varësi do të funksionojë, ndërsa qeveria “Rama 2” tashmë i ka gati piketat e drejtimit të vendit në çdo sektor. Në fund të saj, Edi Rama shkruan përmes Twitter-it atë çka duket se ka qenë në fokus të takimit informal, “gati për të nisur rrugën e re, lehtësimin drastik të burokracisë për qytetarët dhe biznesin, fuqizimin e shërbimeve dhe rritje të ekonomisë mbi 5% në vitin 2019”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button