Ekonomia

Luniku: Është tronditur besimi tek Banka e Shqipërisë

lunikuIsh-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kristaq Luniku thotë se me ngjarjet e fundit, Bankës Qendrore i është dëmtuar besueshmëria dhe se duhet punuar për ta rikthyer sa më shpejt këtë besim. Zoti Luniku, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se problemet themelore të Bankës Qendrore, janë ato të drejtimit, administrimit dhe përgjegjësisë që duhet të mbajnë guvernatori dhe Këshilli Mbikqyrës. Zoti Luniku, aktualisht Këshilltar për Strategjinë në Bankën Botërore, mendon se parlamenti ka një rol të rëndësishëm për të zgjidhur problemet me këtë institucion në mënyrë që ato të mos përsëriten më. Zoti Luniku, që drejtoi Bankën e Shqipërisë në periudhën 1994-1997, tha ne një intervistë për “Zëri i Amerikës” se nuk ka rëndësi nëse drejtuesit janë nga brenda ose jashtë vendit, por që sistemi të funksionojë.

Zoti Luniku, në fillim desha t’ju pyes, gjithë këto ngjarje që kanë rrethuar vjedhjen e bankës, që nga vetë vjedhja, arrestimi i guvernatorit dhe vetë problemet tek Këshilli Mbikqyrës, mendoni se do të kenë një ndikim tek stabiliteti financiar i Shqipërisë?

Pyetja është shumë legjitime dhe ndoshta është në mendjen e çdo ekonomisti, apo qoftë dhe individëve në Shqipëri. Dy gjëra do të theksoja. E para është pavarësia e Bankës Qendrore. Në çdo vend, në çdo shtet Bankat Qendrore janë institucione tepër të rëndësishme për vetë faktin e funksioneve dhe objektivave që ato kanë. E dyta kapitali i Bankës Qendrore është besimi në mënyrën e administrimit të parasë, është besimi në efektivitetin e politikës së saj monetare, është besimi në mënyrën sesi liçencon, rregullon bankat e nivelit të dytë dhe në mënyrë të përgjithshme, si siguron qëndrueshmërinë monetare dhe stablitetin e sistemit financiar. Kuptohet që ngjarjet e fundit kanë lëkundur, kanë dëmtuar kredibilitetin dhe besimin në një aspekt të caktuar, atë të administrimit të parasë; ka treguar se ka mangësi në mënyrën e kontrollit, operacioneve, mbikqyrjeve të brendshme dhe funksionimit të brendshëm në Bankën Qendrore. Besoj se Banka Qendrore është në një proces të revizionimit të këtyre funksioneve dhe të sigurimit të një situate të brendshme të mirë sa më shpejt të jetë e mundur. Sistemi financiar në Shqipëri mesa kuptoj, është i qëndrueshëm, ka problemet e tij, ekonomia shqiptare është e qëndrueshme, ka arritur të përballojë me sukses krizën globale të vitit 2008, por problemet vazhdojnë të ekzistojnë dhe janë probleme serioze.

Çfarë përgjegjësie mendoni ju se mbante guvernatori, duke pasur parasysh se vjedhje në banka ndodhin edhe në vende të tjera, por cila është përgjegjësia e drejtuesve kur ndodh një gjë e tillë?

Mesa kuptoj unë ka një proces ligjor i cili do të nxjerrë edhe përgjegjësitë e drejtuesve të Bankës Qendrore, por duke pasur një situatë dhe një çarje në problemet e kontrollit, auditimit, të mbikqyrjes të vazhdueshme kuptohet që Këshilli Mbikqyrës, ekipi drejtues i Bankës Qendrore kanë përgjegjësi për këtë situatë.

Duke pasur parasysh mënyrën sesi u zhvilluan ngjarjet, a mendoni se refuzimi për të dhënë dorëheqjen i guvernatorit, e keqësoi edhe më shumë situatën, si të thuash pati një efekt domino në kuptimin e përshtjellimit të madh publik?

Ndoshta në publik, unë nuk shoh ndikim në tregun financiar, (fakti) nëse donte të qëndronte (guvernatori) ose jo. Problemi që unë shoh është që Banka ka nevojë për një adresim të këtij besimi pra, sepse ky është kapitali i Bankës Qendrore, në mënyrë të rrufeshme, të përmirësimit të drejtimit, përmirësimit të operacioneve të saj qoftë monetare, të emisionit të parasë, sepse shumë pyetje mund të ngrihen, nëse ekzistojnë të tilla mangësi në drejtim. A ekzistojnë të tilla mangësi në supervizimin e bankave të nivelit të dytë, a ekzsitojnë të tilla mangësi në proceset e operacioneve të administrimit të rezervës valutore të Bankës Qendrore, a ekzistojnë të tilla mangësi në drejtim të politikës monetare të Bankës Qendrore. Pra sa më shpejt këto adresohen, kuptohet që aq edhe më mirë do të jetë qoftë për rivendosjen e besimit në publik, por edhe përforcimin e besimit të bankës qendrore në Shqipëri në (këndvështrimin) afatmesëm dhe afatgjatë.

Dhe unë pikërisht këtu e kisha fjalën dhe po të marrim vetëm një element për shembull të veprimeve të Këshillit Mbikqyrës, që një javë më parë nuk merr masë kundër guvernatorit dhe pasi realizohet arrestimi i tij, atëherë menjëherë mblidhet për të marrë masa për të mos ta lënë pa drejtim Bankën Qendrore. Mendoni se ka një problem strukturor tek ky këshill?

Keni absolutisht të drejtë, sepse qëndrime të tilla krijojnë shqetësime dhe pikëpyetje në publik, në institucione të tjera, sesi drejtohet institucioni. Për mendimin tim një nga problemet themelore që ka Banka Qendrore, është problemi i drejtimit, i administrimit, i përgjegjësisë, i raportimit, i monitorimit, duke përfshirë edhe Këshillin Mbikqyrës të Bankës Qendrore dhe pa dyshim drejtuesin e saj dhe më poshtë drejtuesit e departamenteve dhe funksionimin e Bankës Qendrore. Unë jam plotësisht dakord me ato që thatë dhe këto situata nuk duhet të ndodhin në një Bankë Qendrore, sepse lëkundin edhe më tepër kapitalin dhe besimin e saj. Dhe ndërkohë që e dëmton atë, është shumë e vështirë për ta rivendosur.

Ju mendoni që këto hapa do të vareshin tashmë thjesht nga ata persona që janë të përfshirë në Këshill, apo nga një përfshirje më e madhe, nga një ndryshim kulture si të thuash?

Unë shpresoj që ky është një mësim themelor, jo vetëm për Bankën Qendrore dhe Këshillin Mbikqyrës dhe institucionin, por është një mësim edhe për politikën shqiptare. Këto janë çështje të rëndësishme të një vendi. Pati shumë debate se përse përfshihet politika, pse nuk përfshihet politika. Është e paevitueshme që do të përfshihet. Problemi është nëse kjo bëhet në politikë rrugësh, apo bëhet në parlament. Parlamenti duhet të jetë përgjegjës dhe duhet të marrë përsipër dhe t’i tregojë këtij vendi që është shumë i shqetësuar dhe si t’i adresojë këto probleme. Prandaj unë mendoj që ky është një mësim që duhet filluar në të gjitha nivelet në mënyrë që të tilla situata të mos ngjasin më.

Pra a jeni dakord në një farë mënyre, që kjo është edhe një simptomë e brishtësisë së institucioneve në Shqipëri, ose më saktë i nxorri këto dobësi në pah?

Pa dyshim!

Një nga idetë e hedhura këto kohë është se ndoshta do të ishte më mirë që guvernatori i ardhshëm të zgjidhej mes ekspertëve shqiptarë jashtë vendit dhe kryeministri Edi Rama ka hedhur një propozim publikisht edhe për anëtarët e Këshillit Mbikqyrës që (ekspertë të tillë) të konkurrojnë për postet e Këshillit Mbikqyrës. Cila është idea juaj për këtë?

Në qoftë se fokusohemi vetëm në këtë çështje, atëherë bie që gjithçka që folëm më përpara nuk ka vlerë. E rëndësishme është që duhet të jetë një person i cili -dhe qoftë edhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës-persona që kanë një eksperiencë të gjatë në rregullimet makro-ekonomike, ekonomistë me eksperiencë në drejtim të politikave monetare dhe sistemeve bankare. Nëse është i huaj (nga jashtë) apo i brendshëm, pak rëndësi ka. Ajo që është më e rëndësishme është që duhet të jetë një sistem që funksionon. Ana e mirë e asaj që bëri kryeministri shqiptar do të thoja, është që e hapi këtë proces më transparent dhe ky është një hap i parë drejt përmirësimit të funksionimit të këtyre institucioneve. Pra e bën më transparent këtë proces. Por nga ana tjetër, Bankat Qendrore, këto pozicione nuk janë probleme konkursesh, janë pozicione shumë delikate dhe të rëndësishme. Megjithatë është një hap shumë pozitiv.

Ju keni interes dhe do të konkurroni?

Jo, nuk besoj se do të konkurroj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button