Bota

Çfarë monedhe do të kishte një Skoci e pavarur?

skociNga Nicole Goebel

Në 18 shtator, sot, zgjedhësit skocezë votojnë nëse vendi i tyre do te shpall pavarësinë apo mbetet në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo që nuk vendosin dot është çfarë monedhe do të kenë në fund në portofol. Një vështrim mbi mundësitë. Investitorët i tremben pasigurisë si vampirët dritës. Pasi pasiguria i gërryen dhe i bën të marrin arratinë. Shembulli i Skocisë: ndoshta së shpejti do të jetë e pavarur, por askush nuk e di se çfarë monedhe do të ketë së afërmi dhe në çfarë forme. Kjo nuk u pëlqen aspak investitorëve dhe ekonomisë. Çështja e monedhës është debatuar ashpër si në fushatën pro pavarësisë rreth kryetarit të Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) Alex Salmond, ashtu edhe në fushatën kundër pavarësisë “Better Together” përreth Alistair Darling, gjithashtu skocez. Ndonjë rezultat konkret debati nuk ka pasur. “Pjesa më e madhe e argumenteve janë të vagullta. Nuk ka pasur negociata dhe cilësia e informacioneve që kanë në dispozicion zgjedhësit skocezë është shumë e turbullt”, thotë Ewen Cameron Watt nga kompania e investimeve BlackRock në bisedë me DW. BlackRock është administratori më i madh i pasurisë në botë. Tregu fillimisht reagoi me indiferencë ndaj debatit për pavarësinë pasi përkrahësit e saj për kohë të gjatë ishin në minorancë. Derisa një sondazh në fillim të shtatorit tregoi një rritje të qartë për fushatën e përkrahësve të pavarësisë dhe një javë më vonë madje ata dolën në avantazh me 51 për qind. Menjëherë paundi ra në nivelin më të ulët që prej dhjetë muajsh dhe indeksi britanik FTSE 100 shënoi humbje. “Një fitore e fushatës pro pavarësisë do të ketë me siguri ndikim mbi paundin por Banka e Anglisë na ka siguruar se do të garantojë stabilitetin financiar sido që të jetë vota”, thotë Watt. Analistët e Morgan Stanley besojnë madje se një votë për pavarësinë mund të shkaktonte një humbje prej 7 deri 8 për qind të paundit. Një valutë më e dobët është vërtet e mirë për eksportet por e dëmshme për klimën e investimeve. Britania e Madhe sipas statistikës së OECD-së të vitit 2013 ka pasur volumin më të madh të investimeve direkte të huaja në krahasim me gjithë vendet e tjera evropiane.

Negociata të gjata?

Ajo që i shqetëson më shumë investitorët dhe sipërmarrësit në rast të një vote pro pavarësisë janë me shumë gjasa negociatat e gjata dhe të vështira që do t’i duhej Skocisë të zhvillonte me qeverinë në Londër. Pjesa më e vështirë: si mund të ndahen borxhet shtetërore dhe a mund ta ketë edhe më tej paundin Skocia? Sipas Alex Salmond negociatat mund të përfundonin shpejt pas zgjedhjeve parlamentare majin e ardhshëm. Watt është skeptik: “Nuk e besoj që një union 307 vjet i vjetër të shpërbëhet plotësisht brenda 18 muajsh pikërisht sepse janë në prag edhe zgjedhjet.” Salmond dhe përkrahësit e tij favorizojnë një union monetar me pjesën tjetër të Britanisë së Madhe. Por si fushata kundër pavarësisë ashtu edhe dhoma e ulët e Parlamentit britanik e refuzojnë në mënyrë kategorike këtë opsion. “Qeveria skoceze beson se kjo problematikë nuk është shumë e vështirë për t’u zgjidhur pasi një union monetar do të ishte në interes të gjithë ekonomisë britanike, por pikërisht për faktin se ai përfaqëson një pozicion politik aq të fortë mendoj se ky vlerësim i qeverisë skoceze është shumë optimist”, thotë Watt.

Të ruhet paundi …krejt zyrtarisht?

Një temë shumë e rëndësishme në rastin e një shkëputjeje të Skocisë nga Britania e Madhe do të jenë borxhet dhe pyetja se sa shumë borxhe do të marrë përsipër Skocia. „Meqenëse nuk është e mundur të transferohet thjesht pjesa e Skocisë, pjesa tjetër e Britanisë së Madhe do të vazhdojë një herë për një herë të jetë përgjegjëse për borxhet dhe Skocia duhet të shlyejë pjesën e saj në 10 deri 20 vitet e ardhshme“, thotë Monique Ebell nga Instituti Kombëtar për Kërkime Ekonomike dhe Sociale (NIESR) në bisedë me DW.
Salmond dhe lëvizja e tij pro pavarësisë theksojnë vazhdimisht se nga një union monetar do të përfitonte edhe ekonomia pasi kostot e transaksioneve do të ishin të ulëta. Pjesa tjetër e Britanisë së Madhe do të ishte partneri më i rëndësishëm tregtar i Skocisë. “Unioni monetar i ofron vërtet avantazhe të tilla, por ne mendojmë se rreziqet predominojnë pasi unioni monetar mund të shpërbëhej shumë lehtë”, beson Ebell.
Ebell kujton unionin e dështuar monetar mes Sllovakisë dhe Cekisë në vitet 1990, kur kapitali u tërhoq në masë nga Sllovakia dhe u dërgua në Ceki, çka pati si pasojë një krizë financiare. Edhe për investitorët një “union i stërlinës do të ishte zgjidhja më e pavaforshme …pasi ajo sjell shumë disavantazhe pra një monedhë të përbashkët pa sovranitet të përbashkët”, thotë Watt.

…ose jozyrtarisht?

Megjithëse kundërshtarët e pavarësisë theksojnë vazhdimisht se një Skoci e pavarur nuk mund ta ruajë paundin si monedhë kombëtare, Skocia mund ta fusë atë pa problem si valutë jozyrtare. Kundër të ashtuquajturit përdorim informal të stërlinës apo “sterlingization” qeveria në Westminster mund të bëjë shumë pak. Por në këtë rast Skocia nuk do të kishte një bankë qendrore të vetëm dhe nuk mund të shtypte paratë e vetë shtesë për të furnizuar me likuiditet bankat në kohë krize. Meqenëse shërbimet financiare janë dega e dytë më e rëndësishme e ekonomisë së Skocisë pas naftës dhe gazit, kjo duhet peshuar mirë. Panamaja ka një model të tillë, nuk ka valutë të vetëm, pasi atje përdoret në mënyrë informale dollari amerikan. Hong Kongu ka një kurs fiks këmbimi me dollarin amerikan por në krahasim me Skocinë ka avantazhin se ka edhe rezerva të mëdha valutash të huaja, që mund t’i shërbenin si amortizator qeverisë në rast krizash. Megjithatë Watt nga BlackRock e sheh “sterlingization” si opsionin “më të mundshëm në periudhë afatshkurtër” dhe pra edhe si “zgjidhjen më të mundur”.

…apo më mirë hyrja në euro?

Salmond është shprehur për anëtarësimin e Skocisë në BE por kundër euros. “Askush nuk mund të detyrohet t’i bashkohet euros”, tha Salmond në Belgjikë në fund të gushtit. “Kjo është një çështje që zgjidhet mbi baza vullnetare. Meqenëse Anglia është tregu ynë më i madh duam të ruajmë paundin”, tha më tej Salmond. Por BE parashikon që të gjithë kandidatët për anëtarësim dhe shtetet e reja anëtare të fusin dikur euron në qarkullim. Kandidatët për anëtarësim fillimisht duhet ta lidhin monedhën e tyre me euron përpara se ta fusin zyrtarisht si mjet pagese.

…po një monedhe kombëtare?

Meqenëse Skocia që tani shtyp kartmonedha skoceze të stërlinës, ajo ka kapërcyer një pengesë në rrugën drejt një monedhe kombëtare. “Skocia do ta fillonte jetën e saj të pavarur me borxhe shumë të larta, ne parashikojmë rreth 86 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Për këtë arsye një union monetar do të ishte një këmishë force pasi kështu Skocia do të kishte nje hapësirë shumë të vogël veprimi”, thotë Monique Ebell për DW. Skocia nuk do të ishte në gjendje të mbushte vrimat në buxhet nëse nuk mund të zhvlerësojë monedhën e saj dhe nuk mund të ushtrojë politikë monetare, thotë Ebell. Këto kufizime janë të vërteta si në rastin e unionit monetar të stërlinës ashtu edhe të anëtarësimit në euro.

Sido të vijë puna, gjithnjë të besueshëm!

Fushata pro pavarësisë thotë se në rast të shkëputjes nga Mbretëria e Bashkuar, Skocia do të marrë pjesë në pasuritë dhe detyrimet e Britanisë së Madhe. Megjithatë Salmond së fundi ka kërcënuar se nuk do të merren përsipër aspak borxhe nëse Westminstër do të bëhet pengesë për unionin monetar zyrtar. Dhe ja pra ku është përsëri frika nga pasiguria që i trazon investitorët. “Do të ishte me siguri sinjali i gabuar”, thotë Ebell, pasi me siguri edhe Skocisë do t’i duhet të financohet në tregjet e kapitalit. Dhe kush fiton famën e keqe të atij që nuk paguan borxhet, humbet të gjitha pikët tek investitorët.”Vlera e një monedhe është reputacioni i saj … një vend i pavarur duhet fillimisht të provojë se është një kredimarrës i besueshëm, duhet të gëzojë famën e administruesit të mirë të buxhetit.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button