Amerika

Del në treg libri i ri i Hillary Clinton-it, “Çfarë ndodhi”

Si pothuajse gjithçka që ka të bëjë me Hillary Clintonin, edhe libri i saj i titulluar “What Happened”, “Çfarë ndodhi”, ka ngjallur reagime të kundërta. Është grupi që e priti me padurim dhe që mendon se shumë faktorë sollën humbjen e saj dhe libri i përshkruan ato me vërtetësi. Por janë edhe ata që urojnë që Hillary Clinton të mos monopolizojë më qendrën e vëmendjes dhe të largohet nga skena, pasi është vetë fajtore për humbjen.

Në librin e saj që po përshkruhet si transparent dhe i mprehtë, zonja Clinton përjeton edhe një herë humbjen e saj, duke pranuar gabimet dhe duke mbrojtur strategjinë e fushatës së saj. Por libri kthen gjithashtu vëmendjen tek një garë që demokratëve ende nuk u besohet që e humbën. Zonja Clinton, megjithëse ka një reputacion se nuk pranon përgjegjësi për dështimet, i përshkruan gabimet e saj, duke e pranuar se ishte përgjegjësia e saj si kandidate që zgjedhjet u fituan nga Donald Trump, për të cilin ajo nuk i kursen kritikat, duke e quajtur në libër “një rrezik të qartë dhe të pranishëm për vendin dhe botën”. Ndërsa në një intervistë që dha për USA Today, zonja Clinton thotë se është e bindur se kishte pasur bashkëpunim mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës së zotit Trump. Po ajo përmend disa faktorë dhe persona që ajo beson se kontribuan në humbjen e zgjedhjeve. Ajo nuk i kursen kritikat për zotin Trump dhe përmend si arsye të tjera ndërhyrjen e hakerave rusë, akuzat ndaj saj nga drejtori i FBI-së James Comey; betejën përçarëse në zgjedhjet paraprake nga Bernie Sanders, si edhe seksizmin. Edhe ish-Presidenti Barack Obama, nuk përjashtohet në librin e saj. Ajo shkruan se pyet veten herë pas here se çfarë do të kishte ndodhur nëse Presidenti Obama do të kishte mbajtur një fjalim para kombit në vjeshtë të vitit të kaluar ku të thoshte se demokracia amerikane po sulmohej, duke iu referuar faktit që zoti Obama, ishte në dijeni të ndërhyrjes ruse. Ajo gjithashtu tregon se ish-presidenti i kishte sugjeruar që të mos ta sulmonte zotin Sanders në garën e demokratëve, megjithëse ajo donte ta thoshte hapur që planet e tij nuk ishin realiste dhe ishin më shumë ëndrra me sy hapur. Zonja Clinton i hedh poshtë në libër kritikave se fushata e saj nuk i kushtoi rëndësi pjesës qendrore të Amerikës dhe klasës së mesme. Ka nga ata që e quajnë ironik faktin që ajo do të shkojë të prezantojë librin në zonat të cilave nuk i kushtoi rëndësi dhe nuk arriti t’i fitonte. Zemërimin më të madh ajo e ka quajtur për zotin Comey. Ajo shkruan se të gjitha teoritë për arsyet e humbjes duhet të vihen përballë provave se po fitonte deri më 28 tetor, kur Jim Comey iu rikthye çështjeve të emaileve të saj duke thënë se po rihapte hetimin. Megjithëse e quan “budallallëk” përdorimin e serverit privat në Departamentin e Shtetit, ajo akuzon zotin Comey se e njollosi imazhin e saj dhe e konsideron të nxituar rihapjen e hetimit.

Shumë demokratë nuk e kanë pritur me entuziazëm rikthimin e saj në skenë, pasi druhen se mund të shkaktojë një tjetër betejë të brendshme në parti mes përkrahësve të saj më centrist dhe atyre më progresistë të zotit Sanders.

Zonja Clinton e quan presidentin Trump “një rrezik të qartë dhe të pranishëm për vendin dhe botën”.

Ajo shpreh gjithashtu pakënaqësinë ndaj asaj që e quan një mbulim të padrejtë nga media dhe thotë se mendon se pjesërisht ka të bëjë me faktin që është grua.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button