Kronika

Dyshime për pasuri të pajustifikuara të anëtarëve të Gjykatës së Lartë

Anëtarët e Gjykatës së Lartë zotërojnë së bashku një portofol prej 9.3 milionë dollarësh pasuri, ndërsa dhjetë prej tyre dështojnë të paktën me një vit në testin e kontrollit aritmetik-logjik, duke mos justifikuar më shumë se 65 milionë lekë në total. Materiali në vijim është produkt i bashkëpunimit mes VOA dhe rrjetit investigativ BIRN:

Dhjetë nga 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë në Shqipëri dështojnë të justifikojnë pasurinë e tyre të paktën në një vit të deklarimit, zbulon një studim i BIRN i bazuar në praktikën e kontrollit aritmetik dhe logjik të deklaratave të pasurisë.

Shuma e pajustifikuar kap vlerën e më shumë se 65 milionë lekëve ose rreth 7 për qind të portofolit total prej 1 miliardë lekësh, që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë zotëronin së bashku deri në fund të vitit 2015.

Dështimi për të paktën 1 vit në kontrollin aritmetik dhe logjik i dhjetë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë vjen si rezultat i mosjustifikimit të pasurisë me të ardhurat neto të subjekteve.

Nga totali prej 190 deklaratash të analizuara, 14 prej tyre rezultojnë me probleme pasi diferenca mes “të ardhurave neto” dhe rritjes së “aseteve” del me vlerë negative.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative analizoi deklaratat e pasurisë që 17 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kishin dorëzuar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive deri në mars të vitit 2016. Analiza e pasurisë u realizua në kontekstin e reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut, që pritet të startojë së shpejti për gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri.

Megjithatë, ky proces do ta gjejë Gjykatën e Lartë me 10 anëtarë, pas largimeve të njëpasnjëshme të 6 gjyqtarëve dhe dënimit për korrupsion të Majlinda Andreas.

Në fund të janarit 2017, gjyqtarja Mirela Fana dha dorëheqjen nga Gjykata e Lartë, duke deklaruar se do të vazhdonte jetën e saj akademike. Ndërsa në muajin korrik, katër gjyqtarë të tjerë dorëzuan detyrën me mbarimin e mandatit, ndonëse ligji parashikon që ata të qëndrojnë në detyrë derisa të zëvendësohen.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pasuria e anëtarëve të Gjykatës së Lartë sipas deklaratave të vitit fillestar kapte vlerën e rreth 381 milionë lekëve ose 3.4 milionë dollarë.

Ndërsa në fund të vitit 2015 rezulton se pasuria familjare e anëtarëve të Gjykatës së Lartë është rritur me 63 për qind në total, duke kapur vlerën e 1 miliardë lekëve ose 9.3 milionë dollarë.

Rritja e pasurisë reflektohet në nivele të ndryshme mes anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Të dhënat sugjerojnë që dy prej tyre e kanë shtuar me 25 për qind pasurinë, tre gjyqtarë e kanë dyfishuar atë, shtatë gjyqtarë e kanë trefishuar pasurinë dhe pesë prej tyre rezultojnë me rritje deri në 90 për qind krahasuar me vitin fillestar.

Njësoj si pjesa më e madhe e gjyqtarëve, edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë shenjestruar tregun e pasurive të paluajtshme për investimet e tyre. Deri në fund të vitit 2015, 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë zotërojnë së bashku pasuri të paluajtshme me vlerë 704 milionë lekë; ose 68 për qind të pasurisë totale të tyre.

Likujditetet-të ndara në llogari bankare dhe para cash përbëjnë zërin e dytë të rëndësishëm në pasurinë e gjyqtarëve të Lartë. Në fund të vitit 2015 rezulton që ata zotërojnë së bashku më shumë se 235 milionë lekë në llogari bankare dhe 55 milionë lekë në cash.

Detyrimet e 17 anëtarëve të Gjykatës së Lartë reflektojnë gjithashtu preferencën e tyre për investime në tregun e pasurive të paluajtshme. Të gjithë gjyqtarët së bashku deklarojnë një total prej 400 milionë lekësh detyrime, të cilat ndahen 53 për qind në kredi bankare dhe 43 për qind në borxhe ndaj shoqërive të ndërtimit.

Ndërsa huamarrja tek të afërmit apo miqtë- praktikë që haset shpesh në deklaratat e pasurive të gjyqtarëve, zë 5 për qind të totalit të detyrimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button