Home / Kosova / Dialogu Kosovë-Serbi, Thaçi në VOA: Të përfshihet edhe SHBA

Dialogu Kosovë-Serbi, Thaçi në VOA: Të përfshihet edhe SHBA

Pak pasi Aleksandar Vuçiç deklaroi se brenda tetorit do të përmbyllet dialogu i brendshëm mbi Kosovën, Presidenti i saj Hashim Thaçi i mëshon nevojës për një fazë vendimtare në bisedimet me Beogradin.
Dialogu mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë nuk ka alternativë, fqinjësia e mirë gjithashtu duhet të fitojë, u shpreh Thaçi për “Zërin e Amerikës”.
“Është në interesin e dy shteteve, të rajonit, por edhe në interesin e vetë investimeve të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, Serbi por edhe në rajon, sepse paqja Kosovë-Serbi nënkupton paqe dhe qëndrueshmëri për gjithë rajonin dhe perspektivë e sigurt euro-atlantike për Kosovën dhe europiane për Serbinë, pra do të jetë një rrethanë ku përfitues do të jenë të dy shtetet, por para së gjithash vlerat euroatlantike”, është komenti i kreut të shtetit të Kosovës.
Thaçi ka lënë të kuptohet se takimet mund të zhvillohen edhe në Shtetet e Bashkuara. Rolin kryesor sigurisht do ta ketë Bashkimi Europian, e në mënyrë të veçantë zonja Mogherini, thekson ai, por ka kërkuar si gjithmonë edhe përfshirjen aktive të Uashingtonit. Takimi i radhës mes tij dhe Vuçiçit mund të zhvillohet ndoshta edhe brenda 10-ditëshit të ardhshëm në Nju Jork.
I pyetur nëse do të këmbëngulë për njohjen e Kosovës nga Serbia, Presidenti shpjegon se po punohet për normalizimin e  plotë të marrëdhënieve shtetërore, por edhe pajtim mes dy popujve, ndërsa njohja, sipas tij, do të ndodhë në një të ardhme jo të largët.

Leave a Reply

%d bloggers like this: