Opinion

Shqipëria e kuislingëve

Lufta e Dytë Botërore, ndryshe nga luftrat e mëparshme, në një mënyrë ose në tjetrën e përfshiu të gjithë popullin shqiptar. Ajo shërbeu si një katalizator i madh social, ku klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare u diferencuan qartë përballë detyrës imperative të momentit, që ishte lufta kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar. Qysh në orët e në ditët e para të pushtimit, në krah të pushtuesit italian u evidentua qartë grupimi i kuislingëve dhe i kolaboracionistëve.

Nuk qe një rastësi, që ky grupim përfaqësohej nga pinjollë të bejlerëve, krerëve e bajraktarëve të mëdhenj të jugut e të veriut të Shqipërisë

Pëllumb Xhufi
Pëllumb Xhufi

, të asaj klase, që kishte qenë mbështetja kryesore e pushtetit osman dhe më vonë, shkaktare e destabilitetit dhe e dobësisë së shtetit shqiptar në dekadat e para të shek. XX. Shefqet Vërlaci, Eqrem Libohova, Eqrem bej Vlora, Kadri Cakrani, Qemal Vrioni, Kol Bib Mirakaj, Isa Toska, Preng Previzi, Vizhdan Risilia, Fiqiri Dine, Marka Gjoni, Muharrem Bajraktari, Xhafer Deva, Selim Kaloshi, Halil Alia, Hysni Dema janë disa nga emrat që i gjejmë në top-listën e kolaboracionistëve shqiptarë gjatë Luftës II Botërore.

Këtyre iu bashkuan edhe përfaqësues të veçantë të inteligjencës liberal-konservatore, si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, Skënder Muço, Ali Bej Këlcyra, Safet Butka, Bahri Omari, Mustafa Kruja, Koço Kota, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Hasan Dosti, Kolë Tromara, Vasil Andoni. Disa prej tyre ishin veteranë të Lëvizjes Kombëtare ku kishin përfaqësuar krahun konservator të saj, që pavarësimin e Shqipërisë dhe themelimin e shtetit shqiptar, e kishin parë jo aq shumë si rezultat i mobilizimeve të mëdha popullore, se sa si rezultat i konjukturave e traktativave politike.

Pozicionimin e tyre në krah të pushtuesit, përfaqësuesit e këtij grupimi heterogjen u munduan ta përligjin ideologjikisht me antikomunizmin dhe nacionalizmin e tyre. Në këtë kuptim, do ia vlente një analizë e sjelljeve dhe e qëndrimeve të elitës së vjetër shqiptare në vitet e Luftës II Botërore, për të parë se ç’qëndron e ç’nuk qëndron në këtë “antikomunizëm” e “nacionalizëm” të pretenduar të tyre.

Nuk mendojmë se duhen përfshirë në këtë analizë ata krerë e bajraktarë krahinash, analfabetë e injorantë, tek të cilët antikomunizmi nuk ishte aspak një qasje ideologjike, por ishte thjesht një qasje pragmatike, që përcaktohej nga bindja se krijimi i një shteti kombëtar modern, do të thoshte fund i pushteteve dhe autoriteteve të trashëguara, fund i strukturave të vjetra politiko-juridike, që bazoheshin kryekëput në izolimin krahinor, në klientelizmin, në mercenarizmin, në analfabetizmin dhe në një folklorizëm primitiv, që akoma në shek. XX e përfaqësonte Shqipërinë me gjakmarrjen dhe kanunin.

Në këtë kuptim, krerët tradicionalë nuk mund të pajtoheshin me ndërtimin e një shteti modern, pak rëndësi kishte nëse bëhej fjalë për një shtet republikan, monarkik apo komunist. Në fund të fundit, ata patën të njëjtin konflikt si me qeverinë e Ismail Qemalit, ashtu edhe me atë të Princ Vidit, të Ahmet Zogut e të Enver Hoxhës. Ekzistenca e tyre ishte pengesa e fundit për realizimin e shtetit kombëtar, ashtu siç e kishin projektuar Shqipërinë ideologët e nacionalizmit shqiptar, si shtet unitar, si shtet ligjor e si shtet evropian. Në fakt, një nga arritjet e Luftës Antifashiste ishte zhdukja e pushtetit anakronik e ilegjitim të këtyre krerëve, që u bënë njësh me pushtuesin.

 

Mbi antikomunistët dhe anglezët

Antikomunistët e vërtetë, pra, duhen kërkuar gjetkë, tek njerëz të mendjes e të penës, si Mustafa Kruja, Patër Anton Arapi, Mithat Frashëri, Skënder Muço, Ali bej Këlcyra me shokë. Por antikomunizmin e tyre këta nuk arritën ta kolaudonin me atë që ishte prova e zjarrit e momentit historik, duke u angazhuar në luftën antifashiste, siç bënë forcat demokrate e republikane në Itali, Francë e gjetkë në Evropë, të cilat dolën nga lufta me kredenciale po aq të forta sa komunistët falë pjesëmarrjes së tyre në rezistencën antifashiste.

Antikomunistët shqiptarë, të grumbulluar rreth organizatave të “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”, në rastin më të mirë qëndruan në pritje, dhe në rastin më të keq bashkëpunuan me pushtuesin. Sigurisht, rasti i Mustafa Krujës është një rast ekstrem. Kruja pretendonte se pranoi ta marrë përsipër drejtimin e qeverisë kuislinge në kushtet kur “organizatat komuniste ishin gjallëruar” dhe kur ai e ndjeu si detyrën e vet “shkuljen e komunizmit”.

Por, a thua vërtet të ketë qenë “antikomunizmi” ai që e shtyu Mustafa Krujën të bëhej kryeministër i një prej qeverive kuislinge më të urryera të historisë së Shqipërisë? Ka pak të ngjarë, përderisa në dhjetorin e vitit 1941, kur ai u emërua nga Musolini, komunizmi ishte shumë larg së pushtuari mendjet dhe zëmrat e shqiptarëve, të cilët atë kohë vuanin një të keqe konkrete e të përditshme, që ishte pushtimi fashist.

Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit: Mustafa Kruja ishte një fashist i bindur, dhe për fatin e keq të tij, antikomunizmi i një fashisti ishte krejtësisht jashtë kohe dhe i pavlerë në një kohë kur demokracitë e mëdha, SHBA e Britania e Madhe ishin bashkuar pikërisht me bastionin e komunizmit, BRSS, për të mposhtur fuqitë e boshtit nazifashist. Diçka më shumë se Mustafa Kruja mund ta luanin kartën e antikomunizmit personalitete si Ali Këlcyra, Abaz Ermenji, Skënder Muço apo edhe vetë Abaz Kupi.

Të bindur, dhe me të drejtë, se aleatët anglo-amerikanë nuk e dëshironin një qeveri komuniste pas luftës, këta e justifikonin inaktivitetin, apo edhe bashkëpunimin e tyre me pushtuesin, me nevojën për të ruajtur të paprekura forcat e tyre, të cilat do t’i përdornin pas largimit të gjermanëve për të mënjanuar ardhjen në pushtet të Frontit Nacional Çlirimtar të drejtuar nga komunistët. Në 15 shkurt 1944, përfaqësuesi i Ballit Kombëtar, Skënder Muço, i përgjigjej me këto fjalë akuzave të majorit amerikan Kuejl (Quayle) lidhur me bashkëpunimin e BK me gjermanët: “Po, ne jemi vënë në krah të gjermanëve për të mundur komunistët dhe ndikimin e FNÇl: një ditë gjermanët do largohen nga Shqipëria, por kush do t’i largojë komunistët”?

Një arsyetim identik përdorte edhe Abaz Kupi ndaj ushtarakëve të misionit britanik të atashuar pranë tij, kur këta e nxisnin të kryente ndonjë aksion kundër gjermanëve. Nuk mund të mohohet, se justifikimi i inaktivitetit apo i kolaboracionizmit me nevojën për të luftuar komunizmin, ngjiti sidomos tek disa oficerë të misioneve ushtarake angleze, si J. Amery, D. Smiley, Billy McLean dhe tek ndonjë shef i tyre në Londër e në Kajro. Këta, siç pohon një tjetër oficer anglez, J. Naar, përveç detyrës për të nxitur sulmet kundër gjermanëve, “punonin edhe për të zbatuar një axhendë anti-partizane e anti-komuniste”.

Në pranverën e vitit 1944, majori britanik, Philip Leak, insistonte se, pavarësisht qëndrimit pritës apo bashkëpunimit të hapur me gjermanët, BK e zogistët duhet të mbështeteshin nga aleatët në vështrim të “një kryengritjeje të përgjithshme në fund të luftës”. Me nota miratuese, në 19 prill 1944 majori Seymour i raportonte Londrës se Kupi “është duke u përgatitur për luftë civile pas largimit të gjermanëve” (is preparing for Civil War after the Germans leave).

Jo të gjithë oficerët britanikë që vepronin në Shqipëri ishin dakord me politikën e mbështetjes së ballistëve e zogistëve, aq më shumë që tashmë ishte e qartë se ishte shuar çdo shpresë për t’i përfshirë ata në luftime kundër gjermanëve. Në 7 qershor 1944, majori Watrous e paralajmëronte eprorin e tij në Kajro, Boxshall, se “çdo mbështetje e mëtejshme për Abaz Kupin, me gjasa do t’i shërbente vetëm shpërthimit të luftës civile dhe do t’u krijonte shqetësime operacioneve të partizanëve kundër gjermanëve”. Duhet thënë, se misioni ushtarak amerikan OSS nuk u përfshi në këtë lojë të dyfishtë.

Pasi krijuan bindjen se kush luftonte e kush bashkëpunonte, amerikanët vendosën t’i atashonin misionet e tyre vetëm pranë Shtabit të UNÇl.

Abaz Kupi e Mitat Frashëri, Londër 1949

 

Kalimi në veri

Gjithsesi, kur Divizioni I kaloi në veri dhe sidomos kur ai u angazhua në luftime të gjata e të përgjakshme për çlirimin e Peshkopisë, Dibrës, Krujës etj., vetë britanikët e atashuar tek Abaz Kupi e krerët e Dibrës, patën rastin të konstatojnë nga afër epërsinë dërrmuese të forcave partizane ndaj atyre “nacionaliste”, tek të cilat më kot shpresuan se “do hidhnin ndonjë pushkë” kundër gjermanëve, e sidomos se do ndalnin ardhjen e komunistëve në pushtet pas luftës.

Luftimet e ashpra mëse dy-mujore të angazhuara prej Divizionit I për çlirimin e Peshkopisë dhe të Dibrës, që ishte lufta e parë frontale që UNÇl përballonte me forcat gjermane, e bindën Londrën përfundimisht se Ushtria Nacional Çlirimtare ishte një forcë e jashtëzakonshme goditëse, se kalimi i Divizionit I në veri nuk kishte qëllim eliminimin e Abaz Kupit dhe nuk bëhej për qëllime të luftës civile, por për çlirimin e qendrave kryesore; jo më kot, pas marrjes së Peshkopisë, anglezët rifilluan furnizimet nga ajri, me armë e pajisje, për forcat partizane.

Dhe së fundi, dalja e Divizionit I në veri, e shoqëruar nga një galvanizim i popullsive të atyre viseve dhe me bashkimin e tyre me formacionet partizane, i bindi përfundimisht anglezët, se Abaz Kupi përbënte një faktor të papërfillshëm dhe se kishte qenë kohë dhe energji e humbur investimi i bërë prej tyre në favor të të ashtuquajturve nacionalistë.

Kishin kaluar plot 10 muaj nga koha kur, në 17 dhjetor 1943, nga Orenja gjenerali Edmund Davies i kishte rekomanduar qendrës për t’u dërguar një paralajmërim të fundit ballistëve e zogistëve, që tashmë bashkëpunonin hapur me pushtuesit gjermanë: “Mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të bëhet publik menjëherë, duke deklaruar fort, se kuislingët, tradhtarët dhe ata që nuk luftojnë kundër gjermanëve do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët. Shqiptarët e kanë bërë këtë lojë kuislingësh në vazhdimësi me turqit, italianët dhe tani edhe me gjermanët. Ata besojnë se do të bëjnë të njëjtën gjë edhe me aleatët. Prandaj rekomandoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të Frontit Nacional Çlirimtar”.

Kalimi i Divizionit I në Veri dhe përmbysja e madhe që ai solli në frontin e luftës dhe në rikonfigurimin e raportit të forcave, i dha fund shpresës së britanikëve për ta faktorizuar Abaz Kupin dhe krerët e tjerë zogistë si një alternativë serioze ndaj FNÇl. Kështu, në shtator 1944, McLean, Smiley e Amery, oficerët anglezë që mbështetën deri në fund Kupin, shpeshherë edhe duke dizinformuar Londrën për forcën e tij reale, u udhëruan ta braktisin atë dhe të kthehen në atdhe.

Balli, Legaliteti dhe teoria e jug-veriut

Në raportet e misionarëve anglo-amerikanë, organizatat e “Ballit Kombëtar” e të “Legalitetit” emërtohen zakonisht si organizata nacionaliste. Në fakt, Kosova dhe Shqipëria etnike zinin vendin kryesor në propagandën e përditshme të këtyre dy forcave politike. Mbi të gjitha, këto ishin dy tema, që ata mendonin se u siguronin epërsi në ballafaqimin me kundërshtarin e tyre kryesor, Frontin Antifashist dhe me PK dhe që shpëtonin disi imazhin e tyre të kompromentuar nga bashkëpunimi me gjermanët e me qeverinë kuislinge. Megjithatë, dy oficerë anglezë, Ridell e Hibbert, e vinin seriozisht në pikëpyetje ndershmërinë e tyre, kur raportonin se ballistët e zogistët “vërtet flasin gjithë ditën për nacionalizmin, por vështirë të gjesh në sjelljet e veprimet e tyre edhe shenjën më të vogël të nacionalizmit”.

Nga ana e tij, Julian Amery e ilustron fare mirë se cili ishte koncepti i Abaz Kupit mbi atdheun, mbi patriotizmin dhe mbi vetë historinë e Shqipërisë, kur riprodhon një pohim që Abaz Kupi ia kishte bërë atij në një moment sinqeriteti: “Për njëmijë vjet ne Gegët kemi sunduar mbi Toskët dhe tani, me sa duket, ka ardhur radha e tyre të sundojnë mbi ne”.

Mustafa Kruja

 

Ky koncept antirilindas dhe antishqiptar, që ekzaltonte armiqësinë mes Veriut e Jugut në një moment kur vendi ishte i pushtuar nga gjermanët, kishte qenë artikuluar qysh herët në nivelin e një platforme ideologjike nga kuislingu Mustafa Kruja. Sejfi Vllamasi, në vitet 1920, e akuzonte Mustafa Krujën si “teoricienin e flaktë të filozofisë idiote të luftës mes Gegëve e Toskëve”.

Për të njëjtën arsye, në 1925, edhe Faik Konica e godiste hidhur ish- dishepullin e Esad Pashës, Mustafa Krujën pra, “një bandit pa skrupull… e spiun i mbaruar…që vazhdon akoma propagandën e tij të vjetër kundër Toskëve. Mustafa Kruja e di se udha më e lehtë për të dobësuar Shqipërinë e për të prishur shtetin është të kallet mosbesim mes Toskëve e Gegëve. Le të shpresojmë se shqiptari s’do bëhet vegël e këtij vagabondi”.

Si për të vërtetuar se ishte vërtet i tillë, në 18 korrik 1944 Mustafa Kruja u drejtoi një thirrje bashkëqytetarëve të tij krutanë për t’u përgatitur për luftë kundër Jugut “komunist” që, sipas tij ishte lëshuar të pushtonte Veriun. “Ne s’kemi shkuar për t’i kërkuar këto bisha në strofkull të vet, atje larg në Toskëri, por sot na kanë ardhë ata te shtëpitë tona… Mos t’i lemë të shkelin vatrat tona e të bëjnë qejf me gratë e vajzat tona”.

Kjo ideologji e përçarjes gjarpëronte, ku më shumë e ku më pak, tek të gjitha rrethet kuislinge të veriut dhe e dha grahmën e fundit të saj, në janar 1945, gjatë kryengritjes së Koplikut kundër qeverisë së Tiranës, të cilën dikush vazhdon ta pagëzojë si kryengritjen e parë antikomuniste në Evropë. Në traktin e shpërndarë prej organizatorëve të saj, ndër të cilët edhe mjaft ish-funksionarë e milicë fashistë, qeveria e Tiranës nuk sulmohej si qeveri komuniste, por si një qeveri “që ishte thjesht e toskëve dhe prej së cilës gegët nuk do fitonin asgjë”.

Mendjelehtësia e baballarëve dhe disa pakte skandaloze

Është pikërisht kjo urrejtje ndërshqiptare, e ushqyer tinëzisht nga pushtuesit e huaj dhe nga bajraktarë e, ndonjëherë, edhe klerikë të caktuar, që shpjegon brutalitetin me të cilin u sollën bandat e Xhafer Devës, Halil Alisë, Hysni Demës, Selim e Dan Kaloshit ndaj popullsisë civile në Tiranë, Vlorë apo Berat. Masakrat e kryera prej tyre nuk shpjegohen me kinse “nacionalizmin” e “antikomunizmin” e tyre. Për këta kuislingë mendjengushtë, që makar flisnin ditë e natë për Shqipërinë e Madhe, atdheu fillonte e mbaronte tek kufijtë e katundit e të krahinës së vet. Individë të tillë nuk kishin të bënin fare me nacionalizmin e mishëruar në programin e Rilindjes Kombëtare për një Shqipëri të bashkuar në një shtet unitar.

Por, nuk ishte më i mirë as “nacionalizmi” i shprehur nga ideologët dhe krerët e Ballit Kombëtar e të lëvizjes zogiste. Këta, duke u implikuar direkt ose indirekt në regjimin e pushtimit, morën pjesë në zhbërjen e pavarësisë, në humbjen e sovranitetit dhe në rrezikimin e kufijve të njohur në 1913.

Të ashtuquajturit “baballarë të nacionalizmit shqiptar” nuk kishin një projekt të tyre për Shqipërinë, por u zvarritën pas projekteve të hartuara në ofiçinat e huaja. E pranuan “Shqipërinë e Madhe” të bërë dhuratë nga nazifashistët, pa e menduar gjatë se pas lufte ajo mund të tërhiqte në greminë edhe Shqipërinë e vogël të 1913-s. Njëherësh, si organizata e Ballit, ashtu edhe legalistët e Zogut përqafuan projektin e një federate ballkanike greko-jugosllavo-shqiptare, sapo morën vesh se për të po punohej në MPJ të Britanisë së Madhe.

Kuptohet, projekti i një federate të tillë i skicuar nga anglezët, nuk i jepte Shqipërisë as Kosovën e as Çamërinë.

Muharrem Bajraktari, Greqi 1948

 

Në frymën e projekteve të tilla, si ballistët ashtu edhe zogistët kryen bisedime të fshehta me serbët dhe me grekët. Në vitin 1941, Muharrem Bajraktari dhe përfaqësues të Zogut në Stamboll filluan bisedime me përfaqësues të Drazha Mihajlloviçit, eksponent serb monarkist e antishqiptar, për të ripërtërirë marrëveshjet e fshehta të bëra me Pashiçin nga Esad Pasha në 1914, dhe nga Ahmet Zogu, në 1924. Bisedimet synonin krijimin e një federate jugosllavo-shqiptare, me kusht që Jugosllavia të ndihmonte “rilindjen zogiste”, d.m.th. rikthimin e Zogut në pushtet me ndihmën e bajonetave sllave, si në vitin 1924.

Kur e pa se Mihajlloviçi nuk kishte gjë në vijë dhe në Jugosllavi po triumfonin komunistët e Titos, Muharrem Bajraktari iu përkëdhel grekëve, duke paraqitur projektin e një federate “pellazgjike” greko-shqiptare. Ndonjë muaj më vonë, Kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri në emër të BK dhe Koço Kota në emër të zogistëve, hynë në bisedime me grekët për krijimin e një federate greko-shqiptare. Projekti i paraqitur nga ballisto-zogistët e linte Kosovën e Çamërinë jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë dhe e vinte ushtrinë shqiptare nën urdhrat e Komandës greke.

Nëse për këtë marrëveshje nuk u ra dakord, kjo erdhi pasi Gjenerali Athanas Chryssoidou, që përfaqësonte palën greke, kërkoi shumë më tepër nga ç’ofronte Mit’hat Beu. Kërkonte që Shqipëria të kthehej thjesht në një provincë të varur nga Athina (ekartima), ku shqiptarët do mund të zgjidhnin vetëm kryetarët e bashkive e të komunave, ndërkohë që guvernatori do emërohej nga Athina. Shqipëria nuk do kishte ushtri, do kishte vetëm një xhandarmëri dhe nuk do të kishte shërbim të jashtëm, që do të mbulohej nga Athina.

Parë nga distanca kohore, qëndrimet e të ashtuquajturve nacionalistë, të grupuar rreth “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”, nuk lenë vend për shumë fjalë.

Qëndrimi i tyre gjatë luftës e kompromentoi seriozisht pozicionin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, ku asaj u tentua t’i mohohej statusi i vendit aleat dhe ku ndaj saj u paraqitën përsëri pretendime territoriale. Qëndrimi i tyre mbeti antikombëtar edhe pas vitit 1944, kur vazhduan të ushqejnë ëndrrën për t’u kthyer në pushtet sa me ndihmën e anglo-amerikanëve, aq edhe me atë të qarqeve shoviniste greke.

Madje, pas prishjes së regjimit të Tiranës me Jugosllavinë, në 1948, mjaft prej tyre, mes sosh edhe vetë Ahmet Zogu, i mbështetën shpresat tek “komunisti” Tito, të cilit i premtuan miqësi të pakushtëzuar, në rast se ai i ndihmonte të vinin në pushtet. Në kushte të tilla, mund të merret me mend, se cila do të kishte qenë fati i Shqipërisë, në rast se çlirimi do ta kishte gjetur atë të drejtuar nga kjo shpurë kuislingësh e kolaboracionistësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button