Europa

Gjermani: Merkel siguron një mandat të katërt

Angela Merkel arriti fitore në zgjedhjet e së dielës për një mandat të katërt në zgjedhjet federale, një arritje historike. Por partia e saj Kristian Demokrate mundi të sigurojë një numër më të vogël votash nga sa parashikohej.

Ndërkohë, partia populiste e ekstremit të djathtë arriti të fitojë një numër më të madh votash nga sa parashikuan të gjitha anketat.

Sipas anketave paszgjedhore të publikuara menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimeve në orën 6 pasdite sipas orës lokale, Partia Krisitian Demokrate e zonjës Merkel dhe partia e saj simotër bavareze, Unioni Social Demokrat, siguruan 33,5 për qind të votave.

Zonja Merkel bëhet kështu një prej tre kancelarëve gjermanë pas Luftës së Dytë Botërore që zgjidhet për një mandat të katërt.

Menjëherë pas publikimit të rezultateve të para, zonja Merkel tha se kishte siguruar mandatin për formimin e qeverisë së re me bllokun e saj konservator.

Përkrahësit e zonjës Merkel të mbledhur para zyrave të partisë së saj, e përshëndetën atë me duartrokitje dhe thirrjet entuziaste”Angie!”

Merkel pranoi pranoi se “do të dashur që partia e saj të siguronte rezultate më të mira”. Por ajo tha se partia e saj ka 12 vjet që është në pushtet, duke shtuar se katër vitet e fundit kanë qenë një “sfidë e jashtëzakonshme”.

“Le ta themi hapur, natyrisht që do të kishim preferuar një rezultat më të mirë, kjo është plotësisht e qartë. Por të mos harrojmë se sapo kemi dalë nga një periudhë legjislative me shumë sfida. Kjo është arsyeja që ne së bashku jemi të lumtur që arritën objektivat tona strategjike të fushatës zgjedhore”, – tha zonja Merkel.

Anketat paszgjedhore treguan se blloku konservator i zonjës Merkel doli fitues në zgjedhjet e së dielës, por fitorja nuk ishte aq e bindshme sa ajo e vitit 2013.

Partia e dytë gjermane për nga madhësia, ajo Social Demokrate e qendrës së majtë, që ishte partnerja e vogël në qeverinë e deritanishme të zonjës Merkel, mundi të sigurojë vetëm 21 për qind të votave. Kjo është paraqitja më e dobët në votime e kësaj partie që nga viti 2009.

Alice Weidel dhe Alexander Gauland, të partisë nacionaliste AfD

Alice Weidel dhe Alexander Gauland, të partisë nacionaliste AfD

Por një pikëpyetje e madhe shoqëroi të gjithë ditën e sotme të votimeve, krahas me fundin e periudhës tre-mujore të fushatës së ethshme zgjedhore: në se nacionalistët reaksionarë do të mund të hynin në Bundestagun e Gjermanisë për herë të parë që nga periudha e nazizmit. Kjo do të shënonte një kthesë të fortë për një vend që ka vendosur kufizime në gjuhën e fjalimeve politike dhe tregohet i kujdesshëm për çdo shprehje dramataike të nacionalizmit.

Anketat paszgjedhore treguan në fakt se partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, ka fituar më tepër vota nga sa parashikohej në zgjedhjet e së dielës. AfD doli partia e tretë në zgjedhje, duke siguruar rreth 13 për qind të votave. Kështu, kjo parti do të ketë për herë të parë vende në Parlamentin e Gjermanisë që pas Luftës së Dytë Botëroe.

AfD zhvilloi një fushatë agresive, të dominuar nga parrullat kundër më tepër se 1 milion imigrantëve, shumica myslimanë që kanë shkuar në Gjermani në dy vitet e fundit.

Dalja nga votimet e partisë nacionaliste AfD si forcë parlamentare e ndërlikon zgjedhjen e zonjës Merkel për partnerë koalicioni.

Në një intervistë të botuar të dielën në gazetën “The Washington Post”, Alexander Gauland, një nga drejtuesit e partisë AfD, tha se e ardhmja e kësaj partie është përmirësuar, falë politikës së dyerve të hapura të zonjës Merkel për refugjatë e luftrave në Lindjen e Mesme. “Politika e zonjës Merkel për mirëpritjen e refugjatëve, armiqësoi një numër të madh votuesish, gjë që shihet në demonstratat kundër zonjës Merkel, të cilat ne i kemi quajtur si demonstrata “Merkel duhet të largohet”- tha ai.

I pyetur lidhur me dhunën ekstremiste kundër pakicave në Gjermani, Gauland tha se: “Ne nuk kemi të bëjmë aspak me ekstremizmin. Ne nuk kemi të bëjmë aspak me dhunën ndaj njerëzve.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button