Politika

Ambasada e Kinës në Shqipëri organizoi me 600 të ftuar pritjen me rastin e Festës Kombëtare

Ambasada e Kinës në Shqipëri organizoi më 22 shtator në Muzeun Historik Kombëtar pritjen me rastin e 68-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës.

Midis 600 të ftuarve në këtë veprimtari, spikasnin presidenti i Republikës Ilir Meta, kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi, zv./kryeministrja Znj.Senida Mesi, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme e Shqipërisë, kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha, deputetë të parlamentit, por edhe shoqata e miqësisë shqiptaro-kineze, shoqata kulturore ‘Alb-China’, përfaqësues të kompanive kineze, të Institutit Konfuci etj.

Ambasadorja Jiang Yu tha në fjalimin e saj se këto 68 vjet, që nga themelimi, Kina ka një histori të lavdishme që me arritjet e saj ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës.

“Sidomos që nga zbatimi i Reformës dhe Hapjes, ‘mrekullia e Kinës’ karakterizohet nga zhvillimi i shpejtë. Kina ka gjetur rrugën e saj të zhvillimit. Ajo mbetet një spirancë stabilizuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, motor i rritjes së ekonomisë botërore, burim i energjisë pozitive gjatë zhvillimit paqësor dhe një fuqi e re e qeverisjes globale,” tha Jiang.

“Në tetor të këtij viti do të zhvillohet Kongresi i 19-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës. Gjatë Kongresit pritet të shpaloset udhërrëfyesi i zhvillimit të socializmit me karakteristikat kineze dhe jam e bindur se 1.3 miliardë kinezët do të hedhin hapa edhe më të mëdha gjatë procesit të realizimit të rilindjes kombëtare të Kinës,” theksoi ambasadroja.

Jiang shtoi se sivjet, ekonomia e Kinës po vazhdon zhvillimin e qëndrueshëm. Në gjashtëmujorin e parë, ekonomia u rrit me 6.9%, ndërsa numri i vendeve të reja të punës në qytete dhe në rrethina u rrit me 7.35 milionë. Në të ardhmen, Kina pritet të thellojë zbatimin e idesë së saj të zhvillimit harmonik, të gjelbër, të hapur dhe me fitime të përbashkëta, duke nxitur dhe një model të ri të zhvillimit ekonomik që e zhvendos fokusin nga eksporti te konsumi.

Ambasadorja Jiang theksoi se në muajin maj të këtij viti, forumi për Bashkëpunim Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë” që u mbajt në Kinë, përcaktoi se nisma ka hyrë tani në një fazë të re, nga konceptimi në veprim, nga planifikimi në zbatim.

Duke folur për politikën e reformës dhe të hapjes ndaj botës së jashtme, ambasadorja Jiang u shpreh se Kina është një nga përfitueset e globalizimit, por gjithashtu dhe një kontribuuese.

“Që nga Reforma dhe Hapja, Kina ka tërhequr investime të huaja prej 1.7 trilionë dollarë, ndërsa investimet direkte të Kinës në vendet dhe rajonet e tjera arrijnë në 1.2 trilionë dollarë. Pas shpërthimit të krizës financiare ndërkombëtare, Kina ka kontribuuar mesatarisht çdo vit mbi 30% e rritjes ekonomike globale. Kina do të këmbëngulë vazhdimisht për një politikë me dyer të hapura. Në politikën kombëtare ajo do të ndjekë strategjinë që synon përftimet e përbashkëta; ndërthurjen e zhvillimit kombëtar me atë ndërkombëtar, duke sjellë më shumë përfitime për vendet dhe popujt e tjerë. Zhvillimi i Kinës është një shans për gjithë botën, dyert e saj do të mbeten të hapura. Zhvillimi i ekonomisë kineze do të vazhdojë t’i sjellë botës efekte të mëdha pozitive,” theksoi diplomatja kineze.

Ambasadorja Jiang u shpreh gjithashtu se dy vjet pas marrjes së detyrës, ajo tani e kupton mirë miqësinë e palëkundur tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë dhe thotë se shpreson që në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” dhe kornizës “Bashkëpunimi 16+1”, të dyja palët të shfrytëzojnë potencialin dhe të sjellin fuqi të reja për bashkëpunim ekonomiko-tregtar dhe më shumë shkëmbime kulturore e njerëzore, që miqësia kino-shqiptare të japë më shumë fryte në të mirë të dy popujve.

Në ceremoninë e pritjes, diplomatja kineze Chen Sisi dhe pianist i ri Tara realizuan së bashku temat muzikore “Unë dhe vendi im”, “Melodia Lumit të Verdhë” dhe “Kënga e Lumit Jance” , ndërsa më pas u shfaq një dokumentar mbi arritjet e zhvillimit të Kinës dhe ngjarjet kryesore ndërkombëtare të mbajtura nga Kina.

Grupi i grave të ambasadës dha një shfaqje me erashkë tai chi, ndërsa vajzat e Instituti i Konfucit të Universitetit të Tiranës kënduan një këngë kombëtare në kinezisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button