Opinion

Politika, keqkuptimi banal jo vetëm i Lul Bashës

Lorenc Vangjeli

Meqënëse fituesi nuk gjykohet, i mbetet humbësit të gjejë justifikimet dhe shkaqet e humbjes. Edi Rama mundi të fitojë me listën e tij të deputetëve, për shumë nga të cilët, as ai vetë nuk di se pse i përfshiu në grup. Qeverisja është një zejë fare e thjeshtë dhe të thuash “po”, detyra e parë dhe e vetme e një pjese dërmuese të grupit të tij parlamentar, është fare e lehtë. E vështirë është të dish të refuzosh, të thuash “jo” dhe mbi të gjitha, të dish të justifikosh refuzimin dhe të kesh edhe mençurinë të tregosh një alternativë më të mirë të saj. Çka normalisht është punë e opozitës. Kjo situatë e detyron Lulzim Bashën edhe njëherë si shumë herë, që të shpjegohet për listën e grupit të tij parlamentar. Fatkeqësisht ende nuk po e bën një gjë të tillë. Nuk do ta bëjë, nuk e kupton çfarë ka bërë, nuk di ta bëjë apo të gjitha këto së bashku, ky është vetëm një kuriozitet i munguar ndaj publikut dhe një shpjegim që ai do t’i detyrohet gjatë partisë së tij. Basha nuk mundi ta hapë këtë “kasafortë” vetjake edhe tek Studio e Hapur e Eni Vasilit të hënën, duke dëshmuar edhe njëherë, se mes ofertës së tij për të qeverisur Shqipërinë në qershor dhe rezultatit që morri, në rastin më të mirë, qëndron një hendek i frikshëm sinqeriteti të munguar. “Rezultati i zgjedhjeve nuk ka shumë të bëjë me listën e kandidatëve. Përpjekja për të lidhur listën me rezultatin e zgjedhjeve është një përpjekje e sforcuar”, tha Basha duke u sfrocuar të duket bindës.

Duke dashur të mbrojë listën e tij vetjake, në fakt Basha dëshmoi keqkuptimin e madh të tij dhe jo vetëm të tijin, me profesionin e politikanit. Si identikit të profesionit të dytë më të vjetër në botë, ai provoi ta vizatojë atë si “çështje përkushtimi, përvoje, dëshire, energjie dhe vullneti…”. Shtoi në atë identikit edhe fjalët “është edhe çështje aftësie”, mbas ndërhyrjes plot helm të Lutfi Dervishit në studio. Bssha pranoi se më shumë se gjysma e listës së tij nuk kishin përvojë politike, por ishin të shquar në fusha të tjera të jetës dhe se ata nuk duheshin gjykuar nga debati i parë politik që kishin bërë në parlament. Hiç më shumë ndryshim nuk do të kishte nëse do të thoshte se në ekipin e notit që ai kishte zgjedhur, vërtet gjysma nuk kishte hyrë kurrë në ujë, por me kalimin e kohës, ata mund të fitonin edhe ndonjë garë, meqënëse në pingpong apo në tenis ata ishin të zotët.

Basha dhe jo vetëm Basha, ende nuk e kanë të qartë se politika është profesion. Njëlloj siç është profesion të jesh mjek, hidrauliku, jurist apo elektriçist. Askujt nuk do t’i shkonte në mend që t’i afronte fundin e shpinës një hidrauliku për t’i bërë një injeksion me gjilpërë dhe askush nuk do të ftonte një mjek që t’i riparonte lavamanin që kullon.

Basha dhe jo vetëm Basha, e ka keqkuptuar profesionin e politikanit. Ai e kreu këtë keqkuptim të rradhës dhe vazhdon ta mbrojë ende, pa bërë asnjë gjest vetëfajësimi apo kërkesë për ndjesë. Me një të rënë të lapsit në mesnatë, ai bëri politikan mjekun, hidraulikun, juristin dhe elektriçistin që ju duk i përshtatshëm.

Meqënëse është zakon që fitimtari pranohet edhe kur nuk brohoritet, ndërsa humbësi gjykohet, humbësi i thellë i këtyre zgjedhjeve Basha , duhet të nisë të kuptojë se një nga arsyet që e çuan atë në disfatë dhe i dhanë Shqipërisë një pushtet tërësisht socialist dhe të paekuilibruar dhe kushtëzuar, është dhe lista e tij e çuditshme. Ajo listë që shmangu profesionistët dhe i zëvendësoi ata me premtimin: do ta mësojnë notin rrugës. Nëse nuk janë mbytur më parë. Por ky është fati i tyre vetjak. Problemi është se ky soj rekruti ka mbytur Shqipërinë.

Në Parlament, në qeverisje, në gjykata, në administratë e kudo tjetër gjetkë. Pak nga pak e copë mbas cope. Me fajtorë të cilëve nuk ju është lënduar e shpaguar kurrë mëkati dhe me lavdi që ka ardhur gjithmonë papritur dhe me shumë më shumë ngjyra sesa ju premtonte takati vetjak.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button