Home / Politika / Nisma për simbolet e komunizmit, kreu i ish të përndjekurve: Hipokrizi e PD pas humbjes

Nisma për simbolet e komunizmit, kreu i ish të përndjekurve: Hipokrizi e PD pas humbjes

Partia Demokratike, me anë të një grupi pune, ka nisur lëvizjet e para për hartimin e një projektligji, për ndalimin dhe dënimin e ekspozimit në çdo formë të simboleve të regjimit komunist. Grupi i punës, me në krye deputetin Enkelejd Alibeaj, u ngrit pas shfaqjes, disa ditë më parë, të fotografive të ish-diktatorit Enver Hoxha, në aktivitetin për 75-vjetorin e Konferencës së Pezës, çka u konsiderua nga PD si një provokim i rëndë nga ana e shumicës në pushtet. Shqiptarja.com ka mësuar se, grupi i punës ka nisur zhvilluar mbledhjet e para informate me qëllim hartimin e një drafti, për kriminalizimin e shfaqjes së simboleve të diktaturës.

Ekspertët ligjorë të opozitës po shqyrtojnë dhe vlerësojnë modele të ndryshme, kryesisht të Gjermanisë dhe të vendeve ish-komuniste, të cilat kanë ndalur me ligj jo vetëm ekspozimin e simboleve të komunizmit, por edhe të nazizmit. Në disa vende, ligji detyron policinë që të ndërhyjë për të shpërndarë tubimet dhe për të ndalur shfaqen e çdolloj simboli të komunizmit dhe nazizmit, ndërsa disa vende të tjera, si Çekia, parashikon dënim me burg për personat që ekspozojnë simbole të tilla. Të kontaktuar, anëtarët e grupit të punës thanë se do të shikojnë adaptimin e një modeli, i cili dënon deri në tre vjet burg personat përgjegjës për shfaqjen e simboleve të komunizmit.

Gjithsesi, ende nuk ka një version të kristalizuar në draftit të Partisë Demokratike, sa i takon masës së dënimit, ndërsa mbetet për t’u parë qëndrimi i Partisë Socialiste ndaj propozimit përfundimtar. Disa ditë më parë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi një takim me drejtorin e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri, z. Walter Gloss, me qëllim bashkëpunimin dhe ekspertizën gjermane në hartimin e ligjit për ndalimin e simboleve të komunizmit. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar miratimin e një ligji për dënimin e përgjegjësve për rreth 7 mijë krime gjatë periudhës së komunizmit.

Besim Ndregjoni
Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, tha për Shqiptarja.com se Partia Demokratike u kujtuar për ndaluar simbolet e komunizmi pas dështimit në zgjedhjet e qershorit. “Është thjeshtë një fasadë, një hipokrizi e lidershipit të Partisë Demokratike, i cili pasi ka dështuar në zgjedhjet e qershorit, thotë se do të bëjë një projektligj për ndalimin e simboleve të komunizmit. Dënimi i shfaqjes së simboleve të komunizmit është përcaktuar në rezolutën e Këshillit të Evropës dhe në rezolutën e Parlamentit Shqiptar. Po të zbatohet rezoluta nuk ka nevojë për të bërë një ligj. Simbolet i ndalon rezoluta, e cila përcakton qartë dhe prerë se simbolet e komunizmit dhe të fashizmit nuk duhet të lejohen në një sistem demokratik. Por, Partia Demokratike e lë rezolutën e Këshillit të Evropës, ndërsa kërkon të bëjë një fasadë”, tha Ndregjoni.

Ish-komunistët
Besim Ndregjoni e vuri theksin tek ndalimi i ish komunistëve në politikbërjen e vendit. “Simbolet u ndaluan që me ndryshimin e sistemit. Por problemi qëndron këtu: Nuk duhet të bëhet politikë me simbolet e komunizmit, por të bëhen veprime ligjore dhe të zbatohen ligjet, siç ka bërë Gjermania, Çekia, Hungaria dhe Polonia, të cilat në bazë të rezolutave dhe vendimeve kanë ndalur simbolet. Këto vende kanë ndalur promovimin e ish komunistëve në politikbërjen e vendit. E para që ka bërë ndalimin në këtë rast është Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, e cila nuk ka lejuar absolutisht ish-hetues dhe anëtarë të regjimit  që të jenë pjesë e politikbërjes në Gjermani. Atje nuk e voton elektorati një parti nëse promovon figura të tilla, por në Shqipëri ndodh e kundërta, nuk mund të promovohesh nëse nuk ke suport komunist. Mendimi im është që Partia Demokratike duhet që të kërkojë nga Partia Socialiste që të zbatohen dy rezolutat, ajo e Këshillit të Evropës dhe e Parlamentit Shqiptar. Nuk ka nevojë që të bëjmë ligj për mbi ligj”, pohoi Besim Ndregjoni.

Rezoluta e Parlamentit Shqiptar në 2006 për dënimin e krimeve të komunizmit

  1. Kuvendi i Shqipërisë u referohet Rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe konkretisht: Rezolutës 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”; Rezolutës 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, si dhe vendimeve të Konventës së Parë Kombëtare të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Përndjekurve Politikë dhe Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të të Mbijetuarve të Torturës “Për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri”, datë 12.5.2006.

  2. Regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij, që qeverisi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, u karakterizua nga: dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale e kolektive (me dhe pa gjyq), vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik.

  3. Partitë që juridikisht trashëguan strukturat, anëtarësinë dhe pronat e PPSH-së, nuk kanë shprehur deri sot vullnetin për t’u distancuar nga regjimi totalitar komunist, nga “lufta e klasave” dhe “diktatura e proletariatit”, si dhe krimet e Enver Hoxhës dhe klikës së tij.

  4. Rënia e regjimit komunist në Shqipëri nuk u pasua me një hetim të krimeve të kryera prej tij, aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe nuk u kërkuan falje publike viktimave të gjenocidit komunist.

  5. Ndërgjegjësimi i opinionit publik shqiptar, sidomos i brezit të ri, për krimet çnjerëzore të kryera nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës është mjaft i dobët.

  6. Kuvendi i Shqipërisë shpreh bindjen se njohja dhe denoncimi i krimeve të diktaturës komuniste i shërben shmangies së përsëritjes së krimeve të ngjashme në të ardhmen. Ndëshkimi i krimeve të kryera dhe rivlerësimi real i historisë luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj.

  7. Kuvendi i Shqipërisë dënon fuqimisht dhunimin masiv të të drejtave të njeriut të kryer nga regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij.

  8. Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Evropën Lindore, që çoi në izolimin dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij e bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist.

  9. Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave simbol të sistemit komunist, që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore.

  10. Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen publike të të gjitha dokumenteve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike, si Sigurimi i Shtetit, prokuroritë, gjykatat dhe komitetet e dëbim-internimeve.

  11. Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qendrore e vendore, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.

  12. Kuvendi i Shqipërisë fton partitë komuniste dhe postkomuniste në Shqipëri, që të i konsiderojnë historinë e komunizmit dhe të kaluarën e tyre, të distancohen qartësisht nga krimet e kryera nga regjimi komunist dhe nga diktatori Enver Hoxha, duke i dënuar ato pa asnjë mëdyshje.

  13. Kuvendi i Shqipërisë fton akademikët, historianët dhe ekspertët e pavarur që t’i intensifikojnë kërkimet e tyre për përcaktimin dhe verifikimin objektiv të historisë së Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste.

  14. Kuvendi i Shqipërisë vlerësonte viktimat e krimeve të regjimit totalitar komunist, si dhe familjet e tyre, meritojnë respekt dhe mirëkuptim për vuajtjet e tyre, si dhe mirënjohje për qëndresën e tyre ndaj diktaturës.

  15. Kuvendi i Shqipërisë mbështet hartimin e një strategjie kombëtare për eliminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipëri dhe fton institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurve politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike.

  16. Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste, duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeve, përfshirë edhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

  17. Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Parlamentit, Qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve, si dhe ekspertëve të OJF-ve për krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste.

Leave a Reply

%d bloggers like this: