Politika

Seanca plenare, TVSH bllokon sinjalin për kabllorët, LSI e PD akuza Ramës

Televizioni Shqiptar ka bllokuar sinjalin televiziv për transmetimin e seancave të Parlamentit në mediat kabllore në vend, duke kërkuar një pagesë në këmbim të zhbllokimit të tij.
Në një prononcim për mediat, kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Rama për këtë.
“Jemi në rrugën e asfiksimit dhe mbylljes së Parlamentit. Në kthimin e tij në një tempull pa gojë, që diskutimet të mos shkojnë në veshët e qytetarëve”, ka deklaruar Vasili.
Ai është shprehur se, “një kryeministër i paditur ka bërë gjithçka për ta kthyer Parlamentin në një sekt, ku fjala nuk shpërndahet dhe synimi është errësimi i fjalës së lirë për mediat”.
“Tani erdhi koha e viteve 96-97, kur ishte vetëm TVSH-ja. Ky kryeministër, pasi i quajti mediat e kazanit, sot u mbylli edhe gojën”, ka deklaruar Vasili.
Edhe ish-kryetari i PD, Sali Berisha ka bërë përgjegjës kryeministrin për këtë ndërprerje të sinjalit, duke e cilësuar atë një akt të rëndë ndaj fjalës së lirë.
“Ndalimi i mediave përbën një akt të rëndë, një akt xhelat të fjalës së lirë, por më shumë të Ramës së zi. Ky vendim është kryekëput i Edi Ramës, i cili përpiqet të mbyllë kanalet televizive dhe ne kërkojmë, bëjmë thirrje me urgjencë të mblidhet kryesia e Parlamentit dhe të abrogojë këtë vendim të pashembullt në historinë e Parlamentit. Ky është një akt xhelat ndaj fjalës së lirë, dhunim i së drejtës së informacionit që lidhet me transparencën. Dënoj këtë akt të papajtueshëm në mënyrën më absolute”, ka thënë Berisha.
I përballur me qëndrimet e PD dhe LSI në seancën e kësaj të enjteje, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka sqaruar se, rregullorja e detyron RTSH të transmetojë disa seanca të plota.
“Nëse pastaj ka mosmarrëveshje mes TVSH-së dhe mediave private, kjo zgjidhet në rrugë të tjera”, ka thënë Ruçi.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button