Kronika

Paratë e pista, në 4 vite bllokohen 70 milionë euro

Rastet që hetohen për pastrim parash janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit. Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave kallëzoi në 8 muajt e parë të vitit rreth 260 raste, të dyshuara për pastrim parash dhe financim terrorizmi.
Sipas të dhënave, gjatë periudhës Janar-Gusht, në Njësinë e Inteligjencës Financiare u raportuan 846 transaksione të dyshimta nga bankat, noterët, apo subjektet e tjera që kanë detyrim ligjor për të raportuar. Por, pas analizave ky institucion ka klasifikuar si të rrezikuara për pastrim parash 257 raste, të cilat janë kallëzuar në Prokurori ose Policinë e Shtetit.
Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave nuk ka kompetenca hetimi. Ajo kryen vetëm analizën financiare dhe rastet që klasifikohen me risk të lartë ua përcjellë organeve hetuese.
Megjithatë, ky institucion ka të drejtë të bllokojë shumat e përfshira në transaksionet e dyshimta. Sipas të dhënave, në 8 muajt e parë të këtij viti u bllokuan mbi 5.5 milionë euro, ndërsa në total për 4 vitet e fundit janë bllokuar mbi 70 milionë euro, të dyshimta për pastrim parash.
Por edhe pse vlerat e bllokuara janë rritur ndjeshëm, shumë pak prej parave të krimit arrijnë të konfiskohen përfundimisht. Sipas raportit vjetor që Njësia e Inteligjencës Financiare ka dërguar në Parlament, numri i personave të dënuar dhe vlera e parave që konfiskohen nga organet e drejtësisë janë minimale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button